Etika funerale e k
• Fatbardha BITURKU*Nëse do të vlerësosh kulturën e një kombi, vëzhgo më parë mënyrën se si i trajton të vdekurit e tij - thuhet në një sentencë të njohur. Funerali është ceremonia ku shfaqen qartë vlerat përfaqësuese njerëzore. Nëpërmjet tij krijohet mundësia për të shprehur dashurinë, dhimbjen dhe vlerësimin për një jetë të ndërprerë. Njëkohësisht gjatë këtij rituali përballesh hapur dhe realisht me krizën që paraqet vdekja. Përmes ceremonisë funerale, të afërmit hedhin hapin e parë të paqtimit me ndryshimet emocionale që sjell humbja e njeriut të dashur. Në kulturën tonë vdekja është e vështirë të pranohet, si në aspektin personal, ashtu edhe në atë shoqëror. Që nga lashtësia e deri më sot, vdekja vazhdon të përjetohet dhe shikohet me frikë. Natyrisht, njeriu frikësohet nga çfarë nuk kupton dhe nuk e kontrollon dot. Zhvillimi i shoqërisë njerëzore në epoka të ndryshme nuk ka sjellë ndryshime thelbësore psikologjike për procesin e vdekjes. Mirëpo frika, shpresa, orientimi që kanë njerëzit për të nuk janë instiktive, por pjesë e simbolikës publike të kulturës njerëzore. Çdo kulturë ka një tezë koherente mbi mortalitetin. Në Shqipëri kultura funerale ka trashëguar që nga lashtësia solidaritetin për të përballuar dhimbjen. Ndërkohë përmbysja e sistemit komunist solli ndryshime dhe pasurimin e kësaj tradite me elementë të kulturës perëndimore. Këto prirje po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e realitetit shqiptar, të huazuara kryesisht nëpërmjet emigracionit. Por a e kemi ne infrastrukturën e duhur ligjore, që mbron Etikën Funebre dhe krijon premisa për mbajtjen dhe përmirësimin e standardeve?Natyrisht që jo. Realisht kjo etikë ndjehet e tronditur nga mungesa e ekuilibrave dhe infrastrukturës ligjore. Si pasojë, në këto vite kanë lulëzuar pazaret e ulëta, që nisin në pavijonet e spitaleve, vijojnë në varreza dhe përfundojnë në institucionet e pushtetit vendor. Në kërkim të shkaqeve që nxisin korruptimin e praktikave funerale kemi identifikuar disa nga shkaqet e kësaj gjendjeje dhe që lidhen me mungesën e kualifikimit dhe profesionalizmit, mosplotësimin e standardeve, përzgjedhja subjektive e kompanive që ofrojnë këto shërbime, konkurrenca e pandershme, që shpesh stimulohet nga zyrtarët e korruptuar të administratës shtetërore, kryesisht në bashki e komuna. Madje, edhe titullarët e këtyre institucioneve, që shpesh zgjatin duart për përfitime të padrejta në këtë fushë, po e banalizojnë shërbimin e rëndësishëm ndaj njeriut: përkujdesjen dhe mirëmbajtjen e "qytezave të gurta", që mbartin kujtime, histori dhe epoka. Nisma e parë për vendosjen e një strukture ligjore shënohet në vitet 1994-1996, me kalimin e këtyre shërbimeve në sipërmarrje private dhe vendosjen e disa standardeve për licencimin e subjekteve që do të operonin në këtë sektor. Mirëpo që nga kjo periudhë nuk është regjistruar asnjë përmirësim i legjislacionit, që do të ndihmonte në vendosjen e balancave midis merkatos funebre dhe komunitetit. Madje, nuk është ndërmarrë asnjë studim serioz nga ministritë përkatëse. Ndërsa një vendim i Këshillit të Ministrave i miratuar në fund të mandatit të qeverisë socialiste, në kuadrin e decentralizimit të pushtetit, nuk ishte gjë tjetër, vetëm përshpejtim i mbulimit të korrupsionit, që kishte nisur edhe në këtë fushë. I zvarritur prej dy vjetësh, pa normativa ligjore, ky vendim i Qeverisë Nano tashmë është plotësisht i dështuar dhe duhet të amendohet. Monopolizimi i shërbimeve funerale nën arbitraritetin e ligjit, apo oligopolet e pakontrolluara për mungesë të tij, shpeshherë shkojnë jo vetëm në dëm të komunitetit, por ndikojnë edhe për shkatërrimin e kulturës funebre. Është e vërtetë që kulturat mund të pranohen, të mohohen, por edhe të sfidohen nga vdekja. Ndaj vendosja e standardeve evropiane në fushën e kulturës funerale kërkon një bashkëpunim dhe angazhim serioz të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Financave dhe veçanërisht të Ministrisë së Punëve Publike, që ka stafin dhe përvojën e akumuluar në vite. Vetëm pas hartimit të dispozitave përkatëse, procedura ligjore mund t'u dërgohet për zbatim organeve të qeverisjes vendore, ku me shansin e shtimit të kompetencave, herë nga paaftësia dhe herë nga "aftësia" për përfitime të pamerituara, po e shfrytëzojnë gjendjen në dëm të kësaj veprimtarie, që rrezaton humanizmin dhe fisnikërinë e kombit.*Autorja është kryetare e Shoqatës së Shërbimeve Funeraliste të Shqipërisë