Era e fortë në Gjirokastër, rrëzohen pemë në Granicë dhe Virua, ndërhyn MZSH-ja për hapjen e rrugëve

Moti i keq i shoqëruar me erëra të forta ka shkaktuar disa incidente pasditen e sotme në qytetin e Gjirokastrës. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH) Gjirokastër, situata ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të shërbimit në terren për të garantuar sigurinë publike dhe qarkullimin rrugor.
Ngjarjet janë regjistruar në dy pika të ndryshme të qytetit, konkretisht në lagjen Granicë dhe në zonën e Viroit, ku intensiteti i erës ka sjellë rrëzimin e disa pemëve mbi akset rrugore.
“Sot, në orën 15:11, u njoftuam se në lagjen Granicë dhe në Virua janë rrëzuar disa pemë si pasojë e erës së fortë, duke bllokuar rrugët. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, një grup i shërbimit u nis drejt vendngjarjes për të bërë të mundur largimin e pemëve të rrëzuara dhe hapjen e qarkullimit.”, thuhet në komunikatën zyrtare, të Drejtorisw sw MZSH-së Gjirokastër.
Nga bilanci paraprak i periudhës pas incidentit, autoritetet konfirmojnë se situata ka kaluar pa pasoja të rënda. Nuk janë raportuar dëme në struktura materiale apo mjete të parkuara, dhe nuk ka pasur persona të lënduar.
Efektet e motit të keq në këto dy zona janë kufizuar vetëm në bllokimin e përkohshëm të lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve, infrastrukturë e cila po i rikthehet normalitetit pas ndërhyrjes së strukturave të emergjencës.
/rtsh.al/