E Hënë, 2 Nëntor 2026

Enrico Barduani merr zyrtarisht detyrën si komandant i ri i KFOR

Gjeneralmajori i ushtrisë italiane, Enrico Barduani, ka marrë zyrtarisht detyrën e shefit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Barduani, njohës i mirë i rajonit të Ballkanit, ka marrë detyrën e re, duke pasuar gjeneralmajorin e ushtrisë turke, Ozkan Ulutash.

Ky i fundit, gjatë dorëqzimit të komandës së KFOR, u shpreh se situata në Kosovë është e brishtë.

“Gjatë këtyre 25 viteve anëtarët e komunitetit ndërkombëtar kanë rezultuar në siguri publike në përmirësimin e marrëdhënieve dhe për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët. Ne dëshirojmë të tregojmë se ofrojmë paqe”, deklaroi ai.

Ulutash theksoi se KFOR përkrah plotësisht dialogun Kosovë-Serbi, si platformën e vetme për zgjidhje të të gjitha mosmarrëveshjeve mes dy palëve.

Nga ana e tij, Barduani u shpreh se periudha që po kalon Kosova, është disi problematike. Ai siguroi se KFOR-i do të vazhdojë të luaj rolin në mënyrë të paanshme në përputhje me rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244, dhe se do të vazhdojë të mbajë një mjedis të qetë dhe të vendosë kushtet të cilat diplomacia dhe politika do të gjejnë zgjidhje afatgjate për të mirën e popullit dhe të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Në ceremoni morën pjesë krerët më të lartë të shtetit, përfshirë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.

Në fjalën e saj, presidentja Osmani u shpreh se qytetarët dhe institucionet do të bashkëpunojnë ngushtësisht me KFOR dhe partnerët ndërkombëtarë që të garantojnë siguri.

 “Fëmijët tanë janë gjenerata e parë në historinë e kombit tonë, që nuk e njohin luftën. Duke punuar së bashku, le të sigurohemi që do të vazhdojë të jetë ashtu”, deklaroi Osmani.

Në fjalën e saj, presidentja u ndal dhe në sulmin e Banjskës, si një ndër sfidat e shumta që ka kaluar Kosova në 25 vjetët e fundit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›