Eurocentrizëm apo globalizëm?
Nga Gëzim Tushi
Padyshim, nuk është rastësi që për arsye historike sasiore dhe cilësore qytetërimi europian është dhe konsiderohet një nga qytetërimet më të vjetër dhe me vlera të veçanta për njerëzimin. Por kjo nuk do të thotë që ai është qytetërim narcistik, që ti pëlqejë vetja në krahasim me të tjerët apo që për këto arsye të mbivlerësojë veten dhe të mohojë vlerat e qytetërimeve të tjera të botës dhe qytetërimit global. Të paktën nga nga studiuesit seriozë, qytetërimi europian konsiderohet një nga dhjetë qytetërimet e rëndësishme nga ato që janë gjallë.
Në këtë kontekst duket se edhe ky qytetërimi ka vendin e vet në botën e globalizuar, pavarësisht se globalizmi akoma nuk është bërë një platformë e përbashkët e qytetërimit universal apo realitet i konceptuar si bashkekzistencë e integruar e qytetërimeve. Madje, për shkaqe që nuk lidhen dhe nuk i shërbejnë globalizmit, herë pas here duket sikur qytetërimet kanë rivalitete midis tyre dhe sipas sociologëve në të ardhmen ka mundësi që të përplasen midis tyre (teza e Samuel Hantingtonit). Herë për të treguar secila superioritetin e vet, dhe herë të tjera për të zënë në botën e globalizuar vendin që i takon.
Në këtë kontekst, besoj se është përfytyrim i gabuar dhe mentalitet sociologjik megaloman dhe eksentrik, që të besohet se globalizmi në thelbin e vet do mund të jetë vetëm eurocentrist, dhe ca më pak, që besohet që qytetërimi europian mund të të bëhet qytetërim i vetëm dhe globalisht sundues. Nuk besoj se do të mund të jetë e vërtetë ajo që thonë disa sociologë jo perëndimorë, se në globalizëm mund të shtohen rreziqet që të mbizotërojë vetëm qytetërimi perëndimor, apo që ai të mund të synojë të zaptojë tërë hapësirën globale të qytetërimit dhe të burgosë qytetërimet e tjera.
Sepse zhvillimet kanë treguar se megjithë vlerat, meritat e njohura e të pamohuara, edhe qytetërimi europian nuk është i përkryer. Madje kriza e qytetërimit eurocentrist, sipas shumë sociologëve ka bërë që qytetërimi europian të tregojë para botës se edhe ai është qytetërim që ka problemet e veta ontologjike. Ndaj, eurocentrizmi si bazë e vetme qytetërimit global, në kohën tonë duket se është thjesht mentalitet i vjetër social dhe sociologjik që duket i kapërcyer nga koha. Globalizmi nuk mund të ketë në themelin e vet mendimin e ngushtë monocentrik, as mund të bazohet në vlerësimin entuziast, se ai do të jetë qytetërimi i vetëm i botës së globalizuar apo realiteti që do ta çonte njeriun në hapësirat globale të gjendjes ideale. Siç po duket, në kohën e zhvillimeve globale profecia monocentrike dhe eurocentrike jo vetëm që nuk është realizuar, por duket se është paradoksale që të besohet. Kjo është arsyeja që ideja monocentriste apo eurocentriste e qytetërimit global është tronditur fort në kohën tonë.
Është absurde dhe megalomane ideja se globalizmi mund të jetë qytetërim monocentrik, apo i përfytyruar si zhvillim i bazuar në një bosht të vetëm qytetërimor, qoftë ky edhe europeist. Sepse edhe ndërtimi i qytetërimit me bosht europian apo atlantist është shumë më i ngushtë se qytetërimi me hapësirë globale. Sipas sociologut Ahmet Davutogllu, Qytetërimi perëndimor e ka përshpejtuar ritmin. Por zgjerimi i shpejtë i këtij qytetërimi, me të njëjtën shpejtësi i fut në po atë kazan edhe qytetërimet joperëndimore. Për këtë arsye mendoj se bota monocentriste sdo të mund të mbijetojë gjatë. (Ahmet Davutogllu, Kriza globale, f 281) Në realitetin e sotëm bota globale nuk mund të pretendojë që të jetë tërësisht e europianizuar, edhe pse duket që në qytetërimin global dhe në esencë të globalizmit europianizmi ka vlerë të madhe si logjikë me pesh kulturore për qytetërimin.
Por kjo nuk do të thotë që ne europianët duhet ta teprojmë me vetëbesimin e pakontrolluar të peshës social kulturore të qytetërimit tonë, sepse gradualisht faktet e epokës së globalizmit po tregojnë se sociologjikisht ideja fikse e eurocentrizmit si bazë e vetme e qytetërimit globalist është nocion i trashë dhe me ndikime po aq negative sa mbivlerësimet subjektivistë të idesë narcistike të mbivlerësimit të qytetarisë kombëtare. Globalizmi do të mund të bëhet realitet jo me mjete që e ndajnë, përçajnë apo kundërvënë qytetërimet me njëri tjetrin, por ai do të bëhet realitet duke u bazuar në konceptin e hollë të qytetarisë demokratike që zbut dhe ndihmon në kapërcimin gradual të problemeve pas kombëtare të jetës globale të qytetërimit.
Ndërkaq, duhet të jemi të sinqertë dhe realist me zhvillimet e sotme të globalizmit. Në të gjithë aspektet të duket se realiteti tregon se deri tani procesi i globalizimit është zgjeruar në mënyrë prioritare në kontinentin tonë, i cili është padiskutim pararoja e procesit të madh të globalizmit, që ka tregues dhe parametra të përshpejtuara të këtij procesi kompleks. Por megjithatë ky nuk është argument i mjaftueshëm për të dalë në konkluzionin e cekët sociologjik se globalizmi mund të jetë dhe do të mbesë si proces i mbyllur eurocentrik. Do të ish naivitet sociologjik i pafalshëm i menduar me mendje të ngushtë, në se mund të mendohet se i gjithë qytetërimi i globalizuar është i mbyllur dhe do të mbesë ekskluzivisht në trekëndëshin kulturor dhe qytetërimor të vendeve të mëdha dhe më të zhvilluara europiane.
Koha po ecën në një pistë që nuk e vërteton deri në fund tezën e ekskluzivitetit monocentrik dhe eurocentrist të globalizmit. Zhvillimet janë të tilla që e kanë venë globalizmin para provimit të drejtpeshimit të strukturës së vlerave të gjithë qytetërimeve, duke shmangur karakterin e ngushtë monocentrik. Sociologët dhe studiuesit e procesit të globalizimit, nuk mendojnë se moderniteti dhe globalizmi mund të jenë realitetet monocentrike, përderisa vetë moderniteti dhe globalizmi janë ideologji planetare, mënyrë jetese gjithëpërfshirëse, që me sa duket, do ti fusë në rrjedhën globale të historisë së përbashkët shumë element qytetërimorë dhe do të ndikojnë në mënyrë komplekse dhe të integruar në procesin e madh, të pakthyeshëm, të shumë unifikimeve globale që do të pësojë njerëzimi bashkëkohor.
Në këtë optikë padyshim që duhet konsideruar perceptim i ngushtë sociologjik dhe mendim ideologjikisht i deformuar, besimi se globalizimi është fenomen që duhet barazuar me europianizimin, nga që zhvillimet globale janë zgjeruar në mënyrë të dukshme në kontinentin tonë. Koha po tregon se globalizmi nuk ka shanse të jetë proces i suksesshëm në se ai konsiderohet se do të jetë dhe do të mbesë proces i mbyllur eurocentrik.
Padyshim, zhvillimet e sotme globale dhe historia e shkurtër e globalizmit të tretë (kështu mendojnë sociologët), nuk sjell argumente as në favor të tezës tjetër se globalizmi është fryt i imitimit mekanik të qytetërimit perëndimor. Përkundrazi, pa cenuar shtyllën kurrizore, të përbashkëtën strategjike të synimeve të globalizimit, ai nuk imponohet në mënyrë uniforme të gjithë planetit, nuk implementohet në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtën performance në të gjithë globin.
Padyshim shtylla kurrizore e globalizmit ka qenë dhe është në Europë. Por koha moderne ka sjellë ndryshime. Tani globalizmi nuk është trashëgimi e perëndimit modern, sepse siç thotë profesori i universitetit të Lubjanës Ales Debeljak brinjët e globalizmit po zgjaten nëpër cepat e planetit.
Është e vërtetë që baza e transformimeve globale është në Europë, dhe në përgjithësi përhapja dhe shtrirja e globalizmit ka për bazë këto ide që buruan nga Europa. Por nga ana tjetër nuk mund në mënyrë sempliste të mendojmë, se globalizmi është thjesht imitim i modelit perëndimor. Përkundrazi historia e shkurtër e globalizmit flet për ndryshime dhe transformime globale të komuniteteve të ndryshme europiane dhe botërore, që po ecin në rrugën e globalizmit jo domosdoshmërisht të bazuar në parimin e imitimit, të përsht