Euroliga në RTSH: Reali kualifikohet në “Final Four”

Real Madridi është skuadra e dytë që kualifikohet për në “Final Four” teksa ka mbyllur serinë me Hapoel Tel Aviv 3-1 duke fituar në ndeshjen e katërt me rezultatin 81-87.
Ndeshja u zhvillua në Botevgrad, një qytezë në Bullgari për shkak sigurie ku pallati i sportit nuk shkonte më shumë se 3 mijë vetë. Kjo ndikoi ndoshta në minutat e para ku Real Madridi nuk arriti të dilte në lojë dhe Hapoeli kaloi deri në 9 pikë avantazh. Por më tej pak nga pak skuadra spanjolle arriti të ndërtonte një parcial që jo vetëm barazoi, por në periodën e dytë arriti deri në 15 pikë avantazh.
Në disa minuta në mesin e periodës së dytë, Hapoel sërish nisi të luajë më mirë dhe e uli diferencën deri në 5 pikë. Kjo rënie e ritmit e shqetësoi trajnerin Sergio Scariolo dhe Los Blancos reaguan më mirë pas pushimit. Perioda e tretë pati shumë faulla nga të dy krahët dhe deri diku përfitoi Hapoeli që e uli në 5 pikë diferencën.
Ndërkohë që në periodën e katërt, Reali rimerr kontrollin me 15 pikë diferencë dhe këtu Hapoel nis të dorëzohet pak nga pak. Edhe pse me 2 trepikësha në fund Edëards e ul deri në 6 pikë, por nuk ja del ta përmbysë rezultatin.
Mbyllet një sezon për Hapoel Tel Aviv me shumë investime, por me vështirësi të mëdha ku ju desh për 9 muaj të luajë në Bullgari për shkak sigurie. Ndërkohë, Real Madridi rikthehet në “Final Four” të cilin e ka të 7-in në 9 vitet e fundit.