Engel: Reputacioni i Shqipërisë varet nga mënyra se si do mbahen zgjedhjet

Engel gjatë një takimi me Berishën
Ligjvënësi demokrat nga SHBA, Eliot Engel, në një intervistë për agjencinë INA thotë se reputacioni i Shqipërisë do të varet nga organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike të 23 qershorit.
Është shumë e rëndësishme për Shqipërinë të ketë zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike, të mos ketë mashtrime apo manipulime dhe procesi zgjedhor të jetë i pastër. Unë kam qenë në Shqipëri në të kaluarën, kur atje janë mbajtur zgjedhjet dhe isha shumë i kënaqur me ata shumë njerëz që merrnin pjesë në demokraci. Gjithkush është duke monitoruar dhe ndjekur nga afër zgjedhjet në këtë shtet. Shqipëria është anëtare e NATO-së dhe unë mendoj se zgjedhjet e lira dhe të pastra do ta ndihmonin anëtarësimin e shtetit edhe në Bashkimin Evropian, e kundërta nuk do të ishte lajm i mirë, sepse e gjithë bota është duke vëzhguar, tha Engel.
Sipas tij Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të punojë që zgjedhjet të arrijnë standardet ndërkombëtare dhe demokratike.
Nuk më intereson shumë se kush është në komision, por se komisioni është duke bërë punën në pajtim me ligjet në fuqi që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike, deklaroi ligjvënësi amerikan./ep