Etno promovimi
Prodhime vendore, ushqime tradicionale dhe aktivitete të ndryshme kulturore po promovohen për herë të parë së bashku në festivalin “EtnoFest”, i cili ka filluar të shtunën mbrëma në fshatin Kukaj të Prishtinës. Ky festival, që sivjet është mbështetur nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka për qëllim të promovojë agroturizmin, prodhimtarinë vendore dhe trashëgiminë etnokulturore si fusha të rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë së vendit.
Kanë qenë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi dhe Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci që kanë bërë hapjen e këtij festivali që do të mbahet deri më 6 korrik.
Ministri Krasniqi në fjalën e tij tha se ‘EtnoFest’ është bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend, madje qysh në edicionin e dytë të tij. “Është një eveniment origjinal, pasi baza dhe esenca e tij është promovimi i traditës, kulturës dhe trashëgimisë sonë, por sivjet i është shtuar edhe promovimi i prodhimtarisë vendore. Suksesi i këtij festivali është duke ofruar garanci për mbështetjen e vazhdueshme të tij dhe në të ardhmen do të mundohemi ta organizojmë në mënyrën më të mirë të mundshme", tha Krasniqi. Ai shtoi se MKRS do të vazhdojë të rrisë mbështetjen për kulturën, jo vetëm në krijimin e një fondi të konsiderueshëm të aktiviteteve si nga numri dhe cilësia por edhe në mbështetje të projekteve që synojnë ta promovojnë traditën dhe kulturën tonë anekënd botes. Nga ana tjetër Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se ky festival sivjet po bën bashkë imazhin kulturor dhe atë agrorural dhe se nga viti në vit është duke u bërë njëri prej aktiviteteve më promovuese në këtë anë.
"Këtë vit festivalin e kemi pasuruar edhe me ngjarje të tjera, ku përveç aktiviteteve që ndërlidhen me traditën dhe kulturën, kemi përfshirë edhe promovimin e prodhimtarisë vendore dhe ushqimin tradicional", tha Stavileci. Ai shtoi se viteve të ardhshme këtë festival duhet ta plotësojnë edhe me aktivitete të tjera dhe se duhet t'i jepet karakter ndërkombëtar, sepse me përmirësimin e imazhit kulturor, vendi ynë mund ta përmirësojë edhe imazhin ekonomik. Festivali "EtnoFest" do të jetë i hapur deri me 6 korrik dhe në ambientin ku po mbahet, gjatë ditëve në vijim, do të prezantohen rreth 40 programe artistike që ndërlidhen me jetën në zona rurale dhe me veprimtaritë bujqësore, koncerte të ndryshme solistike, ansambël me këngë, valle dhe rite arkaike, ekspozita pikturash, fotografish dhe grafikash me temë nga tradita, rituale tradicionale dhe projeksione të filmave dokumentarë, si dhe do të ketë edhe promovime librash. Për grupet artistike që do të prezantojnë vlera kulturore dhe për 20 prodhuesit vendorë që po marrin pjesë, në natën përmbyllëse do të ndahen edhe çmime të ndryshme.