Ertjan Kofsha, jashtë Botërorit të Meksikës

Do të duhet të ishte në Kampionatin Botëror të Paratërinjve në Peshëngritje në Meksikë, Ertjan Kofsha, kjo si i vetmi përfaqësues i Shqipërisë në peshën 81 kilogram. Madje e mërkura në mëngjes do të duhet ta shihte në pedanë, atje ku me shpresën për medalje i bënte krenar të gjithë. Dhe në deklarime në Baterinë A të peshës 81 kilogram, Kofsha me 315 kilogram në dygarësh ishte medalist i padiskutueshëm.
Por… Vonesa e dhënies së vizës meksikane për të dhe trajnerin Leonard Toska e ka privuar nga një garë në të cilën do të sillte medalje. Këtë bindje ka dhe sot presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, i cili ka premtuar se do të ngrerë zërin në Kongresin zgjedhor të Federatës Botërore që do të zhvillohet në Tiranë më 25-26 qershor për të mos i dhënë më aktivitete Meksikës.
“Së pari – thotë Gjoza – e refuzuan vizën, edhe pse ndërhymë nëpërmjet kryeministrit e Ministrisë së Jashtme. Së dyti pranuan dhe e dhanë vizën të hënën, ndërsa të martën, sipas orës së Meksikës, ishte gara. Pra atëherë kur nuk duhej dhe kjo na bën të themi skandaloze. Keqardhje për sportistin dhe trajnerin e tij, por të jeni të bindur që në garat e ardhshme Kofsha përsëri do të jetë medalist”. Në Kampionatin Botëror të moshës deri në 20 vjeç në Kretë, Kofsha ishte medalist i bronztë në stilin e shkëputjes.