Ervin Demo prezanton Akademinë e Trajnimit të Qeverisjes Vendore: Hap historik drejt forcimit të pushtetit vendor

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, prezantoi këtë të enjte (18 dhjetor), Akademinë e Trajnimit të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore, një nismë e re që synon forcimin e kapaciteteve profesionale të bashkive dhe përgatitjen e tyre për standardet europiane në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian.
Gjatë fjalës së tij, Demo e cilësoi akademinë si “kurorëzimin e një nisme ku janë përfshirë shumë aktorë”, duke theksuar se ky institucion i ri do të shërbejë si platformë e specializuar për nevojat specifike të pushtetit vendor.
Ai vuri në dukje se, megjithëse pushteti vendor ka bërë përparime të ndjeshme në administrim dhe ofrim shërbimesh, ende mbetet shumë për të përmirësuar për të arritur standarde më të larta.
“Kjo është kurorëzimi i një nisme ku janë përfshirë shumë aktorë. Sot është prezantimi zyrtar i akademisë për pushtetin vendor. Nevojat e pushtetit vendorë janë specifike dhe nuk ka më mirë se kryetarët e bashkive dhe qarqeve që e dinë më së miri se cila është nevoja reale që puna në territor të përkthehet në shërbime më të mira për qytetarët. Pushteti vendor ka bërë përparime të jashtëzakonshme sa i përket një administrimi më të mirë, shërbimi më të mirë për qytetarët, por ka ende shumë për të përmirësuar që të bëjmë që bashkitë e vendit të jenë në nivel tjetër”, u shpreh ai.
Demo e lidhi këtë nismë me procesin e integrimit europian, duke theksuar se kapitulli i fundit i hapur në negociata prek drejtpërdrejt autoritetet lokale dhe sjell mundësi të reja për bashkitë. “Bashkitë duhet të jenë gati ditën e parë që Shqipëria hyn në BE, për të shfrytëzuar maksimalisht mundësitë që ofron Unioni”, u shpreh ai.
“Kapitulli i fundit që u hap, është ai kapitull i cili do të preki autoritete lokale sepse bëhet fjalë për mundësitë e reja që do të kenë bashkitë. Kjo është një sfidë historike ku bashkitë kanë një rol shumë të rëndësishëm që shpeshherë, në fakt bashkive nuk i jepet kjo meritë për sfidën që duhet të përballojnë. Bashkitë duhet të jenë gati ditën e parë që Shqipëria hyn në BE që të bëjnë maksimumin në shfrytëzimi9n e mundësive që sjellë BE”, theksoi ai.
Ministri nënvizoi se viti 2026 do të jetë vendimtar për disa reforma kyçe.
“Viti 2026 do të jetë një vit që do të kurorëzojë disa nisma të cilat do ta bëjnë rrugëtimin e bashkive më efecient. Flasim për AMFIS, i cili do përmirësojë menaxhimin financiar në nivel vendor, do ta bëjë më transparent më efecient. Kemi dixhitalizmin e shërbimeve lokale, një nismë e jashtëzakonshme për pushtetin vendor. Kemi finalizuar mbështetjen nga Banka Botërore ku të gjitha bashkitë në të njëjtën kohë do të bëjnë të mundur dixhitalizimin e shërbimeve. Këto iniciativa në fund do të kenë akademinë si një platformë e cila do t’i ndihmojë bashkitë, për secilin nga objektivat që duhet të arrijmë”, tha ai.
Në përfundim, Demo theksoi se Akademia e Trajnimit do të jetë mekanizmi që do të mbështesë bashkitë në çdo hap të këtyre reformave, duke i ndihmuar të arrijnë objektivat e vendosura në rrugën drejt integrimit europian.
/rtsh.al/