Erzen Breçani para gjykatës/ Grupi kriminal i akuzuar për trafik droge, pastrim parash dhe tentativë vrasjeje

Gjykata e Posaçme do t’i komunikojë sot ish-numrit dy të policisë, Erzen Breçani masën e sigurisë e po ashtu edhe 3 personave të tjerë, që u arrestuan të hënën në mbrëmje.
Avokatët e Breçanit, ish-shefi i seksionit për krimet në komisariatin nr 6 Dedan Gjoni, Bujar Gëmizit dhe Besmir Murtatit, kanë kërkuar kohë për tu njohur me dosjen 104 faqe.
Sipas SPAK ish-nëndrejtori dyshohet se ka përkrahur dy autorë krimesh, Bujar Gërmizin dhe Nuredin Dumanin duke u dhënë informacione për t’iu shmangur një arrestimi të mundshëm.
Ish- shefi i krimeve Dedan Gjoni, pas enkriptimit të SKY Ecc, dyshohet se i ka dhënë informacione për vendndodhjen e dy vëllezërve Albert e Edmond Nela, që ishin vënë në shënjestër për tu ekzekutuar nga Ismail Zeneli, i shpallur në kërkim.
Sipas SPAK informacionet ai i ka përfituar përmes agjentes së Interpolit, Jonida Babameto.
Ndaj saj gjykata ka vendosur masën Detyrim Paraqitje pasi dyshohet se ka kryer shpërdorim detyre. Babameto ndërkohë ndodhet jashtë shtetit në një trajnim në Poloni, ndërsa ka 5 ditë kohë për tu paraqitur në gjykatë nga dita e caktimit të masës.
Nga ky operacion u shpallën ne kërkim edhe 6 persona të tjerë, mes të cilëve edhe djali i Erzen Breçanit, Eralbi Breçani, si dhe Ervin Mata, Ismail Zeneli etj.
Në bashkëpunim ata janë vënë nën akuzë për vepra të rënda kriminale, nga trafikimi ndërkombëtar i drogës përmes grupit të strukturuar kriminal deri te sigurimi i kushteve për të vrarë, të kryera sipas SPAK nga grupi i strukturuar kriminal.