E Hënë, 2 Nëntor 2026

Erozioni detar ‘përpin’ bregdetin e Kunës në Lezhë, stuhitë detare rrëzojnë pishat. Reagojnë ekspertët

Pisha të rrëzuara, deti që avancon gjithnjë drejt lagunës. Këto janë pamjet e bregdetit të Kunës në Shëngjin pas stuhive detare të javëve të fundit.

Pisha dhjetra vjeçare janë rrëzuar, e të tjera rrezikojnë rrënjën. Erozioni detar në zonën turistike po merr përmasa shqetësuese, duke bërë që disa herë të ndodhë bashkimi i detit me lagunën.

Pas ndërtimit të barrierës mbrojtëse në anën jugore të grykëderdhjes së lumit “Drin”, erozioni është bërë më agresiv në bregdetin e Kunës. Deti po avancon periodikisht çdo vit, sipas ekspertit Jak Gjini.

Në këto kushte, sipas ekspertiti Gjini, Laguna e Kunës rrezikon ekzistencën.

‘Ka pasur vite që deti ka avancuar edhe në 20 metra në bregdetin e Kunës, këtu është bashkuar me lagunën disa herë dhe kur gjenë fragmente pyjore aty mdalon. Laguna e gjitha po shkon në shpërbërje’, tha ai.

Ekspertët mjedisorë kanë lëshuar prej vitesh alarmin për erozionin detar në zonën e Kunë-Vainit në Shëngjin.

Sipas Bashkisë Lezhë, ndërhyrjet që do mund të stoponin fenomenin natyror shoqërohen me kosto të mëdha financiare, të papërballueshme për buxhetet vendore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›