Zoti e faltë këtë qeveri, sepse as ai vetë e nuk e shpëton dot nga dështimi!
Të nderuar kolegë. Zoti bashkëkryeministër, tashmë i zgjedhur, Ilir Meta. Zoti bashkëkryeministër, që pret të votohesh, Edi Rama.
Po ju drejtohem juve, në radhë të parë, meqë sot është dita e votëbesimit të qeverisë me dy koka, dhe kjo nuk është inerci e festimeve të 100- vjetorit të Pavarësisë.
Ju sot merrni në dorëzim me letra një Shqipëri normale. Ne fakt, ky përcaktim vlen më shumë për bashkëkryeministrin e dytë, se i pari e ka më të qartë çështjen, sidomos për katër vitet e fundit. Nuk është një Shqipëri perfekte, sepse nuk kemi pretenduar asnjëherë që kemi qenë të pagabueshëm në qeverisje, por një vend dinjitoz, anëtar i NATO-s, me shumë probleme ende të pazgjidhura, por me një varg të gjatë arritjesh të jashtëzakonshme.
Një Shqipëri, e cila ka ndryshuar kryekëput me atë që gjetëm në vjeshtën e vitit 2005, kur Partia Demokratike erdhi për herë të dytë në pushtet.
Por sot ndoshta nuk është dita për të bërë një bilanc të plotë tetëvjeçar dhe për të shprehur krenarinë tonë për gjithçka ndërtuam dhe bëmë në këtë vend gjatë këtyre viteve.
Sot po merrni në dorëzim çelësat e një atdheu, ku, jo vetëm thjesht për shkak të heqjes së vizave, shqiptarët janë shumë herë më kryelartë se 8 vite të shkuara.
Unë nuk pres të bëni ndonjë gjë të madhe në këtë drejtim, por të paktën mos e ktheni Shqipërinë si dikur, në delen e zezë të Europës, kur ta lini sërish pushtetin.
Po merrni në dorëzim një vend ende jo të zhvilluar, por me një infrastrukturë moderne thuajse të përfunduar, falë përcaktimit të qartë dhe përkushtimit të dy qeverive të fundit të Sali Berishës. Unë nuk pres kurrsesi që ju të ndërtoni rrugë të reja, por të paktën mos i prishni edhe ato që janë bërë tashmë dhe ua kemi lënë gati.
Po ju dorëzojmë një vend me paga dhe pensione që u rritën nga viti në vit, disa prej të cilave u dyfishuan, të tjerat shkuan edhe më lart. Unë, sigurisht, nuk pres prej jush që ruani këtë trend të fortë zhvillimi, por të paktën mos i ulni pagat dhe pensionet, që gjetët, se do të bëhemi gaz i botës.
Është një Shqipëri që pati një rritje impresionuese ekonomike për vite me radhë dhe që kohët e fundit arriti të mos bjerë në recesion, me gjithë tallazet e mëdha, që shkaktoi pothuajse kudo në rajon dhe më gjerë kriza globale. Unë nuk pres prej jush që të bëni të njëjtën gjë, por të paktën mos e lini ekonominë e 4 milion shqiptarëve të rrokulliset në humnerë, për shkak të keqqeverisjes.
Po dorëzohet me inventar një Shqipëri e gatshme për të rritur shpejtësinë e integrimit në Bashkimin Europian, dhe kjo aspak për meritë të dy palëve. Unë nuk pres prej jush që keni të njëjtin pasion si ne për ëndrrën europiane, por të paktën mos u bëni ferrë nëpër këmbë e udhëtimit tonë drejt Brukselit. Keni përballë një opozitë, që nuk do të bllokojë asnjë ditë të vetme procesin, siç e bëtë ju paturpësisht për vite me radhë.
Por edhe katër vjet më parë, Shqipëria ishte gjithashtu një vend normal, kryesisht falë arritjeve tona në mandatin e parë. E megjithatë, në shtator të 2009-ës, pothuajse gjysma e kësaj salle ishte bosh. Sepse Shqipëria ishte vend normal, por kishte opozitë një anormale. Dhe për këtë asokohe ishte dakord me ne edhe bashkëkryeministri tashmë i zgjedhur i kësaj qeverie, zoti Meta.
Opozita e Edi Ramës bojkotoi parlamentin për gjashtë muaj, ndonëse nuk kishte asnjë provë për pretendimet e saj se ishin manipuluar zgjedhjet. Opozita e sotme qëndron në këtë sallë në respekt të plotë të zgjedhësve të vet dhe të misionit të saj, ndonëse ka qindra prova për deformim të fortë të rezultatit, në të paktën dy qarqe të vendit, ku u faktua plotësisht se mazhoranca e sotme përdori falangat dhe paratë e krimit për të tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve.
Ndaj edhe sot në këtë sallë, më shumë se triumfalizmi i qeverisë së Edi Ramës shkëlqen diferenca e madhe mes nesh. Kontrasti i fortë mes atij që njeh vetëm fitoren dhe atyre që respektojnë çdo lloj rezultati. Ne jemi sot këtu më të vendosur se kurrë për të përfaqësuar denjësisht ata që na votuan dhe që të kthehemi sa më shpejt në zërin e fortë të shumicës së shqiptarëve.
Por katër vjet më parë, fitimtarët e sotëm turfullonin rrugëve, sepse kryeministri ende i pazgjedhur nuk e kapërdinte dot humbjen. Ne jemi sot dhe do të jemi gjithmonë në këtë sallë, që është fronti kryesor i betejës sonë politike, sepse për ne Shqipëria është një vend i mirë dhe po kaq i shtrenjtë, jo vetëm kur jemi në pushtet. Ne nuk do ta bëjmë kurrë, që për shkak të xhelozisë për kundërshtarin politik, të hedhim baltë mbi këtë vend, vetëm për shkak se jemi në opozitë.
Katër vjet më parë, shumë prej kolegëve tanë ishin futur në çadrat e turpit para kryeministrisë në atë ashtuquajturën grevë urie, më e shëmtuara dhe më e palavdishmja që është zhvilluar ndonjëherë në këtë botë. Dhe si për ironi të fatit, asnjëri prej Vrana Kontëve, që u ngujuan në ato çadra, nuk është sot i propozuar për kabinetin e ri të Edi Ramës. Ministra janë vetëm ata, që u çonin ushqime dhe u bënin roje natën me fener tek koka, se mos i hante Sali Berisha, teksa flinin. Tani Berisha nuk është më kryeministër, por disa prej tyre janë, në rastin më të mirë, njësoj deputetë si atëherë, disa të tjerë nuk janë më fare në këtë sallë, por ju edhe për këtë mund të thoni se fajin e ka prapë Saliu.
Dëgjova më 9 shtator hapësin socialist të kësaj legjislature që falenderoi popullin shqiptar për faktin se seanca e parë niste pa bojkotin e njërës palë. E tha atë, jo se donte patjetër të nderonte sovranin, por sepse nuk ia bënte zemra ti thoshte faleminderit Partisë Demokratike dhe opozitës së sotme parlamentare.
Sepse i njëjti popull ishte edhe në vitin 2009, por një pjesë e konsiderueshme e përfaqësimit të tij u mor peng për vite me radhë vjet nga një aventurier politik, i cili ishte gati të digjte të gjithë Shqipërinë për pushtetin e vet. Sot ia ka dalë, më në fund, që të realizojë ëndrrën e vet paranojake dhe është ulur në karrigen e kryeministrit, por ne do të bëjmë gjithçka që ta largojmë një orë e më parë prej andej. Po të kishte pasur një grimë morali, fjalia e parë e Edi Ramës në këtë sallë do të kishte qenë ndjesa e thellë për atë që i shkaktoi këtij vendi në katër vjet, vetëm se nuk e pranonte dot humbjen në një lojë demokratike. Ne jemi krenarë edhe se i dhamë vendit të paktën tre palë rresht zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Katër vjet më parë ne ishim një vend normal me një opozitë anormale. Dhe çdo demokraci dëmtohet, kur çalon njëra prej këmbëve, m
