E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europa League, Diffendange -Laçi formacionet e mundshme

Europa Ligë do të rikthehet sot për të luajtur disa nga ndeshjet e kthimit të turit të parë të këtij kompeticioni.

Në përballjet e ditës së sotme në fushë do të zbresin edhe fituesit e Kupës së Shqipërisë. Laçi do të tentojë të hakmerret ndaj Luksenburgasve për humbjen e pësuar pak ditë më parë në Korçë. Drejtuesit e skuadrës kurbinase, besojnë se kanë të gjitha forcat për të përmbysur humbjen 1-0 ndaj Dendanzh dhe për tu kualifikuar për në turin tjetër. Për të arritur këtë qëllim, bardhezinjtë duhet të bëjnë një sforco më shumë pasi luajnë në transfertë dhe e nisin ndeshjen në disavantazh të një goli.

Motivimi nuk mungon në kampin kurbinas, pasi presidenti i skuadrës, Pashk Laska, ka vënë në dispozicion të lojtarëve të tij një premio për kualifikimin që kap shifrat e 40 mijë dollarëve. Një shumë kjo që ka rritur moralin e lojtarëve të cilët kërkojnë të vazhdojnë ëndrrën e kalimit të turit të parë në Europa Ligë. Pavarsisht rezultatit të pare, skuadra e Difendanzh nuk është e një niveli të lartë ndaj dhe përmbysja nuk është e pamundur për fituresit e Kupës së Shqipërisë.

Në këtë takim skuadra luksenburgase Difendanzh, pritet të luaj me formacionin 4-4-2.

Në portë: Ueber, në mbrotje: Bukviç, Kaillet, Ketenmeyer dhe Janish, në mesfushë: Lebrense, Bastos, Melinjer, Mey, në sulm do të jetë dyshja Er Rafik dhe Franzoni.

Në kampin tjetër, tekniku i Laçit Nica, i cili pas dorëheqjes u rikthye sërish në drejtimin e skuadrës, pritet të hedhë në fushë formacioni: 4-4-2.

Në portë Bakaj, në mbrojtje: Kastrati, Bulian, Ndreka dhe Sefgjini, në mesfushë: Doku, Zefi, Vucaj dhe Shazivari, në sulm Rovçanin dhe Nimani. Ndeshja do të luhet në orën 19 e 30 minuta në Luksenburg.

Kompanitë e basteve favorizojnë në këtë takim ekipin vendas duke e kuotuar fitoren e tyre me koefiçentin 1.7, barazimin 3.5 ndërsa një fitore e mundshme e skuadrës së Laçit kuotohet me koefiçentin 4.2.

Tani mbetet për tu parë nëse Laçi do tia dalë të përmbysë rezultatin e takimit të parë që do ti jepte mundësinë për të kaluar në turin tjetër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›