E Shtunë, 31 Tetor 2026

Etër dhe bij

Aktori rumun Victor Rebengiuc flet për rolin e tij të shkëlqyer në filmin "Medalja e Nderit", konkurrent në "Botë Ballkanike" në Festivalin e Durrësit.
Rebengiuc për teatrin dhe kinemanë në Rumaninë e Çausheskut


Filmi "Medalja e nderit" ("Medalia De Onoare",2009) me regji të Calin Peter Netzer, u shfaq të martën në seksionin "Botë Ballkanike" të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës. Konflikti mes etërve dhe bijve në Rumaninë e Çausheskut e mbajti të mbërthyer për dy orë shikuesin.


Joni, një burrë 75-vjeçar, shkon në polici dhe denoncon të birin që kërkon të largohet nga Rumania, e kredhur në një realitet dëshpërues.


E gjitha kjo
në emër të dashurisë. Me aktorët: Victor Rebengiuc, Camelia Zorlescu, Mircea Andreescu, Ion Lucian, Radu Beligan, Costica Draganescu.
Protagonisti i filmit, aktori 77-vjeçar Victor Rebengiuc ishte i pranishëm në mbrëmjen shfaqjes së filmit.


Një ditë më vonë, Rebengiuc tregon për "Shekullin" rreth punës për krijimin e personazhit. "Kanë ekzistuar, ashtu siç e dinë të gjithë, terrore që i shtynin njerëzit në dëshpërim", thotë aktori.


Rebengiuc ka interpretuar në filmat e një gjenerate të talentuar regjisorësh në atë kohë. Njëri prej tyre është Liviu Ciulei, me të cilin ka bashkëpunuar për filmin "Në pyllin e të varurve" (1964). Ky film ruhet bashkë me disa të tjerë në arkivat e Kinostudios në Tiranë.


Z. Rebengiuc, urime për filmin në tërësi dhe për interpretimin tuaj në mënyrë të veçantë e cila nuk pati asnjëherë rënie. Përse e morët këtë rol dhe çfarë vendi zë ai në karrierën tuaj të viteve të fundit?


E mora këtë rol sepse më është dhënë. Është një rol sikur të ishte kënga e fundit e mjelmës. Nuk besoja se do të më jepej një rol kaq i rëndësishëm. Jam një njeri në moshë dhe sot rolet kryesorë në filma i luajnë të rinjtë dhe të bukurit.
E kam luajtur personazhin me dashuri dhe frikë sepse unë e kam jetuar atë kohë.


Nëpërmjet këtij roli shfaqen edhe raportet e individit rumun me historinë. Ju çmendoni për këtë raport që personazhi juaj ka me të kaluarën.


Historia është prezente në film, historia e këtij personazhi është historia e shumë njerëzve në Rumani. Kanë ekzistuar ashtu siç e dinë të gjithë, terrore që i shtynin njerëzit në dëshpërim. Kishte njerëz që zgjidhnin largimin për në vende të lira e të qeta dhe këtë rrugë e ka gjetur edhe i biri, Korneli, i personazhit kryesor.


Ky njeri e donte shumë këtë djalë dhe nuk mund ta imagjinonte ikjen e të birit nga Rumania, një akt i dënueshëm atë kohë. I shtyrë nga dashuria për të birin, Jon, shkoi në polici dhe denoncon të birin. Një gjest nga dashuria e madhe që shkakton dramë.


Për të rifituar dashurinë e të birit, Jon përpiqet të fitojë një mendalje nderi. Në këtë linjë regjisori nuk e kursen ironinë ndaj shtetit, të kaluarës, mentalitetit të një brezi që i përket personazhi juaj.


Personazhi im nuk bënte pjesë në Policinë Sekrete. Denoncimi i të birit do t'i sillte shumë shqetësime, do t'i ndryshonte jetën. Pas këtij akti e shoqja dhe i biri nuk deshën ta njihnin më si baba.


Dhe hyjnë në film atëherë këto medalje. Në këtë linjë ky njeri donte ta bënte veten të rëndësishëm. Është një personazh që ka bërë gjëra të bukura në jetë.
Ju e patë filmin. E kam dashur shumë këtë personazh dhe e kam kuptuar vuajtjen e tij. Pikërisht kjo medalje i jepte forcë për ta nxjerrë nga gjendja shpirtërore.


Mund ta prezantoni diçka më shumë veten meqë ky është takimi i parë me publikun shqiptar?


Jeta ime si aktor nisi fare rastësisht. Në fakt përgatitesha për një karrierë si teknik. Rastësisht në shkollë interpretova në një pjesë teatrale. Nisa të luaj në grupet amatore dhe nuk mendoja kurrë që teatri do të ishte puna ime kryesore. Dikush luante futboll unë luaja teatër. Ja kështu nisi. Isha 17 vjeç, në vitin e fundit të shkollës së mesme. Drejtori im i shkollës ma shtiu në mend t'i hyja shkollës së aktrimit. Dhashë provimet për të hyrë në Institut dhe fitova.


Si e kujtoni botën e teatrit dhe kinemasë në Rumaninë e Çaushkeskut?


Kanë qenë vite të vështira nga pikëpamja e çensurës. Kishim një repertor të detyruar që duhet të bënim. 60% të pjesëve ishin sovjetike dhe klasike ruse. 30% ishin pjesë rumune dhe 5% ishin literaturë universale, Shekspir, Molier.


Nuk ka qenë e lehtë ajo kohë, por ishim të rinj. Kam qenë pjesë e një gjenerate të talentuar me regjisorë shumë të mirë. Në replikat ndihej një revoltë e vogël, një kritikë social-politike, dhe publiku e ndjente këtë gjë, ne kishim mirëkuptimin e tij.


Ç'mendoni për kinemanë rumune sot. A gjen kjo kinema te spektatori rumun atë aprovim që gjen jashtë kufijve të vendit?


Është një gjeneratë e regjisorëve të rinj të cilët kanë gjetur një mënyrë shumë moderne të shprehuri e cila është përqafuar nga spektatori, është përshëndetur prej tij. Nuk mund të harrohet ajo kohë, periudha e Çausheskut kur kinemaja ka qenë shumë e censuruar. Kam luajtur filma që janë xhiruar, janë ndaluar dhe kanë mundur të shfaqen pas viteve '90. Për shembull "Përse bien kambanat mitike", film i Lucian Pintilie.


A keni pasur ndonjëherë ndonjë lidhje me Shqipërinë, emocione, kujtime?


Kjo është vizita ime e parë. Kam pasur disa kolegë, disa studentë operatorë kur ishim në fakultet, por emrat nuk ua mbaj mend. Kur të kthehem do të bëj një reklamë të madhe për Shqipërinë dhe kam për të thënë ejani vizitoni Shqipërinë.


Po pse çfarë përshtypje ju ka lënë?


Prisja një vend të largët, më vjen keq që në Rumani nuk dihet fare për Shqipërinë. Gjeta diçka të jashtëzakonshme. Kam parë gjëra shumë të bukura.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›