Nuk ia prish Serbisë

Udhëheqësi i lëvizjes “Vetëvendosja” në Kosovë, Albin Kurti, në një intervistë dhënë agjencisë shqiptare të lajmeve “INA”, deklaroi se Maqedonia nuk e njeh Kosovën, sepse nuk dëshiron që të prishë marrëdhëniet me Serbinë. “Ka një linjë të fuqishme tradicionale pro Beogradit, që vepron në politikën shtetërore të Maqedonisë. Maqedonia do që njohja e pavarësisë së Kosovës të mos i kushtojë me dëmtimin e marrëdhënieve me Serbinë”, theksoi Kurti. Sipas tij, arsyeja tjetër është që Maqedonia, duke e ditur se qeveria e Kosovës është shumë e dobët, dëshiron që të përfitojë sa më shumë nga Kosova para se ta njohë atë. Lidhur me procesin e demarkacionit të kufirit mes Shkupit dhe Prishtinës, Kurti mendon se qeveria e Kosovës e cila ka deklaruar se ka gjetur një zgjidhje kreative për këtë çështje, duhet t’i ketë dhënë Maqedonisë tokë në ndonjë vend tjetër prej Debëlldehut. I pyetur se çfarë mendon ai për rolin e partive shqiptare në Maqedoni, në funksion të realizimit të Marrëveshjes së Ohrit, Kurti u shpreh: “Marrëveshja e Ohrit ishte rezultat i negociatave, ashtu edhe implementimi i saj është bërë një proces i pafundmë negociues, dhe vazhdimisht në dëm të shqiptarëve. Nuk duket që shqiptarët e Maqedonisë ia kanë parë shumë hairin pluralizmit politik në Maqedoni. Votuesit shqiptarë zgjedhin partinë, që më pastaj zgjidhet nga partitë maqedonase për koalicionin ku partia shqiptare nuk do të pyetet aq”. Ndërsa lidhur me situatën në Mitrovicë, kreu i “Vetëvendosjes” akuzoi sërish qeverinë e Kosovës për mungesën e një zgjidhjeje të situatës atje. “Në vend që të merret me integrimin e Mitrovicës, qeveria merret vetëm me njohjet e pavarësisë së Kosovës (të cilat kanë ngecur dhe nuk varen aq nga ajo) dhe, për më keq, angazhohet për decentralizimin e Anamoravës. Në Mitrovicë, qeveria do të duhej që të mos lejojë që qeveria e Serbisë t’ua blejë tokat shqiptarëve dhe nëse dikush do që ta shesë tokën, ajo të jetë qeveria e Kosovës dhe jo ajo e Serbisë që do t’ia blejë”, - tha Kurti. Sipas tij, rreth 3.000 shqiptarëve që jetojnë në veri do të duhej që t’iu sigurohet arsimimi, shëndetësia dhe transporti falas. Po ashtu, duhet që ata të privilegjohen sa u përket vendeve të punës. “Nëse çdo familjeje i punësohet nga një anëtar në SHPK, do të mund të kishim rreth 500 policë shqiptarë në veri”, - përfundoi Kurti.