Erion Veliaj: I shtrij dorën e bashkëpunimit Belindit!

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i rizgjedhur edhe për një mandat të tretë në zgjedhjet vendore të 14 majit, deklaroi se është i gatshëm që t’i shtrijë dorën e bashkëpunimit të gjithë atyre që kandiduan përballë tij për bashkinë e Tiranës.
“Dua t’i shtrijë dorën e bashkëpunimit Belindit, Arlindit, Rolandit, Markos, Lajlës. Ne nuk jemi armiq. Jemi gdhirë në të njëjtin qytet, kalojmë në të njëjtat rrugë, do të kemi të njëjtat probleme. Shpresoj shumë që ta pranojnë këtë ofertë që të bashkëpunojmë, mos të hyjmë në një Këshill Bashkiak ku vazhdon avazi i vjetër i përçarjes dhe i ndasive. Ne nuk kemi nevojë për të tjerë në Këshill Bashkiak, por kemi dëshirë që të bashkëpunojmë me të tjerë në Këshillin Bashkiak”– deklaroi Veliaj.
Sipas tij, falë mbështetjes së jashtëzakonshme që dhanë qytetarët, duke votuar për logon e Partisë Socialiste për Këshillin Bashkiak, tashmë socialistët kanë edhe një shumicë vendimtare në Këshillin Bashkiak, një shumicë që “na lejon që këtë vizion, këto premtime, këto projekte, të vazhdojmë t’i çojmë përpara”.
“Ne nuk kemi nevojë për vota të tjera në Këshillin Bashkiak, por kemi një dëshirë shumë të madhe që të bëjmë një fillim të ri, të fillojmë një rrugë të re, të kemi një traditë të re, ku nuk vazhdon më kënga e Ilirit dhe e Saliut, tani e përkthyer në Këshillin Bashkiak, ku për nevojat e qytetit për të ndërtuar ato shtëpi që ende presin, të ndërtohen shkolla, kopshte, çerdhe, rrugë, që ende presin që të shohin dritën e zhvillimit. Duhet ta gjejmë këtë frymë bashkëpunimi dhe të japim një mesazh nga Tirana që, pavarësisht diferencave, kemi më shumë gjëra që na bashkojnë, sesa gjëra që na ndajnë”– theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku I Tiranës, me këtë rast, ka falënderuar të gjithë deputetët, për përkushtimin e jashtëzakonshëm në këtë rrugëtim kaq emocionues dhe të shpërblyer me fitore.
“Dua të falënderoj të gjithë kryetarët e PS-së, në të 27 njësitë e Tiranës. Ne nuk kemi fituar vetëm bashkinë e madhe të Tiranës, kemi fituar masivisht në të 27 njësitë e bashkisë së madhe të Tiranës. Një rezultat 27 me 0, ku në të gjitha njësitë jemi mbi 50%. Falënderoj nga zemra të gjithë administratorët tanë, ata që janë porta e parë, që prek njerëzit, që qan hallet, që shënon shqetësimet, që sigurohet ti ndjekim, që zgjidh një problematikë të jashtëzakonshme. Jam vërtet i përulur për punën që bën secili prej tyre. Një super duartrokitje për të deleguarit tanë, ata që kanë qenë kapitenë të përkushtuar. Janë 500 kapitenë të përkushtuar që, pavarësisht rangut, pavarësisht emrit që kanë, pavarësisht detyrave, kanë qenë aty deri në sekondën e fundit. Një model i shërbëtorit publik. Ju jam kaq mirënjohës të deleguarve dhe mezi pres që të bëjmë punë të tjera të mrekullueshme në secilën prej njësive, si dhe të sigurohemi që çdo shqetësim, çdo merak, çdo problematikë të gjejë zgjidhje duke filluar nga nesër.”– theksoi Veliaj.
/rtsh.al/