E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombëtarja shqiptare, pritje madhështore në aeroportin e Luzernës

TIRANE-Kombëtarja shqiptare luan nesër në mbrëmje sfidën e dytë në eliminatoret e Botërorit 2014, përballë Zvicrës. Në Lucernë, në një stadium ku do të jenë të paktën 6 mijë tifozë shqiptarë, futbollistët e drejtuar nga Xhani De Biazi do të mundohen të surprizojnë skuadrën e Otmar Hitcfeld. Ekipit kombëtar i është rezervuar një pritje madhështore në aeroportin e Lucernës, në Zvicër, ku kanë qenë afro 1 mijë tifozë shqiptarë, me flamuj kuqezi. Një atmosferë që ka elektrizuar jashtë mase futbollistët.

Ndërkohë, gjatë konferencës së fundit për shtyp, dhënë mbrëmë në Lucernë, trajneri i kombëtares shqiptare Xhani De Biazi nuk ka zbuluar thuajse asnjë detaj për formacionin. Tekniku kuqezi e ka bërë të qartë se do të luajë me një sulmues të vetëm, por ende nuk e ka vendosur emrin e tij. Si Bogdani, ashtu edhe Çani, Salihi apo Sadiku, duken të barabartë për një vend titullari. “Zvicra, Sllovenia e Norvegjia janë favorite për t’u kualifikuar. Nëse ne arrijmë të katërtit, do të jetë një rezultat i mirë, - deklaroi De Biazi. – Ne do të japim maksimumin për tifozët tanë. Shqipëria aktualisht nuk ka ndonjë superlojtar, por ka shumë lojtarë të mirë, ndërsa atyre shqiptarëve që zgjedhin vendet e tjera, duke mohuar kombin e tyre, them se duhet t’u vijë turp”, tha më tej trajneri italian, duke ndezur atmosferën.

(d.b/A.latifi/BalkanWeb)

Lidhje te tjera Pesë shqiptarët e Zvicrës: Do këndojmë të 2 himnet Tifozat shigjetojnë shqiptarët që luajnë me Zvicrën-FOTO Majko: Turp, kush shan 5 futbollistët shqiptarë të kombëtares zvicerane

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›