Erisa Gina, në harmoni me baletin klasik
Mund të ndodhë që të mos e dish me se merret në të vërtetë, por çdokujt që e takon edhe pa e njohur nuk mund të mos i shpëtojë fraza "ti dukesh si balerinë". Me fizikun, por edhe me anë të gjesteve, me flokët e mbledhura, Erisa Gina reflekton profesionin e saj. Është balerinë. Soliste e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Ushtrohet çdo ditë, edhe në periudhë pushimesh. E ka të vështirë të ndalë ritmin, ndryshe "sëmuret". Sot baleti është ëndrra e realizuar, jo vetëm profesioni të cilin e do shumë e sakrifikon po kaq. Kur filloi të merrej me balet ishte e vogël për të kuptuar në e donte vërtet. Kishte talent të lindur dhe këtë nuk duhej shumë për ta kuptuar. Edhe fiziku ishte ai i duhuri. Ishte e ëma që e shtyu drejt baletit, që e regjistroi në shkollë dhe i dha krahë drejt ëndrrës, e cila fillimisht ishte vetëm e saja. Erisa Gina, asokohe ekzekutonte ushtrimet si një ushtar i bindur dhe këtë e bënte pa ndonjë vështirësi të madhe. Baletin nuk e dashuroi menjëherë. I dukej i vështirë e mbi të gjitha, nuk kuptonte se çfarë po ndodhte me trupin i cili po mësonte të fliste një gjuhë të re. Dashuria lindi gradualisht. Duke u pjekur, duke mësuar lëvizjet, duke u ushtruar, duke u bërë pjesë e disiplinës Erisa nisi të kalonte vështirësitë e para. Periudhën kur nisi të ushtrohej me Mukadez Erebarën e vlerëson si kohën kur ajo shpërtheu si balerinë. Por me publikun për herë të parë si soliste e përballi Luan Shtino në një koncert shkolle. Ndoshta ai kuptoi se Erisa kishte nevojë vërtet për skenën, për një shtysë që të kalonte "provimin" e parë. Asaj ende i kujtohen reagimet e njerëzve, apo frazat e tipit "po kjo nga doli. Pse nuk e kishim parë?". Me të përfunduar shkollën e baletit, Erisa Gina fiton konkursin për të hyrë në Teatrin e Operës. Fiton. Eksperienca në teatër e bënte të ndihej mirë, edhe pse çuditshëm. Skena e madhe nuk e trembte, por emocione po, ato nuk i mungonin asnjëherë, siç nuk i mungojnë akoma edhe sot. "Balerini ka shumë nevojë të përballet me skenën kjo i bën mirë", thotë ajo. Një turne me valle popullore e çon në Amerikë. Për tri vite nuk u kthye më. I interesoi të vazhdonte një shkollë tjetër, në një kompani baleti. "Aty ishte një eksperiencë shumë ndryshe nëse do e krahasoja me Shqipërinë. Por ndodhi që gjatë kësaj periudhe sikur e anashkalova paksa baletin. Kjo edhe më mënjanoi disi prej tij. Megjithatë, eksperienca në Amerikë ishte shumë e bukur. Mësova shumë atje, shkolla kishte një teknikë shumë të fortë të baletit", tregon Erisa, e cila pas një kohe u detyrua të kthehej, pasi për arsye ekonomike nuk mund ta ndiqte më shkollën. U kthye pa pendime. Në Shqipëri nisi të merrej edhe një herë siç duhej me baletin, nuk e la ëndrrën të ikte. Ajo e do skenën, dhe ashtu si çdo balerin e ka ëndërr atë. Baleti ishte e ardhmja e saj. E pat kuptuar kur doli për të parën herë në skenë. Asnjë shkollë tjetër, asnjë drejtim tjetër nuk do ta bënte dot të lumtur si baleti. Ajo mezi priste të dilte në skenë t‘i tregonte publikut çfarë dinte të bënte. Dhe kjo vazhdon t‘i ndodhë akoma.
Pas kthimit Erisa ka kërcyer në mjaft balete që janë vënë në skenë në Teatër. Si soliste e parë e filloi me një bashkëpunim me shkollën e baletit. Duhej një soliste për të kërcyer baletin "Zhizeli" në një turne në Danimarkë. Aty kërceu për herë të parë edhe një balet të plotë. Zhizel përshtatej shumë me natyrën e Erisës, shumë elegante dhe e brishtë, ndaj edhe ajo e interpretoi natyrshëm, pa shumë mundim. Kur u kthye në TOB kishin filluar provat për baletin "Bajadera". Erisës dhe partnerit të saj, Edi Blloshimi, iu ofrua të kërcenin aty. Kishte ende njerëz që nuk kishin pasur rastin ta ndiqnin në interpretim. E pëlqyen. Më vonë si soliste vijoi baletin "Sheherazade: që u vu në skenë nga Skënder Selimi, vijoi më pas "Lumi i vdekur", të cilin e kërceu premierë. Koreografia mbante firmën e Agron Aliajt. Baleti "Sylphida", është një tjetër arritje në karrierën e saj, e madje edhe një prej baleteve që e ka për zemër, si dhe "Zhizelin". Për baletin "Sylphide", në vitin 2008, ajo u vlerësua prej Akademisë së çmimeve "Kult" me çmimin "Balerina e vitit". Ilir Kerni e përzgjodhi për këtë rol dhe ajo punoi fort për të arritur atje ku duhej dhe për t‘iu përgjigjur kërkesës së koreografit kërkues. "Premierën e kam kërcyer me profesor Ilirin dhe ndihesha shumë e lumtur që isha unë e përzgjedhura, ishte një nga kulmet e mia. Kam kujtime shumë të bukura nga ky baletet", thotë Erisa. Një mbrëmje baleti e organizuar nga Leonard Xhokazhi Ajkun e ngjiti sërish në skenë në një nga takimet më të rëndësishme të baletit. Do të përzgjidhet sërish nga Ilir Kerni për baletin "Coppelia". Ishte ndryshe kjo eksperiencë për Erisën. Baleti kishte shumë pjesë komike e argëtuese dhe ajo e realizoi me shumë qejf. "Rajmonda" dhe "Spartaku" e gjen edhe një herë në interpretim si soliste. Shumë punë, shumë përkushtim, shumë stërvitje e shumë zemër mbi të gjitha i japin Erisës forcë për të vazhduar suksesshëm me baletin. Rrallëherë i ka ndodhur të mendojë ndoshta duhet të tërhiqet mbrapa, apo të ketë pasur frikë të përballet me skenën. Por kjo ka ndodhur vetëm për shkak të pasigurisë në punën përgatitore. Ajo nuk heq dorë prej të qëndruarit në majë të gishtave, prej baleti klasik. E do shumë dhe nuk e ndryshon për asgjë në botë. Është kulmi i elegancës e kur e arrin, është e vështirë të heqësh dorë. Ndaj edhe Erisa nuk e mendon fare momentin kur do t‘i duhet të lërë skenën. Kur të vijë, le të vijë.
Tani u kushtohet roleve, te secili prej tyre mundohet të gjejë diçka të vetën, sepse kështu gjithçka do jetë perfekte.