E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europa e alarmuar nga survejimi amerikan

Bashkimi Europian ka kërkuar siguri, që të drejtat e europianëve të mos shkelen nga programet masive të survejimit, të zbuluara së fundi, të Shteteve të Bashkuara.

Komisioneri i Drejtësisë, Viviane Reding, planifikon të ngrejë shqetësimet e fundit, kur të takojë Prokurorin e Përgjithshëm amerikan, Eric Holder, të premten. Javën e kaluar, një seri rrjedhjesh informacioni nga një ish-punonjës i CIA-s, çoi në lindjen e akuzave se SHBA ka një rrjet të gjerë survejimi, me një mbikqyrje shumë më të vogël nga sa mendohej më parë. SHBA këmbëngul se hulumtimet e tyre janë ligjore, sipas ligjeve të tyre. Administrata e Obama-s po heton nëse dhënia e informacioneve të detajuara nga ish-punonjësi i CIA-s, Edward Snowden, ishte një sulm kriminal apo jo. Punëdhënësit e Snowden, kontraktori i mbrojtjes “Booz Allen Hamilton”, bënë të ditur të martën se e kanë pushuar nga puna 29-vjeçarin, analist infrastrukture, për shkak të shkeljes së kodit etik. Zyrtarët amerikanë thanë se programi i përgjimeve, i njohur si “Prism”, është i autorizuar nën Aktin e Mbikqyrjes së Inteligjencës së Jashtme (FISA). Ai i jep fuqi Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (NSA), të sigurojë emaile dhe përgjime telefonatash, në lidhje me shtetasit jo amerikanë. Por, individët e prekur nga akti në fuqi mbeten sekret dhe ka shqetësime se NSA po tejkalon kompetencat e veta. Snowden besohet të jetë fshehur një ditë, pasi u raportua se ishte larguar nga hoteli i tij në Hong Kong. Në SHBA, Mitch McConnell, kreu i republikanëve në Senat, tha se personi përgjegjës për rrjedhjen e informacionit duhet të përballet me gjithë fuqinë e ligjit. Ndërkohë, Rusia po përgatitet dhe po merr në konsideratë dhënien e azilit politik ndaj Snowden. / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›