Epilogu Berisha Plehra, prona & hidrocentrale
Për këdo që kishte pasur dyshim se mund të ndodhte ndryshe, dy muaj e pak ditë mbas zgjedhjeve të 23 qershorit, ato janë shuar përfunimisht. Nuk ka rotacion të paqtë pushteti. Së paku si ai i vitit 2005, kur Fatos Nano vendosi një standart të pëlqyeshëm për realitetin e ashpër politik shqiptar. Sali Berisha po sillet me stilin e tij të pandryshueshëm, arrogant dhe hilacak në qeverisje. Tjetër thotë, tjetër bën dhe qëllimin e ka gjetkë. Këtë e bëri deri në mbledhjen e fundit të kabinetit qeveritar. Në dy muaj e pak ditë mbas humbjes dramatike në zgjedhje, vendimet e firmosura nga Berisha nuk kanë reflektuar në asnjë moment realitetin e ri politik postzgjedhje në vend.
Kushtetuetshmërisht, PD e aleatët e saj vazhdojnë të jenë ende në maxhorancë. Do të jenë të tillë deri në të njëjtën datë, të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet tashmë të largëta të vitit 2009. Kështu thotë kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të qëndrojnë në detyrë deri në formimin e Këshillit të Ministrave pasardhës. E thotë sërish kushtetuta, e lexuar në një mënyrë të tillë gërmë për gërmë. Në mënyrë të drejtë, natyrale dhe të logjikshme. Por në Shqipëri, sipas zakonit, rendi i leximit, edhe i ligjit themelor të shtetit, bëhet sipas dëshirës dhe vullnetit të pushtetit.
I pari, Berisha pretendon pikërisht për shkak të këtyre dy neneve se asgjë nuk ka ndryshuar në atributet e tij dhe po merr njëri mbas tjetrit vendime shumë të diskutuara, të cilat në rastin më të mirë, afrojnë të gjitha mundësitë për tu parë me dyshim.
I dyti, Rama i referohet frymës së kushtetutës, sipas të cilës, qeveria në këtë periudhë tranzicioni, vetëm duhet të kujdeset për kalimin e pushtetit nga njëra palë tek tjetra e të marrë vetëm ato vendime që janë të nevojshme për vendin. Dhe premton rishikimin e gjithë vendimeve të marra gjatë kësaj periudhe që shumica e re e tij i sheh me dyshim.
E vërteta qëndron diku në mes, pothuaj e barazlarguar nga palët. Edhe njëri, edhe tjetri kanë të drejtë, edhe njëri, edhe tjetri gabojnë në këto dy qëndrime të skajshme. Nuk mund të ketë qeveri kujdestare në këtë periudhë tranzicioni, por nuk mund të ketë as një qeveri që sillet sikur 23 qershori të ketë ndodhur në një vend fqinj të rajonit e jo në Shqipëri.
Qeveria në ikje ka të drejtë të marrë vendime, por jo të tilla si ato që po firmosen me shumicë dhe me urgjencë të minutës së fundit. Nuk është e shkruar në këtë formë askund, por është diçka lehtësisht e kuptueshme. Si në rastin kur në asnjë bar nuk gjen shënimin: ndalohet e ulura mbi tavolinë, por të gjithë e dinë se klientët duhet të rrinë ulur në karrige apo pranë banakut. Këtë nuk pranon të zbatojë Berisha dhe nga banaku i qeverisë së tij po dalin darovitjet e fundit. Licensa të reja për hidrocentrale, tjetërsim pronash, përfshi dhe godinën e SHQUP-it për seli të partisë së tij, leje importi mbeturinash, hidrokarburesh e kështu me rradhë.
Revista Java ka bërë një seleksionim të vendimeve të qeverisë duke nisur nga mbledhja e parë e saj postzgjedhore, kur u kuptua se e djathta kishte përfunduar në opozitë.
Mbledhja e parë
Në 27 qershor, katër ditë mbas të dielës zgjedhore, Berisha drejton mbledhjen e parë të qeverisë, siç thotë edhe vetë, për herë të parë nga pozita e një antari të thjeshtë të PD-së. Vendimi i parë: Përcaktimi i autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të ndërtimit dhe shfrytëzimit të portit të jahteve në Porto Palermo…. shtuar dhe me miratimin e një bonuesi për përzgjedhjen konkuruese për subjektin Studioja A.M.Z.. Zyrtarisht Shqipëria është ende nën moratooriumin që nuk lejon mjete detare me një fuqi të caktuar të lundrojnë në det. Kishte urgjencë për një vendim të tillë? Ishte i udhës të merrej në ato ditë? Këto janë përgjigje që do të merren më pas. Nëse merren për këtë vendim luksi. Dhe më pas dy vendime për tjetërsim pronash, i pari për llogari të Portit Detar në Durrës dhe i dyti për bashkinë Vlorë. Nuk mungon as një lajm i rëndësishëm. Me Filipinet nënshkruhet marrëveshja për heqjen e sistemit të vizave për pasaportat diplomatike dhe ato të shërbimit.
Mbledhja e dytë
Një javë më pas, në tre korrik vjen një vendim që ndryshon një vendim tjetër të mëparshëm. Ndryshime dhe shtesa në kontratën e koncesionit mes ministrisë së ekonomisë dhe shoqërive Endi-E, Eko A2. Subjekti: ndërtim i hidrocentraleve Prellë 1 dhe Prellë 2. Marrëveshja e parë ishte e gushtit të pesë viteve më parë, domethënë në vitin 2008. Për pesë vjet marrëveshja e vjetër nuk kishte pasur probleme, ai u krijua dhe u zgjidh po në minutën e fundit të qeverisjes.
Por çfarë ishte më e rëndësishmja, kishte të bënte me Përcaktimin e procedurave për njohjen ose fitimin e shtetësisë shqiptare nga personat me origjinë shqiptare, me përjashtim të shtetasve të Kosovës. Një premtim solemn i vetë Berishës në nëntorin e vitit të kaluar kur ai ishte përfshirë në ethet e një nacionalizmi folklorik dhe beteje me drejtim nga Tirana drejt gjithë të tjerëve, kundër albanofobisë. Ethe që me siguri i kanë sjellë edhe një faturë të kripur nga ata që gjykojnë mbi rajonin dhe që përgjithësisht kanë vendosur për fatet e gjithë rajonit.
Mbledhja e tretë
Në 10 korrik, në mbledhjen e rradhës së qeverisë nuk mund të mungonte fjala hidrocentral. Kësaj rradhe bëhet fjalë për dhënien me koncesion të hidrocentralit Shëngjun. Një bonues prej dy pikësh i jepet shoqërisë V&A Energji Klos.
Mbledhja e katërt
I vënë nën presion nga opozita e shndërruar në maxhorancë, kryeministri i kthehet zakonit të hershëm: fjalimeve të gjata para mbledhjeve të qeverisë, të cilat sipas kushtetuës, janë kurdoherë të mbyllura. Me gjithë zotimin e zyrës së Kryeministrit të zgjedhur, siç po e shpall veten zoti Rama, se do të anulojë çdo koncesion, kjo qeveri vazhdon normalisht ushtrimin e detyrave të veta deri në mbledhjen e fundit të saj. Është kjo qeveri e cila ka hapur siparin dhe ka bërë të mundur që në Shqipëri nga viti 2008 e deri më sot të firmosen në sektorin privat mbi 130 kontrata për ndërtimin e mbi 370 hidrocentraleve, po të marrim edhe miratimin e këtyre sot. Dhe vijojnë firmat për dhënien me koncesion të hidrocentralit Driza 1, të hidrocentralit Gjadër, të hidrocentralit Zall Xhuxhe, të hidrocentralit Plepi, të hidrocentralit Kalivar, të hidrocentralit Kolosjan, të hidrocentralit Viliq.
Dhe një tjetër shtesë kontrate
