Kryeministri Brown akuzohet për keqtrajtimin e stafit
Kryeministri britanik, Gordon Brown, është mbrojtur nga akuza se ka keqtrajtuar, verbalisht dhe fizikisht, anëtarët e stafit të tij, siç shkruhet në një libër të gazetarit britanik, Andrew Rawnsley. Aty ai trajtohej si një shef i dhunshëm me karakter të keq, që jo vetëm nuk i toleronte vartësit e tij, por shkonte edhe më tej, duke përdorur dhunën. Në një intervistë ekskluzive dhënë për “Indipendent”, Brown shprehet: “është krejtësisht e pavërtetë që unë të kem goditur dikë në jetën time. Më duket krejtësisht qesharake kjo histori, ndaj dua që ta shpjegoj mirë, pa lënë asnjë keqkuptim”, ka deklaruar Kryeministri britanik. Në intervistë, Brown ankohet për mënyrën se si ai pikturohet nga ato që ai i quan media “armiqësore”. Sipas Kryeministrit, kjo është një fushatë për t’i ulur pikë vetëm pak javë para zgjedhjeve politike, ku sipas sondazhit të fundit të publikuar nga “Sunday Times”, Partia Laburiste po fiton terren ndaj konservatorëve, që mbeten gjithsesi favoritë. Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot, konservatorët do të merrnin 39% të votave kundrejt 33% të laburistëve. Në mbrojtje të Brown ka dalë edhe Peter Mandelson, një eksponent i rëndësishëm i Partisë Laburiste dhe ministër i Industrisë, që ka garantuar se Kryeministri vërtet kërkon shumë nga vetja dhe njerëzit me të cilët punon, por ai nuk është arrogant. Por “Observer” këmbëngul se do të publikojë pjesë të tjera nga libri i Rawnsley, "The End of the Party", sipas të cilit, Brown, pas vitit 2007 është bërë gjithmonë e më shumë paranojak dhe agresiv me stafin e tij, në të gjitha nivelet.
#