Ambasadorja e Brukselit
Edhe miqësia e vjetër e nisur që kur Lulzim Basha dhe Argita Berisha ishin bashkë në Prishtinë, apo kur ai erdhi në KOP, ose kur bëri zullumin e rrugës Rrëshen-Kalimash etj., nuk e ka ndihmuar kryeministrin Sali Berisha të ketë ndopak njohuri për diplomacinë shqiptare. Ai e ka mbyllur kapitullin, duke veshur ambasadorë të gjithë pleqtë gërnjarë që kishte në PD. Për të tjerat, është jashtë loje. Siç e tregoi edhe takimi i pak ditëve më parë me ministrin e Jashtëm Belg, Karel De Gucht dhe delegacionin që e shoqëronte. "Ministri i Jashtëm belg u shpreh se, pas fjalës së dhënë, gjatë takimit të tij me Kryeministrin Berisha në Belgjikë, për të hapur zyrën konsullore belge në Shqipëri së shpejti, ky lajm i mirë do të shkojë edhe më tej, pasi Ministria e Jashtme Belge po punon që këtë zyrë ta kthejë në një Mision të Përhershëm Diplomatik. Gjithashtu, zoti De Gucht, theksoi se Belgjika do të ulë tarifat e përgjithshme për marrjen e vizave, si dhe do të çojë në zero tarifat për disa kategori të vizave. Në këtë kuadër, edhe kryeministri Berisha u shpreh se, Republika e Shqipërisë do të dërgojë së shpejti një ambasadore të veçantë në ambasadën e saj në Belgjikë". (shih www.km.gov.al)
"Spiuni" u habit, pse nuk e dinte që Tirana ende nuk ka ambasador në Bruksel dhe pyeti te Ministria e Jashtme. I thanë se në Bruksel, Shqipëria ka ambasadë dhe ambasador që në vitin 1992, kur erdhi në pushtet Berisha i Parë. Hapi edhe faqen e ministrisë dhe te lidhja "Përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë" gjeti se në Belgjikë ne kemi ambasadore zonjën Mimoza Kondo, që drejton selinë në Rrugën "30, Rue Tenbosch, 1000 Bruxelles". Nëse nuk e besoni, telefononi në numrat. +32 2 640 3544, +32 2 640 1422, +32 2 644 3329, dërgoni një Fax. në + 32 2 640 31 77, 031 2 640 2858 apo E-mail te adresa ambassade.bruxelles@mfa.gov.al. Ta provojë edhe Berisha, që ta mësojë...