E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Fushata elektorale/ Këlliçi me tregtarët: Ulja e taksave e tarifave lehtëson biznesin, rrit punësimin

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi është ndalur sot në Tregun Industrial në zonën e “5 Majit”, ku ka dëgjuar shqetësimet e tregtarëve. Këta të fundit janë duke kaluar ditë të vështira ku shitjet kanë rënë në mënyrë drastike. 

“Siç e sheh vet, s`ka ndonjë ndryshim. Më keq nuk ka.  Me ditë me ditë, siç është tregtia, e kupton vetë. Me rënie, nuk ka më ngritje, iku ai muhabet. Pak, shumë pak. Mendimi jonë është ta bëjmë më mirë. Shif e shkruaj, bosh. Kam 31 vjet. Ky vit ishte masakër fare”-u shprehën biznesmenët.

Nga ana e tij, Këlliçi prezantoi paketën e uljes së taksave dhe tarifave vendore, të cilat sipas tij, pas 14 majit do të lehtësojnë barrën fiskale që biznesi i paguan bashkisë së Tiranës. 

Këlliçi u shpreh para biznesit se paketa e tij e uljes së taksave, ka si synim të rrisë fitimet e biznesit dhe të nxisë punësimin. 

“Të gjithë tregtarët që po takoj këtu, e njëjta gjë. Situata keq e më keq. Kemi planin për taksat, për tarifat, për biznesin e vogël, t`i japim frymëmarrje. Planin për uljen e taksave dhe tarifave ta garantoj që do e bëjmë realitet.

Aty është programi për të ulur taksat dhe tarifat, për të fituar më shumë biznesi i vogël. 41 mijë biznese të vogla janë në Tiranë. Një njeri me punësu më shumë, me pas më shumë të ardhura, janë 41 mijë vetë më shumë. Ecën ekonomia, ka lekë, ka gjallëri, ka optimizëm”-tha Këlliçi.

Këlliçi u shpreh projekti i Erion Veliajt duhet ndalur, pasi aty janë mijëra njerëz të punësuar, që mbajnë familjet. 

“Më kryesorja është, për mendimin tim, është me ndalu projektin që kanë se duan ta shembin tregun të bëjnë pallate. Ky është problem. Këtu janë mijëra familje të punësuar po ta marrësh, se nuk është vetëm biznesi, por janë shërbimet, janë të gjithë ata që përfitojnë”, tha Këlliçi.
/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›