Etika përjashton me 10 ditë Berishën nga Kuvendi, dy muaj për pesë deputetë të tjerë të PD-së

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën shqyrtoi sot kërkesën e një grupi deputetësh të grupit parlamentar të Partisë Socialiste për marrje mase disiplinore.
Sipas medieve, Sekretariati i Etikës përjashtoi me 10 ditë kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berishën, pas kaosit në seancën plenare të 29 tetorit, ku sipas socialistëve “përdori një fjalor joparlamentar, bëri thirrje për akte dhune, përdori një gjuhë të shprehuri që nxit urrejtjen”.
Ndërkohë, me nga 60 ditë përjashtim janë dënuar deputetët Albana Vokshi, Xhelal Mziu, Ivi Kaso, Bledion Nallbati dhe Blendi Himçi, ndërsa për Klodiana Çapjan nuk u mor masë.
Masa ndaj deputetëve demokratë lidhet me incidentet e regjistruara në seancën e djeshme plenare, ku ata ndezën flakadanë, hodhën sende dhe bllokuan foltoren e Kuvendit, duke shkaktuar tensione dhe ndërprerje të zhvillimit normal të seancës.
/m.q/j.p/r.e/