Euro shtrenjtohet cdo dite 142.6 leke

Aktualisht 1 euro këmbehet në tregun e brendshëm sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë mesatarisht me 142.55 lekë, duke tejkaluar rekordin e vendosur në fillim të majit, ku vlera e 1 euro në treg arriti në 142.46 lekë.
Që nga fillimi i vitit tendenca e kursit Euro-Lek ka qenë në favor të monedhës europiane.
Krahasuar me fillimin e vitit, 1 euro kushton në treg rreth 4 lekë më shumë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë 1 euro blihet dhe shitet rreth 6 lekë më shtrenjtë.
Tendenca e përgjithshme e Lekut ndaj Euros është ajo e zhvlerësimit, pavarësisht lëvizjeve momentale të kursit.
Veç ecurisë së kursit Euro-Dollar në tregjet ndërkombëtare, ekspertët e bankave thonë se deficiti i lartë tregtar bën që kërkesa për euro në treg të jetë gjithmonë e lartë.
Por nëse vitet e kaluara kërkesa e lartë është përballuar nga oferta, që mbështetej fort edhe nga kredia që bankat jepnin në monedhën europiane, dy vitet e fundit kjo situatë ka ndryshuar.