Enti i Plehut
Pas sukseseve gjigante në politikën e brendshme dhe të jashtme Qeveria e Kosovës, më në fund, merr vendim për themelimin e Entit të Plehut, i cili tani e tutje do të administrojë sukseset dhe do të komunikojë drejtpërdrejt me publikun. – Një parodi e vogël për krimet dhe marrëzitë e mëdha
Dalëngadalë po ikin pushimet verore. Me energji të reja njerëzit vërsulen jo drejt vendeve të punës, por nga plazhi i Durrësit, Shëngjinit, Velipojës, Ulqinit, Vlorës, Sarandës e Dhërmiut zhvendosen në kafehanet e Prishtinës dhe të qyteteve të tjera të Kosovës. Shumica nuk kanë punë, ndërsa ata që kanë punë së paku gjysmën e orarit të punës e kalojnë duke përzier makiato nën hije të ndonjë lisi që ka mbetur ende pa u prerë.
Gjithë këta njerëz që vegjetojnë në këtë amulli të përgjithshme duan të jenë të informuar si janë punët, çfarë i pret, kur do të hyjmë në Evropë. Pyetje përtej pyetjeve. Njerëzit duan të dinë si janë punët e shtetit dhe punët e shoqërisë në përgjithësi. Meqë zgjedhjet lokale po afrohen, shpendët grabitqarë të pushtetit kanë bërë planin, të cilin e ka miratuar Qeveria menjëherë, madje pa debat: nga sot e tutje në kuadër të qeverisë së Kosovës do të punojë me orar të plotë (domethënë 24 orë!) Enti i Plehut.
Deri më tani qeveria nuk kishte zëdhënës një rekord tjetër i saj në kuadër të qeverisjes së mirë. Natyrisht qeveria është ndier tepër keq që nuk ka pasur zëdhënës me vite të tëra dhe rrjedhimisht nuk e ka informuar publikun kurrë si duhet për punët e saj madhështore në favor të popullit të Kosovës. Me ndjenjë të pakufishme faji tash Qeveria po e përmirëson gabimin duke e themeluar Entin e Plehut. Për këtë kanë menduar vizionarët dhe tredhësit e mizave në emër të miqësisë me miqtë tanë ndërkombëtarë. Qëllim i këtij alamet enti është që qeveria, ministrat e zëvendësministrat, deputetët qeveritarë dhe ata si biçim opozitarë me një fjalë të gjithë ata që i falen Allahut dhe ata që i falen nganjëherë edhe kokainës të jenë sa më afër popullit, afër halleve dhe shqetësimeve të tij. Gju më gju dhe gji më gji me popullin.
Pa pyetje
Një zyrtar i Entit të Plehut, në të shumtën e rasteve ministri për menaxhimin e rrenave dhe çelësave të burgjeve, Hallvashitës Kavalli, do të dalë çdo ditë në orën 18:00 para medieve dhe do të tregojë për punën gjigante që ka bërë qeveria dhe administrata e saj e përbërë prej tezeve dhe kushërinjve, kumbarëve dhe dajallarëve, shokëve të luftës dhe shokëve të tenderëve të pasluftës. Shurdhmemecët do të dëgjojnë me vëmendje.
Askush nuk do të bëjë pyetje turbulluese. Sepse nuk do të ketë arsye të bëjë as pyetje turbulluese, as kritike. Enti i Plehut do të njoftojë me saktësi, qartësi, sinqeritet, marifet për të arriturat e përditshme të qeverisë. Fundja, qeveria është zgjedhur për këtë qëllim: ti shërbejë miletit, të sakrifikohet për të. Asnjë ministër nuk do të thoshte se këtë punë po e bën për qejf. Jo. Jo! Punë të tilla bëhen nga dëshira për ti shërbyer popullit, për të luftuar varfërinë dhe për të hapur fabrika, për të mbështetur bujkun dhe për të ngritur industrinë.
Enti i Plehut do të na tregojë se çdokush që ka qejf dhe kohë mund ta shpallë komunë çdo lagje, fushë apo arë të Kosovës. Ceremoninë e promovimit të komunës së re do ta organizojë Enti i Plehut, duke mbuluar të gjitha shpenzimet, përfshirë blerjen e disa plisave që do tu vendosen në kokë fëmijëve të manipuluar për interesa politike, blerjen e shamive për vajzat dhe më e rëndësishmja blerjen e luleve për shefin e Entit të Plehut, Hafif-Hyzmetçi Thashethemexhiun, i cili është veshur me kostum të kohës së lirë dhe tund duar dhe sheh koka që fluturojnë qiellit. Mileti do të kënaqet duke pirë limonadë nga gotat e plastikës dhe do të vallëzojë nën zhurmën e daulles.
Shamponi dhe librat
Enti i Plehut do të merret edhe me latimin e imazhit të shefit. Specialistë të entit rrenën do ta shndërrojnë në të vërtetë, mashtrimin në zotim, dredhinë në premtim të besueshëm, keqtrajtimin në ledhatim, terrorin verbal në qetësi, përrallën në rrëfim të vërtetë, shpifjen në fjalë nderi. Enti i Plehut do të shkruajë lajme taze për media, sidomos për televizionin publik, me çrast do të dominojnë lajmet për jashtëtokësorët, kuajt e mbushur me helium, pelat fluturuese dhe mushkat lozonjare.
Enti i Plehut do të bashkëpunojë ngushtë edhe me medie ndërkombëtare dhe do të ndikojë që gazetarët e huaj, pasi të dehen me disa gota raki, ta përshkruajnë plehun si flori. Ndonjëri gazetar perëndimor do të ledhatohet edhe me një copë honorar në emër të pjesëmarrjes apo moderimit të konferencave për sukseset e Entit të Plehut në fushën e zhvillimit ekonomik, ecjes me hapa gjigantë drejt Avrupës. Etj. Etj.
Enti i Plehut do të organizojë darka e dreka për pensionistë politikë nga Avrupa, të cilët do të shkruajnë broshura për sukseset e pafundme të shefit të Entit të Plehut dhe (bashke)punëtorëve të tij. Këto broshura pastaj Enti i Plehut do ti blejë me para të gatshme. Pensionisti politik Deniz MacShampoo, për shembull, do të shkruajë – me honorar nga buxheti i Kosovës – vëllimin e tretë të fabulave të tij për sukseset e qeverisë.
Enti i Plehut do të shkruajë edhe fjalime për shefin. Aso fjalime që do të jenë kënaqësi estetike për dëgjues e lexues. Enti do ta botojë edhe kompletin e fjalimeve të shefit në dy milionë ekzemplarë. Në frontespic do të shkruhet me shkronja të arta: VEPRA. Kompleti i veprave (fjalimeve) të shefit do të shpërndahet gjithandej, falas. Enti i Plehut do të ketë edhe një webfaqe (www.plehu.ks), ku opinioni i gjerë dhe i ngushtë do të njoftohet mbi sukseset e qeverisë. Webfaqen do ta mirëmbajë kush tjetër pos zyrtari i lartë i Entit të Plehut, Sokol Saçma, i mësuar dhe i ushtruar për të mbajtur çfarë ti urdhërohet – me të dy duart dhe jo vetëm.
Enti do të ofrojë shërbime interaktive. Për anëtarë të partisë do të organizojë kurse falas për mjelje në Republikën e drejtuar nga punëtorët e Entit të Plehut, ku plehu më i madh sbëhet në ahure, por në zyra qeveritare. Enti i Plehut do të organizojë edhe kurse për përdorimin e kallashnikovit kurse këto që do të ndiqen vetëm nga pinjollët e sundimtarëve. Të parët që u furnizuan me kallashnikovë ishin të bijtë e Shën Adam Gabelit. Pastaj hazërxhevapi Sokol Saçma do të shkruajë një kolumne, ku do të mbrojë të drejtën që secili anëtar i partisë së Adam Gabelit të ketë kallash. Kolumna do të botohet me titullin: Me kallash drejt Brukselit.
Trëndafila mbi pleh
Enti i Plehut do të ketë përfaqësi në çdo fshat e lagje, në çdo qytet dhe në çdo grumbull shtëpish në biçim qyteti. Enti i Plehut është
