E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Erion Veliaj: Planet për Tiranën në mandatin e tretë. Pse nuk ulen taksat?

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj nuk ka një plan për ulje taksash për mandatin e tretë, por ai thotë se të ardhurat do të përdoren për t’i dhënë Tiranës fizionominë e një kryeqyteti modern. Zoti Veliaj ishte i ftuar në emisionin “Pa Censurë”, në RTSH.

“Sot familjarët paguajnë taksa si 10 vite më parë, ndërkohë Tirana është shumë më e mirë se 10 vite më parë.

Nuk gënjej dot se të hënën do te jem këtu, kurse dikush tjetër thotë do të heqim taksën e ndërtimit, iku gjysma e bashkisë, pastaj thotë do të heqim dhe 1/3 e taksave të tjera. Iku dhe 1/3 e gjysmës.

Pastaj me këto që kanë ngelur çdo gjë falas. Një mënyrë për ta “ngordhur” bashkinë është të bësh premtime që nuk i mban dot” tha zoti Veliaj.

Në mandatin e tretë dhe të fundit, nëse fiton si kryetar bashkie, Erion Veliaj ka në plan përfundimin e disa veprave madhore. “Mandati i tretë është mandati ku ne përfundojmë unazën, por duhet të mbajë përgjegjësi edhe kush na vonoi tre vjet te Astiri.

Ne përfundojmë tek 5 Maji, të gjithë atë lagje të Tiranës policentrike, por duhet të mbajë përgjegjësi edhe kush bllokoi rrugën. Do të mbarojmë Kombinatin, prapë me një ndukje veshi për ata që e zgjat me gjyqe, të nxitur politikisht.

Tirana e të ardhmes nuk mund të jetë me muhabetet e viteve 90. Nuk do të bëjmë tekstile, këpucë dhe call center, por do të bëjmë më shumë kodim. Ndaj Piramida është e rëndësishme.”- tha Erion Veliaj për emisionin “Pa Censurë” në RTSH. 

Gjatë intervistës me gazetaren Elona Meço, ai rrëzoi tezat se Bashkia ka krijuar varësi nga taksa në ndërtim, e cila zë aktualisht mbi 30% të të ardhurave vjetore të bashkisë.

“Pasi të mbarojë nevoja për ndërtim do të paguhet taksa e pronës dhe do të kthehet ajo në burimin kryesor të të ardhurave.”- u shpreh zoti Veliaj, i cili duket i sigurtë në fitoren e një mandati të tretë për Bashkinë e Tiranës.

Erion Veliaj  është i vendosur të mos dalë në një debat me kandidatin kryesor të opozitës Belind Këlliçi, pasi siç thotë, është në garë me Sali Berishën.

“Te dera e bashkisë ka ardhur Sali Berisha. Pra këtu po kandidon Sali Berisha. Nuk më intereson kush është kukulla e tij e radhës. Këtu vendos Sali Berisha me Ilir Metën.  E kam garë me të, sepse dua t’i provoj këtij qyteti se vetëm duke punuar ne ecim përpara. Kjo është një sfidë e hapur mes Sali Berishës dhe qytetit të Tiranës. Mjafton të shohësh si u soll me selinë, kur e drejtonte Lul Basha”- tha Veliaj për emisionin “Pa Censurë”. 

Me këtë argument, Veliaj iu përgjigj dhe pyetjes se përse nuk përdor të njëjtën gjuhë sulmi ndaj Enkelejd Alibeajt apo Roland Bejkos, si kandidati tjetër i opozitës.

“Nuk kam problem me kukllat. Merrem me pupett masters, më interesojnë kush janë ata që levizin fijet. Sot beteja është komplet e ndryshme. Një mentalitet i Saliut dhe  i Ilirit që thonë “hallin tonë e paçi të gjithë” dhe mentaliteti ynë që është “hallet t’i kthejmë në zgjidhje”.. Njëri do që të shpëtojë nga non brata, tjetri do që të shpëtojë mga ligji i fuksave.  Është bashkuar një komunist me një fuks dhe thonë hallet tonanu bëfshin halle të të gjithëve. Nuk kam merak të merrem me asnjë pjellë të PD.  Janë pjella të një partie që i ka bërë shumë dëme këtij vendi dhe në finale, dëmin më të madh ia bëri vetes së vet. Gjyshet tona thoshin “kokat ngrënshin”,- tha Erion Veliaj për emisionin “Pa Censurë”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›