Erdogan thirrje Iranit: Vijo bisedimet me SHBA-në! Diplomacia, zgjidhja e vetme

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i bëri apel ditën e sotme ministrit të Jashtëm të Iranit se rifillimi i bisedimeve iraniane-SHBA për programin bërthamor të Teheranit është mënyra e vetme për të arritur zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe konfliktin me Izraelin.
Erdogan u takua me ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araqchi në margjinën e një takimi të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Stamboll.
Në një deklaratë për mediat zyra e Presidentit Erdogan vuri në dukje se Izraeli duhet të ndalohet menjëherë.
Erdogan tha se Turqia ishte e gatshme të luante një rol lehtësues për të ndihmuar në rifillimin e bisedimeve bërthamore, duke shtuar, se “hapat duhet të merren sa më shpejt që të jetë e mundur për të hapur diplomacinë përmes bisedimeve teknike dhe të nivelit të liderëve midis Iranit dhe SHBA-së”, shpjegon zyra e presidentit turk.
Gjithashtu, Erdogan tha se sulmet e Izraelit ndaj Iranit, të cilat filluan në 13 qershor, dy ditë para një raundi të planifikuar të bisedimeve bërthamore me Shtetet e Bashkuara, me qëllim sabotimin e negociatave, treguan se Izraeli nuk dëshironte ta zgjidhte çështjen përmes diplomacisë.
Presidenti turk u bëri thirrje vendeve me ndikim mbi Izraelin “të mos dëgjojnë retorikën helmuese të tij dhe të kërkojnë një zgjidhje për luftimet përmes dialogut pa lejuar një konflikt më të gjerë”.
/rtsh.al/