E Diel, 1 Nëntor 2026

Erërat e forta rrëzojnë pishën në Vlorë, përplaset një automjet, bllokohet aksi drejt Zvërnecit

Erërat e forta që kanë përfshirë mbrëmjen e djeshme dhe gjatë natës qytetin e Vlorë kanë shkaktuar dëme materiale dhe probleme në qarkullim.

Rreth orës 04:00 të mëngjesit, në zonën e Pyllit të Sodës, një pishë e madhe është rrëzuar duke bllokuar plotësisht aksin rrugor që lidh qytetin me fshatin Zvërnec.

Si pasojë e rrëzimit të pemës, një automjet që po qarkullonte në atë segment është përplasur me pishën e rënë në rrugë. Nga ngjarja janë regjistruar vetëm dëme materiale, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e zjarrfikëses së Vlorës, të cilat kanë ndërhyrë për prerjen dhe largimin e pishës, duke bërë të mundur zhbllokimin e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit në normalitet.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar në kushtet e motit të paqëndrueshëm.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›