Erjon Braçe: Paraja po korrupton PS-në
Konflikti brenda së majtës tani ka marrë përmasa publike. Deputeti i PS-së Erion Braçe nuk lejohet të mbajë fjalim në Konventën Kombëtare të Partisë Socialiste, megjithatë, qëndrimet e veta ai i ka bërë të ditura në faqen zyrtare në facebook. Në mënyrë të pangatërrueshme, ai ka deklaruar se “PS ka probleme parimore, forumet vendimmarrëse janë inekzistente e në formalizëm, dhe se një person i vetëm kontrollon gjithçka”. Ai ka konfirmuar se paraja po korrupton partinë e Edi Ramës dhe se ai s’e dinte nëse do ishte akoma në listën e kandidatëve për deputetë
Shpërthen Erjon Braçe. Në kohën kur Edi Rama prezantonte programin e “Rilindjes” në Konvetën e Partisë Socialiste, në një prej eksponentëve më të rëndësishëm të saj, Erjon Braçe s’kursen kritikat e ashpra në drejtim të lidershipit socialist. Deputetit të PS i është hequr fjala nga Konventa dhe kjo kuptohet se është një sakrilegj i ofruar nga 99-shi, Erjon Veliaj, por, sipas asaj që ai (E.Braçe) shprehet në Facebook, shqetësimi i tij nuk është se do të jetë në Konventë apo jo, por kapja e partisë nga paraja, paralizimi i vendimmarrjes dhe inekzistenca e strukturave. “Prej 6 muajsh është e pamundur të kuptosh ku nis e ku mbaron institucioni, kush lexon e respekton rregullat, si nis e ku merret vendimi, kush e zbaton e cili vepron kundër këtij vendimi; Kjo nuk është çështje personale apo sfidë për kë mendon ndryshe! Por çështje e të sotmes dhe e të ardhmes së PS, natyrisht që ka të bëjë me individin dhe njërën prej arsyeve se përse ai duhet të jetë apo mbështesë PS. Por ka të bëjë edhe me atë që PS ofron për cilindo që do të rritet duke kontribuar në PS. Shqetësimi im dhe problemi që identifikoj ka të bëjë me vakuumin institucional në të cilin ndodhemi prej muajsh, vakum i cili, dukshëm, ka zbehur fuqinë organizative e funksionale të partisë, në momentin më të rëndësishëm për ne. Funksionaliteti i çdo strukture partiake të burojë nga qëllimet e përbashkëta të administruara nga rregullat statutore (një organizate demokratike nuk mund të vihet në lëvizje nga paraja, as nga qëllimet e parashumve; paraja e korrupton partine, zhbën demokracinë, çdo normë e rregull, në fund dhe vetë partinë), pra parimore jo personale”, shprehet deputeti i PS, Erjon Braçe. Gjithashtu, Braçe thotë se çdo strukturë e Partisë Socialiste është inekzistente. Sipas tij, kryesia, sekretariati, asambleja dhe grupi parlamentar funksionojnë sipas interesa personale. Deputeti socialist thekson se funksionimi statutor dhe i programuar i partisë po zëvendësohet nga spontaniteti, me keq partia po vihet ne lëvizje nga qëllime personale për ta sunduar, jo për ta drejtuar atë. “Funksionimi statutor dhe i programuar i partisë po zëvendësohet nga spontaniteti, më keq partia po vihet në lëvizje nga qëllime personale për ta sunduar, jo për ta drejtuar atë. Institucionet dhe vendimmarrja; Kryesia e Partisë nuk funksionon; për shkak se është bërë e pamundur që kryesia aktuale të funksionojë larg interesave personale dhe në shërbim të Partisë, duke patur qoftë edhe një produkt minimal: te mos i bëjë dëm kauzës së përbashkët për votën e lirë; Sekretariati Ekzekutiv funksionon personalisht apo nuk funksionon në sektorët më kyç, atë politik e të strategjisë, programor, zgjedhor, organizativ, ligjor etj; për shkak se objektivat e disa prej shokëve drejtues janë dukshëm në kundërshti serioze, deri në veprim kundër e kalim përtej hendekut parimor e kushtetues që na ndan me Sali Berishën, pra kundër me atë që deri tani është aksioni politik i PS në mbështetje të kauzës për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri; Asamblea Kombëtare shpesh bie në formalizëm, ndërsa prej muajsh është braktisur nga anëtarët, për këtë shkak mbetet e pa plotë; Grupi Parlamentar ende është larg rolit natyral të kontrollit sistematik, të përditshëm, politik e profesional, te Qeverise e qeverisjes; Vendimmarrja pothuajse gjithnjë është emergjente dhe e pa programuar, spontane dhe e kufizuar, diktuese dhe formale, shpesh nga jashtë forumeve statutore aq sa ‘vendimin’, ‘vendin’ dhe ‘kohën e duhur’ e lajmëron një aleat jo një drejtues i kësaj Partie, pra e ngushte dhe pa fuqinë e vërtetë që të japin strukturat legjitime e funksionale”, thotë ai. Edi Rama ftoi dje teleshikuesit të ndjekin konventën dhe garantoi se për hartimin e programit të ri do të merren parasysh reagimet e publikut dhe kritikat nga ndjekësit në rrjetet sociale, por siç edhe kuptohet situata nuk është aq optimale saç pretendohet formalisht në ekranet e mëdha të Konventës.
...