Entuziaste pjesëmarrja në votime në Shkodër e gjithë Shqipërinë

(E plotësuar) Kandidatja për deputete në Shkodër, Jozefina Topalli, theksoi sot se “në qarkun e Shkodrës pjesëmarrja në votime është më e lartë se katër vite më parë”.
Topalli u tha mediave se “kjo më bën të ndihem optimiste dhe natyrisht jo vetëm në Shkodër, por edhe në të gjithë Shqipërinë ka një pjesëmarrje të madhe, pasi ka një përgjegjësi të madhe për të ecur përpara në katër vitet e ardhshme”, bën të ditur noa.
“Ne kemi bërë çdo përpjekje dhe ajo që kemi bërë në Shkodër gjatë fushatës është gjëja që më inkurajon më shumë, më bën të mendoj se Shkodra mund të zgjedhë edhe mandatin e tetë, por le të presim rezultatin. Unë e shoh me shumë optimizëm këtë pjesëmarrje të qytetarëve të Shkodrës, të cilët nuk pranojnë të kthehen mbrapa , por ata kërkojnë që të jemi civilë, qytetarë që të ecim përpara për një Shqipëri të zhvilluar, të integruar dhe shumë punësim”, theksoi Topalli.
Në tërësi, vijoi Topalli, procesi i votimit është normal. “Në të gjitha qendrat vazhdon votimi me qetësi e përgjegjshmëri të lartë për rëndësinë e madhe të kësaj dite, sepse secili është i ndërgjegjshëm, i përgjegjshëm dhe vetëdijshëm se sot vendoset për vitet e ardhshme të jetës së tyre dhe familjes së tyre”, u shpreh Topalli.
-----
Tiranë, Indeskonline - Tirana duket e qetë me një diell që e përballon në të dielën e votimit. Disa janë zgjuar herët që të kryejnë obligimin qytetar që të votojnë. Deri në orën 13:00 sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë dalë në votime 34 për qind e votuesve.
“Votova herët në mëngjes që të mund të shkoj në plazh tashti”, ka thënë Klodi Deçka.
Ndërkq, sipas Koalicionit Vëzhgues Vendor të zgjedhjeve në Shqipëri, i përbërë nja një grup organizatash jo-qeveritare, dalja e votuesve në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 në nivel vendi ka qenë e lartë. Deri në mesditë ka votuar 23 % e trupit elektoral.
Shumica e lokaleve shohin raportimet e televizioneve për procesin zgjedhor, përderisa një pjesë po e injorojnë këtë ngjarje kulminante politike sikur të ishte e diel e zakonshme.
Gazetat nacionale kanë bërë thirrje për të dalë sa më shumë në votime përderisa ato janë pozicionuar publikisht në thirrjet e tyre për të votuar Berishën ose Ramën.
Gazeta Panorama ka raportuar për shkelje të heshtjes zgjedhore nga Rama. Ndërkaq gazeta 55 ka dalë me titullin “Voto të vërtetën, Berishën”. Ndërkaq Shekulli dhe Shqip kanë bërë thirrje për të kundërtën. “Shqip” i datës 23 qershor është botuar me titull “Rtacion?”./Indeksonline/
-----
14:32 - Zëdhënesja e PD-së Laura Vorpsi, denoi deklaratat e Edi Rames dhe Ilir Metes për vrasjen e Lacit.
Ajo tha se ata janë aq të etur për pushtet sa harruan të ngushëllojnë familjarët e viktimës.
“Politikanet e nekro politikes vrapuan te nxjerrin kapital politik me ngjarjen tragjike të Lacit, një akt i paster terrorist ndaj kandidatit te Partise Demokratike, Mhill Fufi. Politikanet e nekro politikes harruan të shprehin ngushellime publike per familjen e viktimes dhe të permendin plagosjen e kandidatit te PD dhe të afërmit te tij nga persona, mbeshtetes dhe perkrahes te PS dhe aleateve të saj, disa prej te cileve shkuan nga Tirana për motive te paqarta”, ka thënë ajo.
Partia Demokratike i shpreh ngushellimet familjes se viktimes dhe i uron sherim te shpejt kandidatit per deputet Mehill Fufit dhe te afermit te tij, Kastriot Fufi.
Partia Demokratike denon me ashpersi cinizmin, papergjegjeshmerine dhe thirrjen per dhune te çiftit Rama –Meta, qe te etur per pushtet shpallin se jane te gatshem me cdo mjet te permbysin qeverine demokratike.
Ora 13.50 Ministria e Brendshme reagon për ngjarjen e Laçit
Ministria e Brendshme i konsideron të papranueshme sulmet e përseritura nga drejtues të opozites ndaj Policisë se Shtetit.
“Uniformat blu kane qenë dhe janë te vendosura në mbrojtje te Ligjit, Rendit dhe Sigurisë publike dhe të angazhuara 24 ore në 24 per mbarevajtjen e procesit zgjedhor.Policia e Shtetit po punon per zbardhjen e ngjarjes se rende te ndodhur ne Lac dhe per cdo ngjarje tjeter”, thuhet mes tjerash në këtë reagim.
Reagon Bumçi: Opozita mos bëjë rolin e gjykatësit, të ulen gjakrat
Per ngjarjen ne qytetin e Lacit ka reaguar edhe kandidati i Partise Demokratike ne Qarkun e Lezhes Aldo Bumci, i cili ka kerkuar nga opozita qe te mos beje rolin e gjykatesit dhe prokuroreve dhe te ulin gjakrat duke ia lene ne dore organeve kompetente zbardhjen e ngjarjes. Bumci ka akuzuar te majtet se po bejne perpjekje per te blere voten e qytetareve.
-----
12: 01- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka votuar në orën 10.00 qendrën 17 66/2 në shkollën “Andon Zako Çajupi” , shoqëruar nga bashkëshortja e tij Odeta dhe djali i tyre, që voton për herë të parë.
Për presidentin e vendit, kjo është një dite tërësisht e qytetarëve.
“Ftoj shqiptarët të tregojnë maturi, qetësi, përgjegjësi civile duke votuar masivisht, duke respektuar maksimalisht rregullat e votimit, komisionerët dhe administratën zgjedhore, duke respektuar rendin në gjithë vendin e qendrat e votimit” tha Nishani.
Ai ne mënyrë të veçantë ka uruar ata që votojnë për herë të parë, duke thënë se ata në familje kane një votues për herë të parë, djalin.
“U them, paçin dorën e mbarë për fatet e vendit”, tha Nishani.
Ai ka uruar që të mos shënohen incidente. “U bëj apel qytetarëve dhe u kujtoj që partitë dhe ideologjitë janë të ndryshme, por Shqipëria dhe e ardhmja e saj është një. Qetësi, maturi, ne votojmë për parti të ndryshme por jemi të gjithë një, shqiptarë”, tha ai
Dy liderët e së majtës, Rama dhe Meta kanë dënuar ngjarjen e rëndë në Laç. Ata bëjnë përgjegjës kryeministrin Berisha, i cili, siç thonë ata ka qenë të paralajmëruar. Rama dhe Meta u shprehen se nuk do të lejojnë që këto akte kriminale të manipulojnë rezultatin e zgjedhjeve.
“Dje në mesnatë Unë kam qenë në qytetin e Lezhës dhe kam takuar disa mbështetës të LSI, të cilët ishin sulmuar nga banditë të PD-së. Po ashtu kam takuar drejtorin e Policisë së Lezhës dhe drejtorin e Policisë së Përgjithshme, Burgaj dhe kam kërkuar që policia jo vetëm të distancohet nga aktet e dhunshme, por të marrë masat për mos derdhje gjaku. Policia është vënë në funksion të qeverisë në funksion të manipulimit të zgjedhjeve”.
“Sali Berisha duhet ta dijë mirë këtë histori, me bandit e me gjak nuk qëndron dot në pushtet, ne jemi këtu për të shmangur incidentet. Sali Berisha nuk është më kryeministri i shqiptarëve. Ai nuk do të qëndrojë në pushtet me gjak. Nuk i mbron dot banditët e tij . ne kemi marrë të gjitha masat që në të gjithë Shqipërinë të votohet”, tha Meta në Laç.
Ndërsa, Edi Rama ka thënë se drejtori i Policisë duhet të ndahet përfundimisht nga ky flirt i patolerueshëm me forcat kriminale dhe ta ndajë policinë nga ky bashkëpunim duke e vënë në shërbim të qytetarëve dhe zgjedhjeve.
“Është një domosdoshmëri, sepse e kemi hasur këto orët e fundit një përpjekje të tillë, sepse ata e kanë kuptuar që edhe veriu do të vendosë bashkë me pjesën tjetër të vendit për ndryshim. Fatkeqësish ka pasur humbje jete të pafajshme. Por edhe tani që po flasim, policia nuk është ende në krye të detyrës dhe forca kriminale me mbështetjen e policisë së shtetit, janë hedhur në një operacion në orët e para të mëngjesit”.
“Megjithatë, ne jemi këtu për të apeluar pjesëmarrje, pjesëmarrje, pjesëmarrje pasi nuk ka asgjë që ndryshon fatin e këtyre zgjedhjeve dhe jemi të vendosur e të organizuar kudo për të mbrojtur çdo votë.
Këto janë përpjekje për të trembur njerëzit, për të larguar nga kutitë qytetarë, për të diktuar një vullnet që është minoritar dhe nuk mund t’i kundërvihet vullnetit të popullit shqiptar. E pra, edhe njëherë: Qetësi, pjesëmarrje, durim edhe në radhë të gjata. Kudo nëpër Shqipëri kemi informacion se ka derdhje të njerëzve, edhe këtu në Laç, edhe këtu në zonën e Kurbinit ne do të garantojmë votën e popullit. Ju lutem qytetarëve të dalin familjarisht në votim se nuk ka forcë që të ndalë votën e tyre”, tha Rama në Laç.
-----
11:54 - Ministri i jashtëm suedez, Karl Bildt, ka komentuar zgjedhjet e sotme parlamentare qe po mbahen në Shqipëri.
Sipas tij, sjelljet në votime do të jenë të rëndësishme, dhe se zgjedhjet duhet të jetë të lira dhe të ndershme.
“Shqipëria sot po voton. Sjelljet do të jetë të rëndësishme. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, janë një shenjë dalluese e një vendi të vërtete evropian”, ka shruar Bild në Twitter.
----
11:18 - “Votova 44-ën, preka fatin! Ishte një ndjenjë kënaqësie që më pushtoi, e pandjerë më parë, ndaj edhe i ftoj të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në votime dhe të votojnë në mënyrën më të qytetëruar. I ftoj të votojnë për alternativen që ata e gjykojnë si më të mirën”.
Kështu është shprehur Kryeministri Sali Berisha publikisht për mediat, menjëherë pasi ka kryer aktin e tij të votimit, në qendrën e votimit pranë Liceut Artistik në Tiranë.
Duke shtuar se “këto zgjedhje janë përcaktuese për 4 vitet që vijnë, për mirëqenien, integrimin në BE dhe punësimin e tyre”.
“Edhe njëherë, uroj më së pari, ata që votojnë për herë të parë. Votë të bekuar kanë ata, sepse firmosin sot me votën e tyre, Shqipërinë e katër viteve që vijnë.
Falënderoj edhe emigrantët shqiptarë që kanë ardhur nga të katër anët e botës për një akt madhor, përgjegjësie dhe patriotizmi ndaj Shqipërisë.
Si edhe gjithë të rejat e të rinjtë, qytetarët e këtij vendi për aktin e tyre të përgjegjshëm politik dhe atdhetar që po kryejnë. Ta shndërrojmë këtë ditë, në një ditë feste dhe mirëkuptimi”, ka qenë një mesazh tjetër i lançuar nga Kryeministri Sali Berisha menjëherë pas votimit.
-----
09:05- Incident i rëndë në një qendër votimi në qytetin e Lacit. Raportohet se ka pasur të shtëna armësh në një qendër votimi, ndërsa dyshohet se si pasojë e të shtënave ka mbetur i vdekur një person dhe tre të tjerë janë plagosur.
Policia bën me dije se incidenti ka ndodhur para ambienteve të qendrës së votimit tek gjimnazi ‘At Shtjefen Gjeçovi’.
Ndërkaq hetimet kanë nisur për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
-----
Ka nisur procesi i votimit për të zgjedhur ata që do të na qeverisin katër vitet eardhshme.
Në orën 7.00 u hapën Qendrat e Votimit, ku pritet të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur 3.271.885 zgjedhës, shifër kjo e nxjerrë nga regjistrimi kombëtar elektronik. 19 qendra të posaçme votimi janë ngritur dhe në burgje për 5000 te dënuar dhe paraburgosur që zgjedhjet i gjejnë në qeli. 150.000 është numri i votuesve që votojnë për herë të parë.
Kryetarja e KQZ-së, zonja Lefterie Lleshi hapi në mënyrë simbolike një qendër një qendër votimi në Tiranë rreth orës 07:10.
"I bëj thirrje shqiptarëve të votojnë masivisht, të lirë dhe në fshehtësi. Gjithashtu i bëj thirrje komisionerëve të kryejnë detyrën sipas Kodit Zgjedhor dhe të lenë mënjanë ndikimet politike", u shpreh Lleshi për mediat pas votimit.
Vendi është i ndarë në 12 qarqe. Të regjistruar si subjekte elektorale janë 66 parti dhe dy subjekte të pavarur. Subjektet politike jane grupuar në dy koalicione: "Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim", e drejtuar nga Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha dhe "Aleanca për Shqipërinë Europiane", e drejtuar nga Partia Socialiste, me kryetar Edi Ramën. Qarku i Tiranës do të nxjerrë numrin më të madh të deputetëve 32, kurse ai i Kukësit numrin më të vogël, 4 deputetë, transmeton tch.
Në këtë proces zgjedhor ka një numër më të lartë të komisioneve në të gjithë piramidën elektorale. Po ashtu, ky është edhe procesi më i vëzhguar nga ndërkombëtaret dhe organizatat në vend. Monitoruesit vendas janë rreth 8 mijë, ndërsa ata të huaj rreth 1 mijë, në përputhje me rëndësinë që procesi elektoral i së dielës është konsideruar nga ndërkombëtarët si tejet të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në BE.
Policia njofton se ka marrë në ruajtje 5.508 Qendrat e Votimit në të gjithë territorin e vendit dhe se në këtë aksion janë angazhuar 6200 policë.
Po ashtu edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se është realizuar me sukses shpërndarja e materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit në 89 Zonat e Administrimit Zgjedhor. Kryetarja e këtij Komisioni i bëri apel komisionerëve në të gjithë vendin që të bashkëpunojnë./Indeksonline/