Zbulim i ri, qokë te 40 shenjtorët
Konkë e kishës, quhet ajo që ka dalë në dritë këto ditë nga ekspedita e një ekipi të Institutit Arkeologjik. Manastiri i rrallë, i ndodhur mbetet jashtë axhendave turistike, për shkak të rrugës
Ekspedita e verës në Manastrin e 40 shenjtorëve në Sarandë, nën drejtimin e arkeologut, Skënder Muça, përfundoi me daljen në dritë të një hapësire rrethore, e cila në gjuhën profesionale quhet konkë.
Ky informacion vjen nga Ilir Papa, i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, Sarandë, që shpjegon se arkeologët ishin në dijeni të ekzistencës së saj. Konka u gjend në juglindje të hapësirës, së Kishës, pjesë e Manastirit. Zbulimi është me rëndësi në një kohë kur Manastiri i 40 shenjtorëve, pritet të hyjë në një fazë të re ndërhyrjesh, konsolidimesh, zbulimesh dhe investimesh rreth e qark.
Nga errësira në dritë
Katakombet janë pjesa më interesante e Manastirit të 40 shenjtorëve. Por brenda tyre, është errësirë e plotë dhe e frikshme sa të kall datën, nëse besohet se shpirtrat e shenjtorëve enden aty.
Projekti parashikon që në ato katakombe të futet ndriçimi dhe të ndërhyhet sidomos në afreske. Ndërkohë, nga jashtë, vijojnë ekspeditat zbuluese për të bërë të mundur nxjerrjen në dritë të asaj ç`ka është nën gërmadha dhe për konsolidimin e të gjithë hapësirës monumentale.
Për momentin, aty ka një pamje joshëse, por dhe të trazuar, ngase gjithçka është e pa formë. Diku gërmime, diku shembje, diku terrene të lëna pas dore, etj. Papa shpjegoi se në projekt është edhe gjelbërimi i ambienteve për ta bërë sa më të këndshëm. Kjo në të ardhmen.
Vizitat, tek tuk
Manastiri i 40 Shenjtorëve, renditet ndër pasuritë më të rralla të trashëgimisë mesjetare të Sarandës. Por nuk përfshihet në axhendat e vizitave turistike. Rruga gjer aty është torturë. Quhet rrugë, por dhe dhia do i shmangej atyre anëve, me inteligjencën që mund t`ia imoponojë tmerri për ecur në një udhë mbi copa shkëmbinjsh.
Veç kësaj, e ashtuquajtura udhë, ka një panonamë të ndotur rreth e rrotull, me plehra gjysmë të djegura dhe ku ferrave valëviten qese plasmani.
Megjithatë, të huajt nuk ngurrojnë të ngjiten deri aty nga pasioni dhe kurioziteti. Kjo, sipas Papës, do të thotë se 40 Shenjtorët nuk janë harruar. Ata janë aty, sepse dikush do t'i shohë! Kreu rajonal i Monumenteve të Kulturës, thotë se rruga (që sipas tij, do bëhet), është shkaku kryesor që monumenti nuk ka vizitueshmëri të rregullt e është jashtë axhendave.
Mirëpo Bashkia, ka ideuar një projekt më të madh se rruga: një shkallare gjigande me 192 shkallë, që të ngjitesh aty nga qyteti. Ideja është, por nuk ka para. Kjo bën që shkallarja të ekzistojë vetëm virtualisht në kalendarin e botuar nga Bashkia.
40 shënjtorët mes romakëve, fashistëve dhe komunistëve
Deri më tani nuk vihet në diskutim versioni që 40 shenjtorët janë dyzet shpirtra të krishterë, që u masakruan nga perandori romal Licinus, për shkak të besimit të tyre.
Nga shekulli i 6 pas Krishtit, u ndërtua manastiri për nder të tyre. Fati i këtij monumenti, është i lidhur ngushtë me kohën. Thuhet se ka qenë aktiv e i pa cënuar deri në periudhën e Luftës së Parë Botërore, kur bombardohet nga një aeroplan italian, që e shndërron në gërmadhë.
Më tej, italianët e Luftës së Dytë Botërore futën në ambientet e saj një depozitë uji e një çesmë për nevojat e tyre. Në regjimin komunist aty u ndërtua një bunker dhe vetë hapësira monumentale, u morr në përdorim nga ushtria si pjesë e repartit kundra ajror, ç`ka solli dhe shfrytëzimin e katakombeve me afreske për "përdorim ushtarak pseudoerotik".