Eurodeputeti bullgar: Shqipëria, progres në rrugën drejt BE. Duhet të kërkoni ndarjen nga Maqedonia e Veriut

“Unë besoj fuqishëm që e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian”. Kjo u theksua nga eurodeputeti bullgar, Andrei Novakov gjatë një interviste për RTSH.
Sipas Europdeputetit, i cili është pjese e grupit të Partive Popullore Europiane, progresi që Shqipëria ka bërë vitet e fundit, por specifikisht gjatë vitit të fundit është shumë i madh.
“Unë shoh një progres të madh të bërë nga Shqipëria gjatë vitit të fundit dhe kjo më gëzon, por kam përshtypjen se fatkeqësisht duke qenë se jeni në një pakt me Maqedoninë e Veriut, ajo po ju ngadalëson procesin e integrimit në BE”, thotë Eurodeputeti.
Për Novakov, vendi ynë duhet të rikonsiderojë këtë situatë.
“Unë besoj që në një pikë të veçantë, qeveria shqiptare duhet të rikonsiderojë këtë situatë dhe ndoshta duhet të kërkojë të jetë e vlerësuar si një shtet më vete kur vjen për integrimin në Bashkimin Europian”, u shpreh ai
Eurodeputeti bullgar Andrei Novakov është pjesë edhe e Komitetit parlamentar të stabilizim asocimit BE-Shqipëri.
Gazetare: Amela Koçerri
/rtsh/