Erdogan: Turqia mund të kërkojë alternativë jashtë BE-së

Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan mbrëmë ka kritikuar ashpër raportin e BE-së ndaj Turqisë, duke theksuar se BE-ja nuk është e hapur dhe tërësisht e qartë, duke shtuar se Ankaraja do të mund të kërkojë alternativë për Unionin. “Përfaqësues tonë vazhdimisht udhëtojnë në Evropë dhe rregullisht na njoftojnë për avancimin e BE-së. Megjithatë, BE-ja nuk është e hapur dhe tërësisht e qartë për raportin ndaj Turqisë. Ajo dëshiron të na harrojë, por disi po hamendet dhe nuk mundet assesi të na harrojë. Qartë na kanë thënë se çka dëshirojnë me ne”, ka deklaruar Erdogan.
Ai ka shtuar se Turqia do të kërkojë alternativë për BE-në për shkak se “kanë ndodhur shumë gjëra negative në marrëdhëniet midis BE-së dhe Turqisë”.
“Për shkak të aktiviteteve negative me BE-në duhet të kërkojmë alternativë për 75 milionë qytetarët tanë. Para do kohe edhe presidentit të Rusisë Vlladimir Putin i kam thënë se jemi të gatshëm të hyjmë në Organizatën e Shangait për bashkëpunim. Thash se duam të bëhemi anëtare e Organizatës së Shangait për bashkëpunim, e t’i themi lamtumirë BE-së. Të ndahemi”, ka theksuar kryeministri turk.
Organizata e Shangait për bashkëpunim është organizatë ndërshtetërore për siguri, të cilën në vitin 2001 në Shangai të Kinës e formuan liderët e Rusisë, Kinës, Kazakistanit, Kirgizisë, Taxhikistanit dhe Uzbekistanit./Indeksonline