Ermal Beqiri në arrati, tenderët e AKSHI-t po i merr kunati Gentian Likaj?

Procedurat e prokurimit në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit duket se vijojnë të përfshijnë të njëjtët aktorë, pjesë e skandalit AKSHI, për të cilin SPAK dhe GJKKO kanë shpallur Gentian Beqirin dhe Ergys Agasin në kërkim, ndërsa krerët e instituciuonit janën nën masën e arrestit.
Së fundmi, AKSHI ka shpallur fituesin e tenderit për “Mirëmbajtjen e Sistemit Informatik të Menaxhimit Financiar (AFMIS) për Ministrinë e Financave”, një kontratë me fond limit rreth 1.7 milionë euro pa TVSH.
Kontrata parashikon mirëmbajtjen e sistemit për një periudhë 24-mujore nga momenti i nënshkrimit të kontratës.
Procedura ishte shoqëruar me një sërë ankimimesh, ku një nga subjektet që ka kundërshtuar procesin ka qenë kompania “Data Log” e Sokol Sinanit, një emër që shfaqet shpesh në tenderët e AKSHI. Komisioni i Prokurimit Publik vendosi më 27 janar të rrëzojë ankesën, duke i hapur rrugë autoritetit kontraktor për vijimin dhe finalizimin e procedurës.

Sipas organit të akuzës, në krye të këtij grupi qëndronin Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.
Megjithatë, siç raporton portali “skyweb”, edhe pse aktorët duken të ndryshuar, lidhjet mes tyre mbeten të pranishme në terren dhe ende “bëjnë lojën”.
Gentian Likaj, një përfitues i madh i fondeve të AKSHI-t, sipas raportimeve mediatike, është kunati i Gentian Beqirit, i cili në dosjen e SPAK përmendet si një nga personazhet kryesore të skemës së përfitimit të fondeve të AKSHI përmes fryrjes së fondeve limit apo orientimit të tenderëve drejt kompanive të lidhura me të.
“Communiction Progress” rezulton të ketë përfituar rreth 20 milionë euro tenderë publikë, kryesisht nga AKSHI, gjatë viteve të fundit sipas të dhënave të thesarit të përpunuara nga “Open Data”.

Në këtë skemë përmenden kompani si “Soft & Solution” dhe “Horizon”, apo edhe subjekte të lidhura me grupin si First e Gezim Hoxhës dhe “Fastech” e Andis Papës, për të cilat SPAK ka gjetur prova se kanë qenë pjesë e rrethit të personave që kanalizonin fondet e AKSHI.

Paralelisht me këtë zhvillim, në një tjetër tender të shpallur së fundmi nga AKSHI për “përmirësimin e sistemit të pagesave të e-dëmshpërblimeve”, me fond limit rreth 33 milionë lekë ose rreth 340 mijë euro pa TVSH, fitues u shpall bashkimi i operatorëve ekonomikë “Data Log” dhe “Advanced Business Solutions”.
“Advanced Business Solutions” figuron në emër të nënës së Gerond Meçes, i cili i ka kaluar aksionet në mënyrë formale familjarëve të tij.
Kontrata për këtë procedurë parashikon një afat zbatimi prej 33 muajsh, me 9 muaj implementim dhe 24 muaj mirëmbajtje. Oferta fituese për këtë tender ishte rreth 300 mijë euro.
Në dokumentet e tenderit shfaqet edhe firma e drejtuesit të ri të AKSHI, ndërsa procedurat e fundit tregojnë se, pavarësisht ndryshimeve në drejtimin e institucionit, aktorët që shfaqen në tenderët e këtij institucioni mbeten të njëjtët.
Në të njëjtën kohë, tenderi për mirëmbajtjen e sistemit AFMIS u zhvillua në një periudhë kur sistemi financiar i qeverisë nuk funksiononte plotësisht.
Për këtë arsye, Ministria e Financave u detyrua të udhëzonte institucionet që procedurat e prokurimit të vijonin duke marrë numra transaksioni manualisht nga degët e Thesarit.
Në këtë mënyrë, ndërsa hetimet për skandalin e AKSHI vijojnë, tenderët e këtij institucioni vazhdojnë të rikthejnë në skenë të njëjtët emra dhe kompani që kanë qenë pjesë e procedurave të mëparshme të prokurimit publik.