E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hija e ushtarit SS në Tiranë

Uwe Timm, një prej shkrimtarëve më të famshëm të sotëm gjermanë, vjen tani, pas përkthimit në 16 gjuhë, për herë të parë edhe në gjuhën shqipe.

Bëhet fjalë për librin “Hija e tim vëllai”, që do të prezantohet me shoqërim multimedial dhe lexim skenik, të realizuar nga Stefan Çapaliku, sot (e premte) në ora 11:00 në sallën “Blackbox” në Akademinë e Arteve. “Hija e tim vëllai” konsiderohet libri më personal i autorit.

Nisur nga shembulli i të vëllait që vdiq prej plagëve në Ukrainë, ku ishte ushtar i trupave SS gjatë Luftës së Dytë Botërore, autori merret me pyetjen e deri në ç’masë kanë kontribuar vlerat dhe idealet e një brezi të tërë për vendosjen e sistemit nazist në Gjermani.

Pa doreza ndaj familjes dhe vetvetes, ai përballet me pyetjen se çfarë e kishte shtyrë të vëllanë që të regjistrohej vullnetarisht tek trupat SS, të cilat ishin të njohura për shkatërrimet e pamëshirshme, për brutalitetin dhe për krime të shumta lufte. Me këtë libër Uwe Timm shtron pyetjen universale për fajin dhe përgjegjësinë që ka gjithsecili për veprimet e veta. Libri u soll në shqip nga Pandeli Pani.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›