“Erioni nuk është më me ne, por me protestuesit!”- Kulla zbulon prapaskenat e përplasjes Rama-Veliaj: I kërkoi të delegonte firmën dhe të emëronte një figurë nga shoqëria civile, si refuzoi kryebashkiaku
Analisti Ilir Kulla ka zbuluar detaje nga ajo që e konsideron si shkakun e vërtetë të përplasjes mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si dhe transferimit të këtij të fundit në burgun e Fierit.

I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” në News24, Kulla tha se statusi i Veliajt për zgjedhjet në Serbi, i publikuar pak ditë para transferimit, nuk ka lidhje me vendimin. Sipas tij, pas përplasjes qëndron një kërkesë e Ramës drejtuar Veliajt, pas shkarkimit të nënkryetare dhe kryetares së komanduar të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani.
Ai tha se kryeministri i kishte kërkuar Veliajt të delegonte firmën dhe të emëronte në postin e nënkryetarit një personazh të njohur të shoqërisë civile, jashtë strukturave partiake.
“Arsyeja reale ka të bëjë me një kërkesë që Rama i ka bërë para një jave, kur u shkarkua nënkryetarja e Bashkisë. Duke qenë se Veliaj nuk mund të jetë kandidat për zgjedhjet e ardhshme bashkiake, sepse me tre mandate mund të jetë maksimalisht, i ka kërkuar të emërojë një personazh nga shoqëria civile, nënkryetar, një personazh shumë të njohur”, u shpreh Kulla, duke shtuar se për arsye personale nuk dëshironte ta identifikonte këtë person.
Sipas tij, Veliaj nuk e ka pranuar kërkesën e kryeministrit dhe ka refuzuar të delegojë firmën, duke këmbëngulur se do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e kryetarit të Bashkisë.
“Praktikisht Veliaj ka thënë: ‘Unë firmën nuk ia delegoj më asnjërit. Do të vazhdoj deri në fund të jem kryetar Bashkie, sepse ju më shkarkuat njëherë dhe unë u riktheva nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese’”, rrëfeu Kulla.
“Dukej qartë që vendimi për ta transferuar shpejt ka të bëjë me faktin që Rama ka zgjedhur politikisht të distancohet nga Veliaj dhe ta vërë përballë”, shtoi ai.
Gjatë bisedës, moderatori Arjan Çani e pyeti Kullën nëse personazhi nga shoqëria civile, për të cilin kishte folur, ishte Arbër Hajdari.
“Ti the që nuk e thua emrin për arsye personale, por unë mund të kem arsye, për interes publik, ta them. Çfarë ka? Pse e do kaq shumë Edi Rama këtë Arbër Hajdarin? Çfarë ka kjo dashuri e madhe? I del në sondazhe që është i pëlqyer nga shqiptarët?”, e pyeti Çani.
Kulla u përgjigj se nuk kishte dijeni për arsyet konkrete, por theksoi se kryeministri zhvillon sondazhe dhe, sipas tij, po përpiqet të kuptojë zhvillimet e fundit politike dhe protestat në Tiranë.
“Nuk e di. Di që Edi Rama bën shumë sondazhe dhe, për shembull, këto ditë merret përditë me to dhe reflekton. Prandaj i ka thirrur të vetët. Reflekton për atë që nuk arrin të lexojë, sepse nuk e ka pritur këtë shpërthim të këtyre dy javëve në Tiranë”, tha analisti.
Ilir Kulla: Transferimi i Veliajt, kam parë që perceptimi ka të bëjë me atë statusin e tij të para tri ditëve për zgjedhjet në Serbi, por në fakt unë nuk besoj se ka lidhje me atë. Fare.
Unë mendoj se është sebepi dhe mendoj se arsyeja reale ka të bëjë me një kërkesë që Rama i ka bërë para një jave, kur u shkarkua nënkryetarja e Bashkisë. Duke qenë se Veliaj nuk mund të jetë kandidat për zgjedhjet e ardhshme bashkiake, sepse me tre mandate mund të jetë maksimalisht, i ka kërkuar të emërojë një personazh nga shoqëria civile, nënkryetar, një personazh shumë të njohur. Që unë nuk dua t’ia them emrin.
Ka vendosur sot nënkryetare Etleva Bishën, hoqi dy. Ka lënë edhe një vend tjetër. Hoqi dy nënkryetarë, njëra që është ish-zëvendësministre e Financave, por edhe kushërirë e kryeministrit, Vasilika Vjero.
I ka kërkuar që, në zgjedhjet e ardhshme, të cilat janë dekretuar më 9 maj, të delegonte firmën dhe të emëronte nënkryetar një personazh shumë të njohur publik, që vjen nga shoqëria civile, jo nga partia. Kam një arsye shumë personale që nuk ia them emrin. Dhe praktikisht Veliaj ka thënë, “unë firmën nuk ia delegoj më asnjërit. Do të vazhdoj deri në fund të jem kryetar Bashkie, sepse ju më shkarkuat njëherë dhe unë u riktheva nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese”.
Kjo ka krijuar një përplasje, sepse, nga njëra anë, kryeministri argumenton si kryetar partie dhe mendon për zgjedhjet e ardhshme, me mendimin se me një personazh që vjen nga shoqëria civile do të marrë atë votë që shprehet me protesta në shesh.
E dyta, Veliaj e ka përjetuar në mënyrë shumë të keqe arrogancën dhe agresivitetin me të cilin është përballur, edhe pse për një vit e gjysmë, atij nuk i kanë paguar as rrogën në kohë kur ishte në burg. Këtu ka filluar përplasja.
Kemi mbërritur deri në pikën ku jemi sot, që ai jo vetëm që është transferuar atje, duke ua bërë të vështirë familjarëve të vet, sepse për të shkuar deri në burgun e Fierit duhen dy orë nga Tirana, por, nga ana tjetër, burime, të cilat sot citoheshin në mbledhjen që ka pasur Rama, kanë thënë që “Erion Veliaj nuk është më me ne, sepse është me protestuesit”.
Kështu thuhej në media dhe dukej qartë që vendimi për ta transferuar shpejt ka të bëjë me faktin që Rama ka zgjedhur politikisht të distancohet nga Veliaj dhe ta vërë përballë. Nga ana tjetër, ka një problem që quhet Bashkia e Tiranës, bashkia më e madhe në vend, të cilën Erion Veliaj e mbajti përmes qëndresës që bëri nga burgu dhe duke thënë: “Unë jam i zgjedhur i popullit, po mbahem padrejtësisht dhe do të vazhdoj betejën juridike”. Kësaj beteje juridike i është mbivendosur një betejë politike, kësaj radhe brenda llojit. Kjo është arsyeja e vërtetë.
Arjan Çani: Ti the që nuk e thua emrin për arsye personale, por unë mund të kem arsye, për interes publik, ta them. Çfarë ka? Pse e do kaq shumë Edi Rama këtë Arbër Hajdarin? Çfarë ka kjo dashuri e madhe? I del në sondazhe që është i pëlqyer nga shqiptarët?
Ilir Kulla: Nuk e di. Di që Edi Rama bën shumë sondazhe dhe, për shembull, këto ditë merret përditë me to dhe reflekton. Prandaj i ka thirrur të vetët. Reflekton për atë që nuk arrin të lexojë, sepse nuk e ka pritur këtë shpërthim të këtyre dy javëve në Tiranë.
Këto tregojnë një realitet: nëse, nga njëra anë, protesta e filluar nga qershori deri në tetor ka shkatërruar imazhin dhe besueshmërinë e PS-së publikisht, brenda dhe jashtë, nga ana tjetër, ka atrofizuar totalisht opozitën. Po krijohet një opozitë e re dhe duhen gjetur personazhe dhe njerëz që duhet të reflektojnë.