“Është rritur niveli i barazisë para ligjit”, Rama: Puna e policisë meriton respekt

Rama është i pranishëm këtë të premte në eventin e organizuar nga Ministria e Brendshme, e cila prezantoi një anketim të financuar nga qeveria suedeze, që mat perceptimin e qytetarëve mbi nivelin e sigurisë dhe besimin tek Policia e Shtetit.
Rama theksoi rëndësinë e barazisë para ligjit, duke theksuar se Shqipëria nuk ka qenë kurrë më e mobilizuar për ta arritur këtë qëllim.
“Kurrë më shumë sesa sot, Shqipëria nuk ka qenë e angazhuar për të garantuar barazinë para ligjit. Kjo na është konfirmuar edhe nga çelja e negociatave me BE-në, e cila nuk ishte një dhuratë apo vendimmarrje politike, por një njohje e progresit të bërë,” tha Rama.
Ai shtoi se qytetarët janë baza e sigurisë dhe se Këshilli i Sigurisë Publike, i krijuar vitin e kaluar, është një strukturë që i shtohet arkitekturës institucionale të sigurisë në vend.
“Prej më shumë se një dekade, qeveria e Suedisë financon një anketim shkencor të pavarur, për të matur nivelin e kënaqësisë apo pakënaqësisë së publikut në raport me Policinë e Shtetit. Kjo iniciativë është një reflektim i vazhdueshëm dhe meriton mbështetje të plotë,” shtoi ai. /vizionplus.tv