E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj nxori sekretin

Nëpërmjet zëdhënëses së tij, ministri i Drejtësisë tha dje se lista e kërkesave për ekstradimin e të kërkuarve në Shqipëri konsiderohet si dokument sekret, ndërsa dy ditë më parë publikoi shifra dhe emra nga kjo listë

TIRANË - Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, rrezikon të përballet me drejtësinë, pasi ka nxjerrë sekretin shtetëror, duke publikuar shifra dhe emra nga lista e të dënuarve që institucioni i tij ka kërkuar të ekstradohen. Ky pohim është bërë po nga vetë ministri i Drejtësisë, i cili nëpërmjet zëdhënëses së tij tha se lista e personave për të cilët drejtësia shqiptare ka kërkuar të ekstradohen, përbën sekret shtetëror të klasifikuar, ndaj për pasojë nuk mund të publikohen. Deklarata e ministrit Alibeaj e përcjellë te “Korrieri” nëpërmjet zëdhënëses së tij, vjen një ditë pasi vetë ai ka përmendur emra personash për të cilët drejtësia shqiptare ka kërkuar zyrtarisht të ekstradohen, duke zbuluar kështu një sekret shtetëror, veprim i cili është i ndëshkueshëm me ligj. Sipas logjikës së ministrit të Drejtësisë, i cili presupozohet të jetë një jurist i shkëlqyer, rezulton se ai vetë duhet të kërkojë të hetohet, pasi në nenin 294 të Kodit Penal thuhet shprehimisht se “tregimi, përhapja dhe informimi i fakteve, shifrave, përmbajtjes së dokumenteve apo materialeve që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, nga personi që i është besuar ose që ka mundur të vijë në dijeni për to për shkak të detyrës, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në 5 vjet. Por kjo vepër, e bërë botërisht, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 10 vjet”. Duke iu referuar intervistës publike që ministri i Drejtësisë dha në një media elektronike dy ditë më parë, deklaratës së djeshme që përcolli nëpërmjet zëdhënëses së tij dhe nenit 294 të Kodit Penal, nuk duhet të jesh jurist për të kuptuar që z. Enkelejd Alibeaj ka nxjerrë një sekret shtetëror, dhe për këtë gjë duhet të përgjigjet ligjërisht, pasi “para ligjit janë të gjithë të barabartë”. Në intervistën e tij, që u pasqyrua edhe në disa media të shkruara, thuhet se “në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë bërë 146 kërkesa ekstradimi, nga të cilat 62 janë realizuar”. Duke iu referuar deklaratës së ministrit që lista e kërkesave për ekstradime përbën sekret shtetëror dhe Kodit Penal që parashikon ndëshkimin ligjor, del se ministri ka treguar botërisht një të dhënë që konsiderohet sekret, pasi ka përmendur shifrën e saktë të kërkesave, fakt i cili parashikohet nga neni 294 i Kodit Penal. Një tjetër element ku duket qartë se Alibeaj ka nxjerrë një sekret shtetëror, gjithmonë në vijën e tij logjike, është dhe përmendja e emrit të Frrok Koçekut, i dënuar me 15 vjet për vrasje. Sipas ministrit të Drejtësisë, për këtë shtetas është kërkuar zyrtarisht ekstradimi në Shqipëri, por ai ka siguruar qëndrimin e plotë në Britaninë e Madhe. Kjo e dhënë tregon se emri i këtij personi është në listën e kërkesave që Ministria e Drejtësisë ka bërë për ekstradimet, çka do të thotë se është sekret shtetëror, të cilin Alibeaj e ka përmendur botërisht. Pra, në intervistën e tij, ministri i Drejtësisë edhe pse ishte në dijeni se këto të dhëna përbënin një sekret shtetëror, me vetëdije të plotë i ka bërë publike ato, duke sfiduar hapur ligjin dhe prokurorinë, e cila e ka ende të drejtën për të nisur hetime, kryesisht jo vetëm ndaj Alibeajt, por edhe ndaj ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, i cili 9 korrik të vitit 2006 ka deklaruar se është kërkuar ekstradimi i Aldo Bares, Izet Haxhisë, Lulëzim Berishës dhe Enver Dondollakut, duke nxjerrë kështu një sekret shtetëror.

Neni 294 i Kodit Penal

Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar

Tregimi, përhapja dhe informimi i fakteve, shifrave, përmbajtjes së dokumenteve apo materialeve që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, nga personi që i është besuar ose që ka mundur të vijë në dijeni për to për shkak të detyrës, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në 5 vjet. Por kjo vepër, e bërë botërisht, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në 10 vjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›