Edi Rama synon shkurdisjen e zemerekut
Në kërkim të një alibie për të mos i njohur zgjedhjet e 23 qershorit, Edi Rama e ka futur në kurthin e shkurdisjes fushatën elektorale. Kurthi më i fundit është Konventa e PS, ku paraqitet programi që do të rilindka Shqipërinë pasi Edi Rama të fitojë zgjedhjet. Peshku në det, tigani në zjarr.
Transparenca e dyshimtë e socialistëve ndaj opinionit publik është më e fundit flluskë sapuni e radhës. Për këtë bindesh, sapo t’i hedhësh një sy programit të Konventës, i cili “hapet me një video”!...
Shpallja e programit të Konventës një ditë përpara mbajtjes zyrtare ua hoqi mundësinë mediave të bëjnë analizat përkatëse, çka do të ishte minimumi i kërkesave të opinionit publik ndaj një partie me pretendime demokratike, e majtë ose e djathtë qoftë. I vetmi shans për të gjykuar, mbetet të përqendrohesh te titujt e kapitujve të rilindjes që pretendon PS-ja, përmbledhur në të ashtuquajturat panele dhjetë-njëzet-minutash. Sa t’u hedhësh një sy titujve, të vijnë ndërmend sharjet e mallkimet e Ramës, qysh kur e ka ndier se po i afrohet fundi politik.
Pasi është hedhur baltë me kova mbi gjithçka u arrit këta njëzet e kusur vjet të proceseve demokratike, gjysmëdita e dytë e së premtes dhe gjysmëdita e parë e së shtunës, u janë kushtuar planeve të së ardhmes “rilindëse” të Edi Ramës, hartuar sipas shembullit të planeve pesëvjeçare që shpallte qëmoti Enver Hoxha në kongreset e PPSH-së. Me një fjalë, propagandimi i rrugës së ndritur të mrekullive enverhoxhiste-edramiste në rrafshe nga më të ndryshmet: të sigurisë, të arsimit, të shëndetësisë, të sportit, të shtresave në nevojë, të ekonomisë, të fshatit, të qytetit dhe të integrimit. Në mbyllje të së ashtuquajturës “Konventë për të paraqitur programin e PS-së”, do të dalë vetë lideri i saj, Rama, të nënshkruajë e të vulosë të thënat e të pathënat që i kemi dëgjuar qindra herë, sa herë e kemi parë në konferenca shtypi a në programe televizive. T’i përmendësh gjithë premtimet e tij programore e jashtëprogramore, lodhesh, lëre pastaj t’i planëzosh. Merret me mend, pra, lodhja e grupeve të punës dhe e Kryetarit Rama që s’kanë reshtur së punuari ditë e natë. Ja thelbi i propagandës. Për t’i realizuar, shohim e bëjmë, pasi të vijmë në pushtet. Ja edhe fytyra, ish-Shqipërisë socialiste...
Që kemi përpara propagandë bajate, s’ka asnjë dyshim. Vini re panelin prej pesë-gjashtë minutash të emërtuar “Integrimi”, nga ora 11.55, deri në 12.01 të së shtunës, përpara se të dalë vetë lideri socialist e të rrahë gjoksin me kushedi çfarë mbroçkullash. Pyetjen ia kemi bërë atij, ia kemi bërë njëri-tjetrit, vetvetes, ia kanë bërë të huajt, bashkatdhetarët: Pse nuk i votoi tre ligjet e kërkuara në kohën e duhur?
Rama nuk i beson as vetë programit me të cilin synon të fitojë zgjedhjet. Një program elektoral me gjithçka, për të mos bërë gjë, është i pabesueshëm për elektoratin që ndeshet përditë me arritjet e sotme në rrafshe të ndryshme të jetës, që nga infrastruktura rrugore, deri te investimet me miliarda euro që do të sigurojnë dhjetëra – mijëra vende pune; që nga marrëdhëniet miqësore gjithnjë e më të mira me fqinjët, deri te qasja e çështjes kombëtare në kuadër të integrimit europian. Fshati që duket, s’do kallauz. Nga ky këndvështrim, Ramës s’i mbetet veç të shkurdisë fushatën elektorale me karagjozllëqe, siç po bën aktualisht aktori komik Beppe Grillo në Itali, të cilin po e shohin si rrezik politik numër një të demokracisë të gjitha koalicionet vendase që synojnë të fitojnë zgjedhjet e së dielës së ardhshme, të majta, të qendrës ose të djathta.
Jashtë përmbajtjes së programit të pretenduar rilindës, gjithë fushata elektorale e Ramës është fokusuar në dy drejtime: të riparojë profilin e vet politik dhe të pastrojë pengesat brenda PS-së, që të mbijetojë në krye të saj.
Së pari, lideri socialist synon të ngrejë reputacionin që tashmë i ka rënë në nivelet më të ulëta, duke potencuar takime me diplomatë të akredituar në Tiranë ose me personalitete të politikës europiane, çka s’është aspak e çuditshme t’i jetësojë cilido kryetar i opozitës së një vendi në prag të hyrjes në BE. Kështu, “lajmi i gëzuar” në twitter për ithtarët që i besojnë ende, se ishte zgjedhur nënkryetari i gjashtëdhjetë a i shtatëdhjetë e kusur i Internacionales Socialiste të kryesuar nga Papandreu, i cili e çoi Greqinë atje ku është. Kështu, gëzimi që ka ndier kur kanë ikur të djathtët nga pushteti në ndonjë vend të BE-së, me shpresë se do të vinin në pushtet të majtët, çka Rama do ta propagandonte sikur erërat do të ndërronin drejtim, do të frynin pupën e anijes që drejton. Lëvizje të tilla butaforike, s’kanë asnjë ndryshim nga titulli “Qytetar Nderi” që i paska dhënë Kreshnik Spahiut New Yorku, për s’dihet çfarë kontributi ndaj metropolit amerikan.
Së dyti, Edi Rama po përpiqet t’i pastrojë përfundimisht forumet e PS-së nga kundërshtarët, të cilët kërkojnë një parti opozitare të vërtetë, që të vijë në pushtet përmes votës dhe jo me bojkote, me bllokime ligjesh e reformash, me bllokime rrugësh, me greva urie, me grusht shteti e me mënyra të tjera të tipit komunist. S’ka sesi shpjegohen prurjet e reja me njerëz pa kontribute në PS, të cilët, ose s’i ka lidhur dhe s’i lidh gjë me proceset e politikës shqiptare të këtyre njëzet e ca vjetëve (Parid Cara, thirrur nga Italia dhe komanduar si kandidat për deputet i qarkut të Tiranës), ose ua ka pirë lëngun me kohë dhe, tashmë, synon t’i përdorë në të ardhmen si pupacë politikë (gazetari Alfred Peza).
Tashmë, elektoratit shqiptar ndodhet përballë alternativës: ose t’i qaset shkurdisjes së zemberekut që do ta kthente vendin tek shtatorja e Enver Hoxhës në qendër të Tiranës, ose kurdisjes për projekte madhore si ato që janë arritur këto vite të koalicionit qeverisës.