E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse sulmohet ministri Pollo?

• Eduard ZaloshnjaSa herë që të pakënaqurit e kampit të djathtë pyeten se kush nga ministrat aktualë duhet të zëvendësohet, emri i z. Genc Pollo, ministrit të ...Arsimit, është ndër të parët që përmendet. Dhe dikujt që nuk i ka ndjekur nga afër ndryshimet që kanë ndodhur në arsimin shqiptar në dy vitet e fundit, mund t'i krijohet përshtypja se punët në të janë më keq se ç'i gjeti z. Pollo kur u emërua ministër. Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Por pse atëherë ai vihet në qendër të sulmeve të të pakënaqurve të kampit të djathtë? Përgjigjja është e thjeshtë - partia e Pollos ka vetëm dy vota në Kuvend. Me fjalë të tjera, politikisht, ai mund të bëhet kurban kollaj.  Duke parë rezultatet e arritura nga ministria që drejton Z. Pollo, nuk mund të mos bjerë në sy se ndryshimet pozitive në arsim janë më të prekshmet e një periudhe 2-vjeçare, krahasimisht me periudhat e mëparshme. Kështu, në sajë të sistemit MeP (Meritë-Preferencë), pranimet në universitete u çliruan përfundimisht nga korrupsioni, abuzimi, angaria dhe u vendosën në një bazë të shëndoshë meritore. Gjithashtu, vitin që kaloi, u realizua integrimi i kërkimit shkencor me arsimin e lartë. Dhe ky sistem i ri, nëpërmjet programit FP7, sipas memorandumit të nënshkruar në dhjetor me Komisionin Evropian, bëhet programi i parë komunitar ku Shqipëria arrin të ketë akses. Duke mbetur tek arsimi i lartë, zgjedhjet për rektorë e dekanë po zhvillohen normalisht dhe pa kontestime në universitete, në bazë të ligjit për këtë arsim. Kështu, për herë të parë në historinë e universiteteve shqiptare voton i gjithë personeli akademik dhe e gjithë trupa studentore. Një ndër realizimet e ligjit për arsimin e lartë ishte edhe Fondi i Ekselencës, fituesit e të cilit do arsimohen në universitete perëndimore dhe do kthehen për të punuar në Shqipëri.Një iniciativë e z. Pollo që është kritikuar në mënyrë të veçantë, është ajo e liberalizimit të licencave për universitete private. Ky liberalizim, në parim, përbën një fenomen pozitiv.  Presioni konkurrues që universitetet private i bëjnë sivëllezërve publikë, presupozohet të përmirësojë mësimdhënien në të dyja sistemet. Sidoqoftë, frytet e kësaj konkurrence, ashtu si kokrrat e një molle të sapombjellë, mund të vilen vetëm pas shumë vjetësh. Dhe padyshim, jo të gjitha pemët e mbjella do japin fruta - disa do thahen gjatë procesit të vështirë të rritjes.Ndryshime të ndjeshme pozitive kanë ndodhur edhe në arsimin e ulët e të mesëm në dy vitet që z. Pollo ka drejtuar Ministrinë e Arsimit. Kështu, sot të gjitha shkollat e mesme të vendit, gjimnaze dhe profesionale, janë të pajisur me laboratorë informatike (TIK-LABe). Dhe kjo përbën një urë të rëndësishme për integrimin e brezit të ri në botën e re të internetit. Një tregues tjetër i përpjekjeve të Ministrisë së Arsimit për ta bërë rininë shqiptare pjesë të fshatit global të shekullit të ri është nisma për Shqipërinë angishtfolëse. Kështu, në sajë të koeficientit preferencial për këtë gjuhë të huaj në Maturën Shtetërore, numri i maturantëve që zgjodhën këtë lëndë për testim në vitin 2007 u dyfishua në raport me 2006-ën.Duke ndjekur tendencat botërore për zvogëlimin e rolit të shtetit në ekonomi, në vitin e dytë të Altertekstit, Ministria e Arsimit i dha fund subvencionit që u paguhej shtypshkronjave e botuesve, duke e shndërruar atë në një përkrahje social-arsimore të drejtpërdrejtë për prindërit e nxënësve. Kështu, pavarësisht vështirësive teknike të zbatimit të skemës së re, u arrit që shteti të shmanget nga përfshirja në një operacion thjesht komercial shitblerjeje. Kjo, në përputhje me Progres-Raportin e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, duke ndjekur përvojën perëndimore, shkollat shqiptare po zhvillojnë autonominë përmes bordit, me kompetenca të qarta dhe procedura financiare transparente. Tani mësuesit kanë më shumë hapësirë në trajtimin e lëndës dhe nxënësve të tyre. Ndërkohë, pas rritjes së ndjeshme të rrogës, kualifikimi i tyre ka filluar të bëhet sipas një provimi shtetëror rigoroz.Duke gjykuar vetëm nga rezultatet e mësipërme të z. Pollo,  Kryeministri nuk duhet ta çojë nëpër mend zëvendësimin e tij me ndonjë politikan të pakënaqur të PD-së. Thënë ndryshe, në qoftë se për z.Berisha afrimi i ditës së integrimit të Shqipërisë në BE ka më tepër peshë se lojërat e vogla politike brenda partisë së tij, ai jo vetëm që nuk duhet ta zëvendësojë Pollon, por përkundrazi duhet ta inkurajojë atë. Dhe në qoftë se nuk është i bindur për këtë gjë, le të dëgjojë me vëmendje vlerësimet që bëjnë për Pollon politikanët e diplomatët e BE-së që ndjekin nga afër Shqipërinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›