E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enkel Demi, sfida e re, DJ me imunitet

TIRANE - Është po ai, Keli i mirë dhe i vërtetë. Nuk fl et me superlativa për veten, tregon detaje sporadike të ndodhura në familjen e tij gjë që ia bën rrëfimin lehtësisht të rrjedhshëm. Babai i dy fëmijëve, Jonit dhe Hanas, gazetari e moderatori i njohur i ekraneve shqiptare, tashmë po provon një tjetër sfidë, të luajë muzikë mbrëmjeve, në një lokal qendror. Është entuziast e nëse ai e bart këtë ndjenjë, padyshim që do ia dalë.
Surprizat e tua s’kanë fund, sa gati na bën të dyshojmë përnjohjen që kemi me ju...Keli moderator, tanimë edhe DJ... Mundte na rrëfeni për këtë “çmenduri” tuajën?
Në fakt, të gjithë mendojnë se jam unë që më ka vajtur mendja për të prezantuar muzikë. Ashtu si reagon ti tani, (plot habi), kam reaguar vetë, kur Blendi Bombaj, mikpritësi i Vila Mercedes më tha që eja ta provojmë. Unë kaloj në radio shumë orë në ditë, por nuk e fsheh që jam çuditur me ftesën. Pranova për të provuar diçka të re, por edhe për të respektuar atë që ideon të premtet e Mercedesit.
Një kalim në TVSH me një shfaqe tënden, mund të na zbuloshdisa detaje se çfarë do të sjellë programi yt i ri?
Është talk show. Ka disa të ftuar brenda një nate. Secili prezanton një pjesë të jetës ose aktivitetit të momentit. Mendoj se nuk është program komercial, ndaj uroj të ketë sukses tek ata që dinë të shohin televizor.
Paralelisht keni dhe një “Makinë me dy timonë”... Si e llogarisni kohën për të gjitha këto? Nuk është e vështirë po të vendosësh zilen në mëngjes.
Te “Mercedes” e premtja do të jetë e juaja, ju do të luani muzikë për ne, e pranoi familja zgjedhjen tënde?
Tani për tani, e premtja do të jetë çdo javë e imja. Kuptohet, nuk kam ndër mend ta mbaj për vete të gjithë këtë eksperiencë. Kemi menduar që herë pas here të ftojmë ndonjë mik ose mikeshën time që t’i lëmë pultin për gjysmë ore apo një orë. Është zbavitje e madhe të bësh këtë punë dhe të shohësh se si “shkunden” të tjerët nën muzikën që ti përcjell.
Familja u nda më dysh. Mesila më tha që mos ta bëj këtë punë. Pothuaj të gjithë miqtë e mi më thanë të njëjtën gjë. Ndërsa, im bir është entuziast. Madje të premten e “premierës”, erdhi më dha një dorë dhe më ka premtuar që të premten e ardhshme do të vij më shokët e shoqet e veta.
Të premten që shkoi luajtët muzikë shumë interesante, për këtë të premte e ke bërë gati listën?
Po punojmë për këngët. Ka pa fund dhe duhet të dish të zgjedhësh. Por, me thënë të drejtën edhe “bar man”-i që ishte në anën tjetër të sallës i kishte duart flori.
Joni, djali yt ishte mes njerëzve të shumtë që të ndoqën me kuriozitet natën e parë, cili ishte komenti i tij?
Komenti i Jonit ishte shumë i këndshëm. I tha të ëmës: “Na u rrit baba, na u bë gjithë ky burrë” (qesh).
Po bashkëshortja si e komentoi performancën tuaj?
Nuk është entuziasmuar ende. Iku shpejt. Por, tani nuk është më kundër si më parë. Duket, meqë na plasi cipa, e ka lënë të rrjedhë historinë.
Në fillim me emocion e pastaj u solle si DJ profesionist në performancë, çfarë ndodhi me ty në fakt?
Filloi zbavitja, njerëzit kaluan ndrojtjen e parë, unë po ashtu. Pastaj, mos harro “bar man”-i ishte në lartësinë e situatës. Ai po që dinte t’i zbuste emocionet.
Çfarë është televizioni për ju?
Është puna ime. Është dita ime. Atje mundohem të fitoj bukën, por edhe të gjej hapësirën për të përcjellë ndonjë vlerë timen. Unë mendoj se zhvillimi i sotëm teknologjik, ka lehtësuar punën tonë dhe e ka afruar me shikuesit, por ka shtuar konkurrencën në mënyrë të frikshme. Duhet të jesh gati për çdo situatë të mirë apo të keqe. Nuk ka më shumë vend për rutinë dhe njëtrajtshmëri. Është një lloj ecje, e cila po u lodhe të rrëzon.
Të qenit DJ është “çmenduria” juaj e fundit apo s’kanë ende të sosur?
Po të më pyesje para një muaji edhe mua do të më dukej çmenduri, por tani më pëlqen. Kam dëshirë ta çoj deri në fund këtë sezon me Vila Mercedes, madje Blendi bën shaka dhe thotë që do i bëj kontratë 5 vjeçare që mos të ma marrin klubet e tjera të natës. E bukur kjo apo jo?
Në fillim të viteve ’90 politika të ka tërhequr më pas e le, pse?
Kemi një politikane profesioniste në shtëpi. Nëse do të komentoja edhe unë apo të bëja talk show-n politik do të ishte “overdose”. Por, nuk jam indiferent, jetoj me intensitet të madh atë që ndodh në vendin tim dhe kur më pyesin përgjigjem.
Cili ka qenë momenti më i keq në televizion?
Kam pasur plot të tillë. Kur kam ikur nga TVA apo Top Channel, kanë qenë momente të vështira, pasi i përjetova edhe personalisht shumë fort, por ka dhe plot të tjera dhe kushedi se sa do të gjejë rrugës.
Po më interesanti në gjithë këto vite?
“Kombinat show” është pa dyshim një projekt, të cilin nuk e lanë të zhvillohej sa duhej, por që mendoj se për herë të parë në Shqipëri solli formatin e talk show. Këto ditë kam lexuar në shtyp që programi im i ri në TVSH do të ngjajë me “A show” të Adit dhe “ Top show” të Albanit. Dhe unë them po, pasi të gjithë këto emisione ngjajnë me “Kombinat show”, një program i imi dhe Armand Shkullakut. Momente të tjera kanë qenë zgjedhjet e 2005 dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës, por edhe në këtë rast them që e ardhmja kushedi se sa gjëra do të më falë rrugës.
Ka pasur momente që jeni ndjerë i lodhur gati për të hequr dorë nga puna?
Shumë shpesh më ndodh. Sa herë u çaj kokën me ankesat e mia atyre që më qëndrojnë pranë. Sa herë uroj të kisha një tjetër aktivitet dhe prapë bëj atë punë që ma sjell ndonjëherë në majë të hundës. Por, kohët e fundit kam zbuluar se mjekët paskan të njëjtin problem, inxhinierët, sipërmarrësit, politikanët. Qenka njerëzore, jo përkëdheli.
Si janë marrëdhëniet me fëmijët tuaj?
Mirë shkojmë. Brenda një ditë përqafohemi, përkujdesemi, grindemi... . Si gjithë të tjerët.
Tani me kaq shumë angazhime sa kohë shpenzoni me ta?
Nuk jam i parimit që punojmë kaq shumë. Ka kohë për të gjithë. Çdo drekë dhe darkë jam në shtëpi. Ne jetojmë si familje tradicionale. Ulemi të gjithë në tryezë, të paktën një herë në ditë. Flasim për atë që ndodh në ditën tonë. Jemi të pranishëm edhe unë, edhe Sila. Më prish pak punë dita e premte, se jam në darkë tek Vila Mercedes, por të shtunën dhe të dielën fitoj kohën e humbur.
E meqë e kemi quajtur “të çmendur” cila ka qenë çmenduria më e madhe që keni bërë në jetë?
Një natë para zgjedhjeve të 2005 e gdhiva tek “Livingroom” me Edi Frangajn dhe Desada Metajn. Kjo e fundit në fakt na është lutur sa më s’ka atë natë ta linim hazdisjen tonë sarhoshe, se kishim transmetim maratonë të nesërmen, por ne ishim kokëfortë. Ndenjëm dy ditë në transmetim pa ndalesë dhe rezistuam, por u betova që në të ardhmen do të bëhesha djalë i mirë. Ja ku jam tani që para çdo transmetimi fle qysh në orën 19.00.
Një slogan i goditur i bluzes qe keni veshur “Imunitet ka veëm Vila Mercedes”, idea juaj ishte e pse?
Kemi vendosur që çdo të premte të kemi një t-shirt me një parullë. Duam të krijojmë një koleksion që më pas t’ua japim edhe atyre që kemi mysafirë. Imuniteti është çështja e ditës. Të gjithë duan ta heqin, por te Mercedes, të gjithë do ta kenë. Është i vetmi ishull në Shqipëri që nuk e vret mendjen për Shtefan Fylen. Nuk e ke parë sa i mërzitur është ai njeri. Po të vinte nja dy të premte tek ne do të ishte plot me energji si publiku ynë i orës 01.00 (qesh). 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›