Enigma zbardhet nga makina

TIRANË - Aksidenti i dyshimtë ku humbi jetën biznesmeni Kosta Trebicka mund të zbardhet vetëm pas ekspertimit të automjetit me të cilin udhëtonte ai. Pas kryerjes së disa ekspertizave, grupi hetimor e ka përqendruar vëmendjen tek gjendja teknike e makinës, e cila ndodhet e izoluar në Drejtorinë e Policisë të Qarkut Korçë, në pritje të ekspertëve amerikanë, që mendohet të mbërrijnë në Shqipëri ditën e sotme. Burime pranë grupit hetimor thanë se e vetmja pjesë e paezauruar nga hetimet e deritanishme është këqyrja e automjetit, e cila do të kryhet nga ekspertët e huaj, të kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme. “Këqyrja e makinës është mundësia e vetme për të zbardhur tërësish mekanizmin e ngjarjes”, - thanë burime brenda grupit hetimor, të cilët nuk mohuan faktin se paralelisht me aksidentin e mistershëm po hetohen edhe pista të tjera hetimore. Po sipas hetuesve, pika kyçe që pritet të zbardhë gjithçka që ndodhi mesditën e së premtes në afërsi të fshatit Voskopojë është automjeti tip “Nissan Patrol”, ngjyrë e kuqe, me të cilin biznesmeni kishte shkuar fare i vetëm për gjueti. Rëndësia e automjetit në tërësinë e procesit hetimor është bërë prezente edhe nga përfaqësuesit e ambasadës amerikane, të cilët një ditë pas ngjarjes udhëtuan drejt Korçës për të asistuar në një pjesë të procesit hetimor. Ishte lëvizja e automjetit nga vendi i ngjarjes, arsyeja që prodhoi dhe një “përplasje” mes dy përfaqësuesve të ambasadës dhe ekspertëve shqiptarë që janë në grupin hetimor të çështjes. Sipas burimeve, automjeti me të cilin udhëtonte Kosta Trebicka është larguar nga vendi i ngjarjes me urdhër të drejtuesve të grupit hetimor, veprim ky që u kundërshtua nga amerikanët, për shkak të rëndësisë që paraqiste kjo provë në hetimin e mëtejshëm të çështjes. Menjëherë pas këtij problemi, automjeti që sipas të dhënave paraprake ka bërë vetëm një salto, u izolua në ambientet e Drejtorisë së Policisë të Qarkut Korçë, për t’iu nënshtruar një ekspertize të specializuar nga ekspert të huaj, të cilët do të mbërrijnë në Shqipëri vetëm për zbardhjen e aksidentit të dyshimtë. Ndërkohë, hetuesit po verifikojnë edhe një sërë elementesh të tjerë nga vendi i ngjarjes, që nuk përputhen aspak me rrjedhën e një aksidenti klasik. Madje këto elemente kontradiktorë futën në konflikt ekspertët dhe hetuesit e çështjes, një pjesë e të cilëve nuk pranuan të firmosnin raportin përfundimtar të përpiluar pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, ku thuhej se Kosta Trebicka vdiq në aksident. Të gjitha këto dyshime dhe kundërshti që kanë përfshirë tashmë edhe grupin e hetimit, përforcojnë më shumë tezën e hedhur menjëherë pas ngjarjes, se dëshmitari kryesor i aferës së fishekëve mund të jetë vrarë. Një hipotezë e tillë pritet të vërtetohet ose të rrëzohet nga ekspertët amerikanë, të cilët pritet të marrin në dorë çështjen.
Prokuroria: “Po bashkëpunojmë me policinë”
TIRANË - Prokuroria e Përgjithshme tha se nuk ka asnjë përplasje mes policisë dhe prokurorisë në lidhje me ngjarjen e pak ditëve më parë, ku mbeti i vdekur dëshmitari kyç i aferës së fishekëve, Kosta Trebicka. Prokuroria me anë të një reagimi deklaroi se nuk ka asnjë akt ekspertimi që mund të jetë refuzuar nga prokuroria, duke mos përjashtuar mundësinë se ekspertë të tjerë brenda grupit hetimor nuk kanë pranuar të firmosin akt-ekspertimin. Organi i akuzës rikonfirmoi se grupi i hetimit po punon për zbardhjen e vdekjes së Kosta Trebickës dhe në fund të do të bëjë publike konkluzionet.