Ersekë, gjendet pas 4 ditësh trupi i bariut të mbytur në rezervuar

Gjendet trupi i Festim Bimos, 27- vjeçarit, i cili u mbyt katër ditë më parë në rezervuarin e fshatit Gostivisht në Ersekë, ndërsa po shpëtonte bagëtitë.
Kërkimet e polumbarëve për gjetjen e trupit të bariut u vështirësuan shumë nga uji i turbull dhe thellësia e rezervuarit dhe është dashur shkarkimi i një sasie të madhe uji që të dilte në sipërfaqe trupi i pajetë i 27- vjeçarit.
Festim Bimo nga fshati Gostivisht i rrethit të Kolonjës, u mbyt në rezervuarin e fshatit mbrëmjen e së martes, ndërsa po përpiqej të nxirrte nga uji njërën nga delet e tufës së tij, të cilat ishin i vetmi burim jetese për familjen e Festim Bimos, baba i dy fëmijëve.