E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ethem Ruka flet për marrdhënien e vështirë PS- LSI

Sekretari i Burimeve Njerëzore në PS thotë se divorci i LSI-së nga koalicioni i majtë kishte në origjinë të vet, etjen e shfrenuar për para dhe pushtet

Et’hem Ruka, një nga veteranët e PS-së, tha dje se gjithë deklaratat e LSI-së për parime të larta opozitare nuk qëndrojnë dhe se në prapaskenë të gjithë kësaj lufte të orkestruar nga partia e vogël e majtë, qëndron babëzia për para dhe pushtet.

Ruka e quajti qesharake klimën e marrëveshjeve politike që synohen të bëhen, por që rrezikojnë sistemin e vlerave demokratike. “Shumë parti të vogla... mbështeten në parimin “Sa më shumë pushtet, aq më shumë para dhe sa më shumë para, aq më shumë pushtet”, - tha Ruka. Ai vuri theksin tek fakti që “torta” e pushtetit do të ndahet vetëm mbi bazën e kontributeve paszgjedhore. Veterani socialist shtoi se shumë parti janë feude të vogla të vëna në shërbim të mirëqenies së kryetarëve. Sipas tij, do të ishte pozitiv reduktimi i numrit të partive, pasi koalicionet qeveritare me një numër të madh partish kanë përfunduar, siç u shpreh ai, në sisteme gjobash për përfitime të pamerituara. Zoti Ruka foli edhe për anëtarësinë e PS, duke përmendur një rritje të numrit të saj dhe së fundi duke iu referuar LSI-së, u shpreh se drejt saj janë larguar vetëm disa njerëz të inatosur, të cilët presin ofiqe pa dhënë kontribute.

-PS-ja gjatë këtyre dy viteve të fundit është angazhuar në një proces intensiv, që lidhet me regjistrin e saj të anëtarësisë. Si është përmbushur ky objektiv që buronte veç të tjerash, edhe nga ndryshimet që pësoi statuti i kësaj partie?

“Anëtarësia në partitë politike nuk është më një parametër i ngrirë as për partinë tonë dhe as për partitë e vendeve të tjera të zhvilluara. Shpesh partitë kanë një evolucion të brendshëm që ndryshon në mënyrë ciklike edhe brenda një mandati qeverisës ose të qenit në opozitë. Në Shqipëri, për shkak të traditës monopartiake, por edhe të luftës së ashpër politike ndërpartiake, lojërat e shifrave të anëtarësisë dhe pjesëmarrjes në mitingje janë përdorur si shenjë e “shëndetit” politik të një partie, por edhe si avantazh i saj propagandistik në raport me partitë e tjera.  Shumica e partive në Shqipëri nuk kanë ende një regjistër të saktë të anëtarësisë dhe simpatizantëve të tyre, e për pasojë nuk e dinë realisht se cila është gjendja reale e tyre. Filtrimi i librit të anëtarësisë së PS-së u krye në mënyrë të suksesshme gjatë fushatës së fundit zgjedhore në parti. Asnjë forcë tjetër politike nuk do të mund të bënte dot atë që bëri PS-ja, duke dërguar në mijëra e mijëra organizata partie si të  deleguar për zgjedhjet të gjithë anëtarët e Asamblesë së saj Kombëtare. Falë këtij aksioni të madh politik u saktësua regjistri i anëtarësisë së partisë, i cili sot jo vetëm që është më reali, por edhe shumë funksional. PS-ja është e shtrirë në mënyrë kapilare në të gjithë territorin e vendit, madje edhe në fshatin më të largët e më të shpopulluar. Regjistri i anëtarësisë është tërësisht i dixhitalizuar, jo thjesht si emra, por me një tërësi gjeneralitetesh, të cilat na lejojnë të analizojmë grafikisht në çdo moment një mori parametrash që kanë të bëjnë me strukturën moshore, gjinore,  arsimore, profesionale, gjendjen e punësimit etj. Sot ne jemi në gjendjen nëse duhet të komunikojmë që nga selia qendrore me pothuaj çdo anëtar partie edhe cepin më të largët të vendit”.

 -Herë pas here ka pasur prurje të reja në anëtarësinë e PS-së. Sa është diferenca krahasuar me vitin 2005?

 “PS-ja është e para parti politike në vend, e cila në përputhje me ndryshimet e saj statusore, jo vetëm që liberalizoi pranimet në parti, por hoqi edhe të gjitha barrierat e stazheve kohore, që demotivonin të rinjtë për karrierë të shpejtë politike. Është e vërtetë që në PS ka realisht shumë prurje të reja. Një numër i madh intelektualësh të rinj kanë pranuar me vullnet të lirë të bëhen pjesë e angazhimeve dhe përgjegjësive të kësaj partie. Këto prurje duhen vlerësuar për sa kohë ato ndodhin, kur një forcë politike si PS-ja është në opozitë dhe jo në pushtet. Ndryshimet në numrin e anëtarësisë në krahasim me vitin me 2005 janë me mijëra e mijëra anëtarë të rinj”.

-Ssi e vlerësoni qëndrimin e LSI-së gjatë kësaj periudhe, në një kohë që ka pasur le të themi thirrje ndaj anëtarësisë së PS-së për t’iu bashkangjitur koalicionit “E majta për integrim”, ndërsa ende nuk po gjendet gjuha e përbashkët për kodin zgjedhor?

“Situatat brenda partive politike dhe midis partive politike do të bëhet edhe më interesante duke marrë si pikë referimi zgjedhjet e ardhshme, si dhe ndryshimet që priten në kodin e ri elektoral. Disa parti duan të qëndrojnë në pushtet, të tjera duan të vijnë në pushtet, ashtu siç ka një numër shumë të madh partish që luftojnë për ekzistencën e tyre, të paktën në parlamentin e ardhshëm. Në këtë klimë marrëveshjesh qesharake e pabesish tipike ballkanike, rrezikojmë që sistemin e vlerave demokratike ta zvetënojmë akoma më shumë. Politika e re në fund të fundit synon shëndetin e klasës së ardhshme politike dhe rritjen e përgjegjësive të saj në kontratën me qytetarët. Për fat të keq, për shumë parti politike, që janë feude të vogla në shërbim të mirëqenies së kryetarëve dhe dhëndurëve të tyre, këto parime nuk kanë asnjë lloj interesi dhe asnjë lloj vlere. Në këndvështrimin tim, shumë parti të vogla, të djathta e të majta, përfshirë për fat të keq edhe LSI-në, e shikojnë të ardhmen e standardeve demokratike në mënyrë shumë pragmatiste, duke u shmangur nga përgjegjësia për një reformë të thellë, e cila synon të përjashtojë një  produkti politik të kalbëzuar, që mbështetet në parimin “Sa më shumë pushtet, aq më shumë para dhe sa më shumë para, aq më shumë pushtet”. Thirrjet “Bashkohuni me mua” dhe “Ikni nga ai” janë normale. Largimi i disa njerëzve të inatosur që presin ofiqe në PS, pa kontribute, nuk përbën asnjë shqetësim. PS-ja është vazhdimisht në testim të vetes. Ju kërkoni gjëra konkrete se çfarë ndodh me mbështetjen që ka PS-ja? Mjafton t’ju them se besimi në partinë tonë është rritur, ndërsa për PD-në po vjen duke rënë. Kjo dukuri është paralele si për zonat urbane, ashtu edhe për ato rurale”.  

-A të bën të mendosh kjo përplasje me LSI-në për një ripërsëritje të asaj çka ndodhi në vitin 2005?

“Pa dyshim që historia dhe përvojat kanë vlerën e tyre. Sot, në mënyrë paradoksale, vendin e qeveris një parti që në zgjedhjet e vitit 2005 nuk mori dot shumicën e votave të elektoratit të vendit. Sot jemi gati tre vjet më vonë dhe në një realitet të ri, i cili kërkon edhe një vizon të ri për bashkëpunimin e së majtës, pse jo edhe të djathtës. Për ne parimi kryesor   i këtij bashkëpunimi do të ishte thjesht maksimizimi i votave të së majtës në raport me të djathtën. Por për fat të keq, në mes është torta. Ka dy mënyra për ta ndarë tortën, para ose pas zgjedhjeve. Torta mund të ndahet vetëm mbi bazën e kontributeve paszgjedhore dhe jo siç ka ndodhur, mbi bazën e pazareve të paprincipta që bëhen pranë ndonjë shisheje vere dhe  në ndonjë skutë të errtë, jashtë syve të publikut e forumeve partiake. Gjithsesi, ne jemi në pritje të  përfundimit dhe miratimit të kodit elektoral, mbi bazën e të cilit do të jemi edhe më konkretë për këtë temë. Presioni që LSI-ja bën mbi PS-në për ta konsideruar atë të njëvlershme me PD-në është i pakuptimtë dhe as që mund të krijojë dot opinion. Edhe vetë LSI-ja e di që PS-ja as ka bërë dhe as ka ndërmend të bëjë ndonjë marrëveshje PS-PD ose Rama-Berisha. Ajo që ne kemi bërë, ka qenë plotësisht transparente dhe e domosdoshme: reforma për integrimin e vendit në BE dhe NATO, që do të thotë reforma në sistemin e drejtësisë dhe reforma për konsolidimin e standardeve demokratike përmes kodit elektoral. Nëse PS-ja nuk do të kishte dhënë këtë kontribut parlamentar, ajo do të kishte qenë pa asnjë dyshim përgjegjëse para popullit të vet, por dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë për humbjen e shansin historik të vendit për integrimin në NATO dhe përafrimit me BE-në”.

-Nisur nga “Dialogu me Shqipërinë”, programi i ri politik e një mënyrë e re e të bërit politikë, si e parashikoni rezultatin e PS-së në 2009-ën?

“Dialogu me Shqipërinë është në një fazë cilësisht të re. Ne synojmë që programi i ri politik i partisë të prekë si asnjëherë më parë nga afër nevojat e qytetarit shqiptar kudo që punon e jeton. Ne duam që ky program të ngjallë shpresën e qyteteve se ky vend mund dhe duhet të bëhet. Ne synojmë që ky program të jetë më realisti i bërë në historinë e pluralizmit shqiptar, duhet të jetë programi i shkëputjes nga sofizmat premtuese, por edhe zhgënjyese për qytetarët shqiptarë. Kontributet për këtë program janë të gjithanshme dhe gjithëpërfshirëse. Në fund të fundit, PS-ja në fushatën e ardhshme për zgjedhje do të flasë me gjuhën e marrëveshjes që do të duhet, të shpifjeve për kundërshtarët politikë”.

-A mendoni se ka ardhur koha që pikërisht në 2009-ën të largohen nga skena parlamentare disa parti të vogla?

“Unë jam shprehur vazhdimisht për këtë çështje, duke e konsideruar jetik pluralizmin, por tmerrësisht të dëmshëm pluhuralizmin. Pa reformën e sotme elektorale, e cila pritet të provohet, ne rrezikonim të përfundonim gjithmonë e më shumë në pluhuralizëm. Këtu nuk është fjala për penalitete ndaj partive të vogla, por për të kolauduar sistemin, i cili duhet të jetë i papajtueshëm me fiktivitetin dhe abuzivizmin me votën e qytetarëve shqiptarë. Të këqijat e koalicioneve qeveritare me një numër kaq të madh partish kanë përfunduar në sisteme gjobash për përfitime të pamerituara, në shkatërrim tërësor të administratës politike e plotë të këqija të tjera”. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›