E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos e merrni të mirëqenë!

edvin peciNga Edvin Peçi

Pas javës së zhvillimeve të vrullshme, që nisi me bombën e 1 prillit, për tu konkretizuar më pas me koalicionin parazgjedhor PS-LSI, pasuar nga një tjetër javë revoltash për atë që u quajt shitje e kauzës opozitare apo bashkim me tradhtarët, duket se në kampin opozitar është rikthyer qetësia, me ndonjë përjashtim aty-këtu, ku inati duket se ka zgjatur më shumë se tre ditë.

Deri këtu, gjithçka duket më se normale në kampin opozitar, ndërsa vazhdojnë aktivitetet e ngjeshura për prezantimin e programit, qark pas qarku e rreth pas rrethi.

Por ajo që më ka tërhequr vëmendjen dhe që më shtyu të bëj këtë shkrim, është se në bisedat e këtyre ditëve, me eksponentë më shumë të PS-së sesa LSI-së, qofshin këta deputetë, anëtarë të asamblesë, pjesëtarë të grupeve të punës për programin, apo edhe FRESSH-istë, shumica e pyetur për koalicionin PS-LSI, më ka thënë: Ishte zgjedhje e vështirë, jo më e mira e mundshme, por një e keqe e domosdoshme për të rrëzuar Berishën nga pushteti. Kjo frazë është pasuar më tej nga një tjetër: Falë koalicionit me LSI, PS i ka numrat për të ardhur në pushtet dhe do të vërë më në fund në jetë programin e saj për një Rilindje Shqiptare.  Të dyja këto fjali, (më shumë kjo e fundit) janë thënë me bindje dhe vetëbesim të plotë nga shumica e socialistëve të thjeshtë ose në pozicione drejtuese, me të cilët më ka rënë rasti të bisedoj gjatë këtyre ditëve.

Pa dashur të luaj rolin e djalit plangprishës apo të cenoj sadopak entuziazmin dhe vetëbesimin e opozitës së sotme për fitore, them se tani më shumë se kurrë, asnjë socialist, opozitar apo gjithkush tjetër që kërkon ta largojë pushtetin e Sali Berishës, nuk duhet ta marrë si të mirëqenë fitoren në 23 qershor.

Konsiderata për një rotacion politik, referuar idesë se asnjë mazhorancë në këto vite pluralizëm nuk ka qëndruar më shumë se tetë vite në pushtet apo për një fitore ndaj Berishës në tavolinë falë mbledhjes aritmetike të votave pas hambarit që sjell LSI-ja, do të ishte gabimi më i madh që do të bënte opozita e sotme.

Një opozitë, e cila përballë armikut që ka te porta, jo vetëm nuk duhet të ulë për asnjë moment armët, por duhet të përpiqet të shtojë edhe më shumë arsenalin që ka në dispozicion.

E them këtë referuar një shembulli të thjeshtë personal. Pak më shumë se dy muaj na ndajnë nga zgjedhjet e 23 qershorit dhe aktualisht në shtëpinë time kanë ardhur dy herë të rinjtë e FRPD-së për të ashtuquajturin census zgjedhor ose për takimet derë më derë, ndërkohë që nuk janë dukur ende të rinjtë e FRESSH-it. Një tregues që flet për gradën e mobilizimit të dy forumeve respektive, kur dihet që në këto zgjedhje të rinjtë pritet të luajnë një rol kyç për të mos thënë determinant në përcaktimin e fituesit.

Opozitarët jo vetëm që nuk duhet ta marrin si fakt të kryer fitoren falë koalicionit të ri, por duhet të shtojnë edhe më shumë fushatën dhe takimet me popullin, derë më derë, për të maksimalizuar edhe më shumë votën.

Kjo pasi në të shkuarën Berisha ka treguar dhe dëshmuar që edhe kur numrat kanë qenë në favor të opozitës, është gjetur gjithmonë një mekanizëm, qoftë ligjor, qoftë jo, në KQZ, ose Kolegj Zgjedhor, që t’ia japë atij fitoren. Sinjali u dha me rastin e anëtarit të LSI në KQZ, ku përmes një kërkesë të miratuar me urgjencë në komisionin e ligjeve u kërkua zëvendësimi i tij, edhe pse ende nuk ka dalë një jurist i PD-së që të argumentojë bazën ligjore, por të gjithë, që nga i pari deri tek i fundit, i janë referuar deri tani marrëveshjes së vitit 2003 mes kryeministrit te asaj kohe, Fatos Nano dhe këtij aktualit, Sali Berisha se mazhoranca duhet të ketë shumicën në KQZ.

Pra, një marrëveshje politike, që në këtë rast del mbi ligjin! Nisma e shkarkimit nga Kuvendi të anëtarit të LSI, duke përdorur si shkak politikën dhe asnjë nga 7 pikat e parashikuara në kodin zgjedhor, u shty për të hënën, ndoshta edhe për shkak të presionit të madh ndërkombëtar.

Megjithatë jam i prirur të besoj se mazhoranca do ta çojë atë deri në fund, pasi në këto vite, Berisha e ka treguar se nuk para tërhiqet dhe nuk lë shumë gjëra në mes.

KQZ dhe Kolegji Zgjedhor i duhen si organet e fundit për të tentuar manipulimin dhe fitoren në tavolinë, në rast se lumi i votave të opozitës ia bëjnë atë të pamundur në terren, në qendrat e votimit apo në KZAZ. Po e mbyll me një gjë të fundit.  Unë jam i prirur të mos i besoj legjendës urbane që ka nisur të qarkullojë në tryeza, mediatike ose jo, për një skenar të ri ogurzi të Berishës, për t’i dhënë Ramës, me ndihmën e Metës, goditjen e nokautit, duke i marrë madje edhe partinë.

Jam i prirur të besoj se Meta do ta respektojë marrëveshjen me PS dhe s’do të kapërcejë ylberin pas zgjedhjeve, këtë herë me dëme edhe më të pariparueshme për të majtën e për pasojë edhe për gjithë vendin.

Një thashethemnajë qarkullon që prej zyrtarizimit të marrëveshjes PS-LSI, që Meta do devijojë sërish, duke u bërë kryeministër pas zgjedhjeve në bashkëpunim me partinë e Berishës, ndërsa ky i fundit do të largojë Nishanin duke u bërë vetë president, por opozita e sotme nuk ka kohë dhe energji për të shpenzuar duke menduar për hipoteza të tilla.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›