E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enxhi provokon Seldin: Domenika bën lojë, ska ndjenja

Ndonëse ka vetëm pak orë që ka hyrë, Enxhi, të cilën banorët e kujtojnë konkurrente, ka filluar të përmbushë misionin e saj. Seldi kërkon mendimin e saj se si perceptohet nga jashtë lidhja e tij me Domenikën, ndërsa ajo i thotë se ai duhet të bëjë më shumë lojë për vete, se ka mbetur në hije

Menjëherë pas spektaklit, banorët kanë filluar të sqarohen me njëri-tjetrin për situata të krijuara apo mendime të shprehura në dhomën e rrëfimit. Bertina tenton të sqarohet me Erionin për marrëdhënien e tij me Oltën, ndërkohë që nominimet e kësaj jave nuk kanë kaluar në heshtje. Graciela ka qenë e mërzitur, ndërsa Klodi komenton sjelljen e banorëve ndaj tij.

Bertina, e zemëruar me Erionin

Bertina është e mërzitur me ngjarjet dhe përballjen që ndodhi gjatë spektaklit mes saj, Erionit dhe Oltës. Ajo shprehet se nuk i pëlqejnë gjërat e pasinqerta, por Erioni ia kthen se nuk kishte asgjë jo të sinqertë në këtë mes, ndërsa Miri mendon se ndonjëherë gjërat shihen ndryshe në spektakël. Bertina ia kthen se ato që pa në klip ishin të vërteta, por ato që i ishin thënë asaj ishin komplet ndryshe nga ato që ndodhën realisht. Erioni dhe Bertina mbeten vetëm dhe ajo i thotë në vazhdim të bisedës se një shoqeje nuk i thuhet “të dua”, por ai ia kthen që ta lërë rehat se nuk ia ka qejfi për grindje. Miri përfshihet sërish në bisedë dhe i këshillon që të mos sqarohen përmes gardhit tani e t’u japin kënaqësi të tjerëve, sepse përpara kanë një javë të tërë për sqarime, por Bertina i thotë se nuk mund të bëjë rolin e indiferentes kur diçka nuk shkon me të.

Biseda për nominimet

Biseda më e preferuar për banorët është komentimi i nominimeve. Olta shprehet se më e mira që i ndodhi këtë natë është se mori vesh se ka më shumë kundërshtarë nga sa priste, por shton se nuk mërzitet për këtë gjë. Banorët flasin edhe me Klodin për t’i dhënë kurajë dhe këshilla se si të marrë këtë javë në nominim. Domenika shprehet se atë e kanë nominuar sepse nuk e kanë kuptuar tipin e tij dhe se ia kanë frikën për këtë gjë. Vetë Klodi thotë se nuk do ta vrasë mendjen dhe se nuk ka për të ndryshuar sjellje sepse është diçka jo shumë e vështirë dhe shprehet se në jetë ka kaluar më shumë vështirësi, ndaj di t’i përballojë ato. Në kopsht bëhet po e njëjta bisedë. Ada shprehet se nuk e mendonte se Olta nuk do dilte në nominim dhe si ajo dhe Miri shprehen se e nominuan atë. Ada shkon të bisedojë edhe me Gracielën dhe i tregon se e ka nominuar dhe arsyen sepse e nominoi. Graciela shprehet se nuk e priste prej saj, pasi në shtëpi kishte persona të tjerë që e meritonin nominimin në vend të saj. Olta diskuton me Bledin për Klodin dhe ai mendon se kanë qenë banorët e tjerë që nuk e kanë pranuar atë në shoqëri, qoftë kjo për arsye xhelozie apo kompleksiteti në mentalitet. Sipas tij, edhe Klodi këtë gjë e ka kuptuar ndaj e ndjen veten të mënjanuar. Bledi mendon se kjo sjellje e banorëve kundrejt tij apo edhe nominimi duket sikur po e shtyjnë atë drejt negativitetit e shton se për këtë gjë i vjen keq. Ata nuk harrojnë të flasin edhe për Renaton dhe shprehin keqardhjen që ai doli kaq shpejt.

Bertina kërkon sqarime nga Erioni

Bertina i kërkon Erionit që të sqarohen. Në kopshtin e ndarë nga gardhi, ajo i thotë Erionit se ai nuk i ka treguar të vërtetën për bisedën me Oltën. Erioni e kundërshton dhe i kujton se kur u pyet nga opinionisti pranoi se Bertinën e ka më shumë shoqe. Erioni vazhdon duke thënë se mes tij dhe Oltës nuk ka asgjë. Bertina shprehet se është treguar e sinqertë me të dhe Erioni ia kthen se i tillë është treguar edhe ai. Bertina fillon të qajë dhe shprehet se po shfryhet, sepse i vjen inat me veten dhe nuk pranon të flasë. Bertina e pyet nëse ai po luan? I habitur, Erioni i thotë: “Do që të ta vërtetoj që nuk po luaj?”. Bertina pohon. “Atëherë po bëj gati valixhet”, shprehet ai dhe largohet. Bertina ngrihet dhe i thërret, por Erioni futet në shtëpi. Më pas, Bertina i thërret Mirit dhe ia tregon me pak fjalë ç’ndodhi dhe i kërkon që të shkojë tek Erioni e ta qetësojë. Miri i thotë atij që duhet t’ia tregojë me fjalë Bertinës të vërtetën dhe arrin ta bindë. Pasi qetësohet, Erioni del të vazhdojë bisedën me Bertinën. Ajo pranon që Erioni t’ia tregojë me kalimin e kohës se nuk po bën lojë dhe dy të rinjtë duket sikur sqarohen.

Sjellja e banorëve dhe afrimiteti

Hakiu diskuton me Klodin dhe Domenikën për banorët e rinj. Ai shprehet se ka bërë gabim që nuk i ka afruar edhe më shumë gjatë javës së kaluar, duke argumentuar se atyre duhet t’u jepet më shumë mundësi dhe kohë që të shfaqin veten. Duke diskutuar për qëndrimin në shtëpi, Hakiu tregon se ka hyrë me idenë që të qëndrojë gjatë aty. Klodi shprehet se dhe ai ka hyrë shumë krenar në lojë, por kjo nuk duhet, pasi e gjitha është një lojë dhe krenaria e tepërt mund të sjellë pasoja negative. Bledi bashkohet me ta në bisedë dhe shprehet se me Kikën nuk kanë pasur shumë mundësi për të biseduar. Ai shprehet se ka vënë re se Kika është më shumë aktiv në drejtim të pastërtisë sesa të debateve, të paktën për sa kohë ai është në shtëpi dhe e ka vënë re.

Njohja me Enxhin, fillimi i lojës

Banorët kërkojnë që të njohin banoren më të re, Enxhin, duke i bërë shumë pyetje. Ajo u tregon në vija të përgjithshme jetën e saj: më parë është marrë me basketboll, studion për juridik dhe tani punon në një revistë si drejtore marketingu. Banorët komentojnë shprehjen e saj në klip dhe Enxhi shprehet se i pëlqen që vajzat t’i ketë armike, sepse mund të merret me to, ndërsa djemtë i pëlqejnë shumë. Më pas, ndërsa qëndrojnë vetëm, Seldi e pyet Enxhin se si duket nga jashtë lidhja e tij me Domenikën. Ajo i tregon se Domenika, në ndryshim prej tij, ka tërhequr më shumë vëmendjen, sepse ajo ka në plan të parë lojën e pastaj ndjenjat. Ajo i thotë gjithashtu se ai bën gabim që i shkon gjithnjë nga pas dhe bën lojën e saj. “Nuk dua që t’i jepni fund, sepse ndjenja është e bukur”, shprehet ajo dhe insiston që ai të mos bëjë lojën e saj. Enxhi i tregon se Domenika e kishte parë shtrembër, ndërsa ajo bisedonte me Seldin dhe thotë se nuk ia ndjen fare për këtë gjë. Do të largohet vetëm nëse Seldi ia kërkon këtë, për të mos krijuar keqkuptime me Domenikën, por ai i thotë ta harrojë këtë. “Unë nuk e di nëse është lojë apo ndjenjë, por njerëzit kështu flasin”, i përgjigjet ajo Seldit kur e pyet nëse mendon se është lojë apo jo. Seldi insiston me pyetjet e tij për imazhin që ka krijuar dhe ajo i përsërit se para se të lidhej me Domenikën, ai ishte në qendër të vëmendjes, kjo edhe për faktin se kureshtja i shtynte njerëzit të shihnin nëse ai do të arrinte të krijonte lidhje me Domenikën. Seldi duket shumë i menduar, ndërsa Enxhi shton se ai duhet të presë që edhe Domenika të reagojë e të shkojë tek Seldi, jo vetëm ai tek ajo. “Nëse mua më sheh si rrezik, le të vijë e të luftojë për ty se këtu tregon që ndjen për ty”, shprehet ajo dhe përfundon duke thënë se ai ka hyrë për lojën e vet e këtë gjë duhet ta ketë parasysh gjithnjë.

Olta: “Erioni nuk është preferenca ime”

Bledi ngacmon Oltën në lidhje me ndjenjat e saj për Erionin. Ai shprehet se ka kuptuar se ajo ka pak dobësi për të, por Olta e kundërshton dhe thotë se asnjë nuk e ka kuptuar, por ajo s’ndjen asgjë për të. Ajo i justifikon banorët dhe thotë se ndoshta janë gabuar duke parë reagimet e Bertinës kundrejt saj. Olta tregon se gjatë kësaj jave Erioni nuk i është afruar fare që nga dita kur kaloi gardhin. Bledi i thotë se ajo është natyrë provokuese dhe ka parë sjelljen e saj me Erionin, ndaj edhe mendon kështu. Olta ia kthen se Erioni nuk bën pjesë në preferencat e saj dhe i duket tip i paqëndrueshëm ose ndoshta e bën për lojë, ndërsa për Bertinën mendon se ajo nuk e shpreh xhelozinë me fjalë, por me vepra. “Bertina është kthyer në viktimën e Erionit”, ka thënë ajo.

Seldi për lidhjen e tij

Bledi e shikon Seldin që ka filluar të qëndrojë shpesh me Enxhin dhe e ngacmon në lidhje me këtë gjë. Ai i përgjigjet se ka vetëm një person në këtë shtëpi, duke nënkuptuar Domenikën. Seldi i thotë se edhe pse është i lidhur, kjo nuk do të thotë se duhet të qëndrojë veç me të, por edhe të bëjë lojën e tij. Seldi vazhdon të flasë se edhe nëse lidhja me Domin nuk i ecën, ai nuk do kërkojë asgjë tjetër nga vajzat e tjera. Më pas pranë tyre kalon Rezarta dhe Seldi shprehet se fiziku i saj i pëlqen më shumë se i të gjithë vajzave të tjera dhe këtë gjë e pohon edhe Bledi.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›