Euroja humbet terren, forcohet dollari amerikan

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Monedha europiane humbi terren në kursin e këmbimit me lekun këtë të hënë, duke zbritur në kuotën pranë 99 lekësh, pas një forcimi që u pa javën e shkuar.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye të hënën me 99,32 lekë, duke u kuotuar 0,48 lekë më poshtë se të premten e javës së shkuar.
Ndërsa dollari amerikan u forcua në kursin e këmbimit me lekun. Të hënën një dollar amerikan u ble me 96,97 lekë, ose 0,83 lekë më shumë se fundjavën e kaluar.
Paundi britanik ndërkohë ka qëndruar thuajse në të njëjtat nivele, duke u kuotuar 119,35 lekë ose 0,06 lekë më pak.
Franga zvicerane u ble me 105,78 lekë ose 0,20 lekë më shumë se të premten.
Përgjatë vitit 2024, tregu valutor vijoi të karakterizohej nga presione mbiçmuese të lekut ndaj monedhave të tjera.
Analiza e të dhënave të bilancit të pagesave të tremujorit të tretë konfirmoi se këto presione vazhdojnë të nxiten nga rritja e flukseve hyrëse valutore të ardhura nga turizmi, remitancat, si dhe investimet e huaja direkte.
Megjithatë, krahasuar me vitin e kaluar, ritmi i mbiçmimit të kursit të këmbimit është zbutur, falë, ndër të tjera, edhe ndërhyrjeve të shtuara të Bankës së Shqipërisë për blerje valute.
Kursi mesatar i këmbimit të euros me lekun gjatë vitit që lamë pas, shënoi rënie me rreth 7,5%, krahasuar me 2023-shin.
/a.f/r.e/