Lamallari vizitë në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut: Forcim të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit
Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut ku është njohur nga afër me kapacitetet operacionale, teknologjinë e avancuar dhe modelet moderne të monitorimit të një prej forcave policore më të mëdha dhe profesionale në botë.
Gjatë takimit me drejtuesit e NYPD-së, ministri Lamallari theksoi rëndësinë e shkëmbimit të eksperiencave dhe forcimit të bashkëpunimit bilateral në fushën e sigurisë publike dhe zbatimit të ligjit.
Vizita u konsiderua një hap konkret drejt thellimit të partneritetit midis institucioneve shqiptare të rendit dhe partnerëve amerikanë, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe sigurisë kibernetike.
“Kënaqësi të zhvilloja një vizitë të veçantë në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut, ku u njoha nga afër me kapacitetet operacionale, teknologjinë dhe modelet moderne të monitorimit që përdor një nga strukturat më të mëdha policore në botë”, shkruan ministri i Brendshëm.
Ai theksoi se takimi me drejtuesit e NYPD-së ishte një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer praktikat më të mira dhe për të forcuar bashkëpunimin në siguri e zbatim të ligjit.
Një moment i veçantë i vizitës ka qenë edhe njohja me efektivët e policisë së Nju Jorkut me origjinë shqiptare, të cilët prej vitesh shërbejnë me profesionalizëm dhe integritet të lartë në radhët e NYPD-së.
“Shumë krenar për efektivët me origjinë shqiptare, të cilët prej vitesh shërbejnë me profesionalizëm e integritet në radhët e policisë së Nju Jorkut, duke nderuar komunitetin shqiptar dhe duke dëshmuar se puna, përkushtimi dhe vlerat tona përfaqësohen denjësisht kudo në botë”, theksoi ministri.
/rtsh.al/