Ethet e Nëntorit

Sikurse në raportimin e parë, edhe në të dytin Kryeministri Hashim Thaçi është përballur në Kuvend me akuzat e Lëvizjes Vetëvendosje, tek ka raportuar për temat që ka biseduar me Ivica Dacicin në Bruksel.
Ndërsa, deputetët e LDK’së dhe ata të AAK’së i janë bashkuar përkrahjes së deputetëve të PDK’së për të vazhduar dialogun me Serbinë për normalizimin e raporteve.
Kështu, Thaçi të premten ka përsëritur fjalët që ditëve të fundit ua ka thënë zyrtarëve vendorë dhe ndërkombëtarë për takimin e dytë me Dacicin, ku është diskutuar për të zhdukurit, autostradën Prishtinë-Nish, ruajtjen e trashëgimisë kulturore serbe, transparencën e financimit të strukturave ilegale si dhe IBM’in si dhe hapjen e zyrave ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd.
Para deputetëve, Shefi i Qeverisë ka thënë se me Serbinë nuk do të bisedojë asnjëherë për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.
“Me asnjë çmim, me asnjë kusht ne nuk do të negociojmë të drejtën tonë për të negociuar e funksionuar si shtet. Të drejtën tonë për të ekzistuar dhe funksionuar si shtet i familjes europiane”, ka thënë Thaçi.
Kjo deklaratë është kundërshtuar nga deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i cili ka kërkuar nga Kryeministri të betohet para flamurit kombëtar se nuk do t’i jepet autonomi pjesës Veriore të Kosovës.
“Zoti Kryeministër, qytetarët e këtij vendi presin nga ju që të betoheni para flamurit kombëtar se kurrë nuk do të pajtoheni që Veriut t’ia jepni autonominë. Po e lë flamurin në foltore dhe betohuni”, i është drejtuar Konjufca Kryeministrit Thaçi.
Flamurin e ka marrë në dorë Kryeministri Thaçi, i cili ka akuzuar deputetët opozitarë se simbolin kombëtar e kanë gjuajtur si leckë.
Përdorimi i flamujve kombëtarë po bëhet në prag të shënimit të Ditës së Njëqindvjetorit të Shtetit Shqiptar.
Debati katërorësh për takimin e dytë Thaçi-Dacic ka vazhduar edhe me deklarata për periudha historike dhe për UÇK’në.
Madje, Rexhep Selimi ka lexuar betimin e ushtarit të UÇK’së, për t’iu thënë zyrtarëve të Qeverisë se tashmë ai betim është tradhtuar.
Por, deputetët e PDK’së dhe Kryeministri Hashim Thaçi kanë kërkuar që të mos keqpërdoret flamuri dhe betimi i UÇK’së për fushata elektorale.
Për dallim prej deputetëve të Vetëvendosjes, ata të LDK’së dhe AAK’së kanë dalë pro politikave të Qeverisë për dialog me Serbinë.
Takimi i fundit mes Thaçit dhe Dacicit ka ndodhur më 7 nëntor, ndërsa i pari më 19 tetor. Nga asnjëri prej takimeve nuk ka dalë ende ndonjë dokument i shkuar, por janë dhënë vetëm deklarata.
Shefi i deputetëve të LDK’së, Ismet Beqiri ka treguar edhe një herë pozicionin e partisë më të madhe opozitare se e mbështet Qeverinë.
“LDK’ja vazhdon të mbështesë dialogun në përputhje më Kushtetutën dhe Rezolutën”, ka thënë Beqiri.
Edhe partia e katërt në Kosovë, AAK, nëpërmjet Ardian Gjinit ka treguar se është pro dialogut me Serbinë. Ka thënë se këtë po e bëjnë jo për t’i ndihmuar Qeverisë, por vendit.
“AAK’ja, pa asnjë hezitim e ka mbështetur dialogun dhe arsyet që kanë shtyrë nuk ka pasur të bëjnë fare me ndihmesë ndaj Qeverisë, por ndaj vendit”, ka thënë Gjini.
Në emër të Grupit Parlamentar të PDK’së, ka folur Arsim Bajrami, i cili ka paralajmëruar se në vazhdim të procesit do të flitet edhe për problemet e Veriut, siç janë largimi i strukturave paralele dhe normalizimi i asaj pjese të Kosovës.
Ndryshe, gjatë debatit në Kuvend, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri e ka marrë rolin e mbrojtësit në raport me Kryeministrin. Ajo vazhdimisht u është përgjigjur pyetjeve që kanë shtruar deputetët e opozitës lidhur me IBM’in dhe për personat e pagjetur.
Edita Tahiri e ka quajtur të mirë IBM’in, ndërsa Albin Kurti ka thënë se kjo marrëveshje nuk e trajton Kosovën si shtet.
Në mes të këtyre dy qëndrimeve ka dalë deputetja e LDK’së, Vjosa Osmani.
“IBM’i është mes asaj që tha Edita Tahiri dhe asaj që tha Albin Kurti”, ka thënë Osmani e LDK’së.
Deputeti i LDK’së, Lutfi Haziri ka thënë se do të mbështesë bisedimet për aq kohë sa nuk do të bisedohet për territorin e Kosovës dhe i ka treguar Kryeministrit për detyrën më të madhe që e ka në dialogun me Serbinë.
“Detyra më e madhe është me e ruajtë dhe garantu territorin e Kosovës”, ka thënë Haziri.
Pjesë e debatit për dialogun politik Kosovë-Serbi janë bërë edhe deputetët e pakicave në Kuvendin e Kosovës.
Edhe ata i kanë përkrahur takimet mes dy kryeministrave në Bruksel.
Madje, Rada Trajkovic ka thënë se Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic janë personat e duhur për të dhënë përgjigje në pyetjet më të vështira, duke përfshirë edhe personat e pagjetur.
“Nuk shoh dikë më kompetent sesa Kryeministri Thaçi dhe ish-zëdhënësi i Milosevicit, Ivica Dacic, të cilët mund të japin përgjigje në lidhje me fatin e personave të vrarë e të kidnapuar”, ka deklaruar deputetja serbe.